logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Urtikaria: alergji e lëkurës me skuqje dhe kruajtje.
Urtikaria: alergji e lëkurës me skuqje dhe kruajtje.

Urtikaria është një alergji tepër e shpeshtë e lëkurës. Është emërtuar kështu sepse shkakton të njëjtat simptoma si kontakti i një hithre me lëkurën.

Simptomat kryesore të urtikaries janë papulat (pjesë të ngritura, ënjtje në lëkurë) dhe kruajtjet e forta. Njihen dy forma të urtikaries: akute dhe kronike. Forma akute shërohet vetëm pas disa orësh ose edhe disa ditësh, ndërsa forma kronike mund të mbetet e pranishme edhe për muaj të tërë.

Shkaku i urtikaries shpesh është i panjohur. Megjithatë, në shumicën e rasteve urtikaria është e lidhur me një alergji, si në rastin e pickimit nga një insekt, e konsumimit të ndonjë ushqimi ose përdorimit të ndonjë medikamenti. 

Kjo sëmundje prek kryesisht të rriturit, më tepër femrat. Simptomat mund të shpërthejnë edhe nga një stimul mekanik, siç është kruajtja ose fërkimi i lëkurës. Ndikimet e jashtme, të tilla si i nxehti, i ftohti, dielli, por edhe stresi emocional ose fizik mund të jenë gjithashtu shkaktarë. 

Nëse shkaku i urtikaries është imunologjik (nga një alergji) atëherë ajo manifestohet si një reaksion alergjik i menjëhershëm, psh. pas kontaktit me një alergen ose pas konsumimit të tij (në rastin e ushqimit). Në rastin më të rëndë pacienti përjeton gjendjen e shokut anafilaktik, me kolaps kardio-respirator (rënie e shpejtë e funksionit të zemrës dhe mushkërive), i cili është një emergjencë mjekësore absolute.

Urtikaria nuk është as e trashëgueshme dhe as ngjitëse. Megjithatë, ka një predispozitë familjare për ta shfaqur atë.

Në rastin e shfaqjes së urtikaries, duhet të merren në konsideratë agjentë të ndryshëm që mund ta shkaktojnë.
Pacientët, me ndihmën e mjekut të tyre, duhet ta zbulojnë rast pas rasti se cili alergen është përgjegjës për reaksionin e shkaktuar.

Alergenët më të zakonshëm që mund të shkaktojnë urtikarie janë:

  • Disa ushqime, si: peshku, vezët, drithërat, qumështi i lopës, midhjet, arrat, manaferrat, soja, etj.
  • Konservuesit, ngjyruesit dhe aromatizuesit e ushqimeve
  • Kimikatet me të cilat trajtohen frutat, perimet dhe mishi
  • Medikamentet, si psh. acidi acetilsalicilik (aspirina) ose antibiotikët (ndër të cilët edhe penicilina)
  • Metalet e pranishme në trup, si materiali mbushës i dhëmbëve
  • Pickimi i insekteve (mushkonjat, pleshtat, bletët)
  • Bimët (hithrat)
  • Qimet e kafshëve ose puplat e shpendëve
  • Sëmundjet e ndryshme, si çrregullimet hormonale, çrregullimet metabolike
  • Elementë të tjerë shpërthyes të papulave: fërkimi, presioni në lëkurë, ekspozimi i drejtpërdrejtë ndaj të ftohtit ose të nxehtit, ndaj rrezeve të diellit, stresi emocional dhe/ose fizik.
Urtikaria: skuqje, ënjtje, pustula në lëkurë si një reagim alergjik.
Urtikaria: skuqje, ënjtje, pustula në lëkurë si një reagim alergjik.

Skuqja shfaqet e para në lëkurë dhe më pas formohen elementë më të ngritur, në formë flluckash të zbehta, që quhen papula. Ato formohen nga ngjitja e lëngjeve (edemë) në shtresën më sipërfaqësore të lëkurës. Pamja e tyre në lëkurë ndryshon në varësi të agjentit që i shkakton. Sipërfaqja e kuqe mund të jetë e vogël, mund të jetë e madhe sa pëllëmba e dorës, mund të jetë e kufizuar ose e shpërndarë nëpër trup. 

Shumë papula të vogla mund të bashkohen për të formuar një të madhe. Në pjesën më të madhe të rasteve ato kruhen, por mund të largohen brenda 24 orëve pa lënë shenja dhe gjurmë në lëkurë. Ka edhe raste kur mund të zgjasin për disa ditë ose javë, duke formuar në mënyrë të vazhdueshme papula të reja. Shkak i këtij fenomeni janë qelizat imunitare të lëkurës, që gjenden në shtresën e dermës, të cilat çlirojnë histaminën, një substancë që luan rol kyç në shfaqjen e urtikaries. 

Histamina shkakton zgjerim të enëve të gjakut të lëkurës, skuqje dhe enjtje lokale të lëkurës. Urtikariet teorikisht mund të shfaqen kudo në trup. 

Megjithatë, ato shfaqen më tepër në krahë, në këmbë, në pjesën e trungut të trupit dhe në fytyrë. 

Gjithashtu, pacienti mund të shfaqë edhe ënjtje të qepallave, të gjuhës ose mukozës së gojës - proçes ky që përshkruhet me termin mjekësor “angioedemë”. Në këto raste, urtikariet zgjasin më gjatë në kohë. 

Kujdes: pacientët me këto simptoma duhet të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore, pasi ato tregojnë për një gjendje të mundshme të shokut anafilaktik.

Simptoma të tjera të mundshme:

Në rastet më të rënda, kur pacienti kalon në gjendjen e shokut anafilaktik, që karakterizhet nga rënia e shpejtë e funksionit të zemrës dhe mushkërive, bëhet fjalë për një urgjencë të vërtetë mjekësore.

Urtikaria: zbulimi i alergjisë duke përdorur testet e lëkurës dhe testet e gjakut.
Urtikaria: zbulimi i alergjisë duke përdorur testet e lëkurës dhe testet e gjakut.

Mjeku mund ta diagnostikojë një pacient me urtikarie vetëm duke vëzhguar reaksionet e lëkurës (formimin e papulave dhe kruajtjen intensive). Më pas, ai duhet të gjejë shkakun e urtikaries, në mënyrë që pacienti ta shmangë kontaktin me agjentin shkaktar, për të mos patur më një reaksion të tillë në të ardhmen. 

Nëse shkaku mbetet i panjohur ose urtikaria vazhdon më gjatë se 6 javë pavarësisht trajtimit, rekomandohet të kryhet një ekzaminim specifik tek dermatologu (mjeku i lëkurës), i cili do t’i kërkojë me detaje alergenët përmes testeve të gjakut dhe atyre të lëkurës. 

Këto teste janë:

  • Testi i provokimit: një sasi e vogël alergeni të dyshuar gëlltitet ose vendoset në lëkurë (Kujdes: nuk duhet të kryhet pa praninë e mjekut!)
  • Testet laboratorike
  • Testet e alergjisë

Si në të gjitha llojet e alergjive, pacienti duhet të jetë i motivuar për të zbuluar alergenin. Duke qënë vigjilent se ku dhe si manifestohet urtikaria, ai mund të ndihmojë edhe mjekun për të gjetur shkakun. Ky lloj reaksioni mund të shmanget vetëm kur është i njohur shkaktari.

Urtikaria: medikamente anti-alergjike dhe analgjezike.
Urtikaria: medikamente anti-alergjike dhe analgjezike.

Si me të gjitha alergjitë, trajtimi më i mirë i urtikaries është shmangia e kontaktit me alergenin, pra me agjentin shkaktar.

Trajtimi i urtikaries akute

  • Trajtimi i skuqjes dhe kruajtjes mund të lehtësohet nëpërmjet aplikimeve lokale të një xheli ftohës, me përjashtim të rasteve kur shkaktari i urtikaries është i ftohti.
  • Medikamentet: antialergjikët (antihistaminat) në formën e tabletave ose xhelit, dhe medikamentet qetësuese të dhimbjes.

Që në momentin që simptomat zhduken, disa orë pas fillimit të trajtimit, trajtimi duhet të ndërpritet. Është gjithashtu e rëndësishme që pacienti të jetë në dijeni se çfarë ia shkakton urtikarien, në mënyrë që të eleminojë alergenin. Gjatë një reaksioni të rëndë alergjik (shoku ananfilaktik), pacienti duhet të merret në ngarkim nga shërbimi i urgjencës mjekësore.

Pacientët me alergji duhet të mbajnë gjithmonë me vete kartën e urgjencës dhe një kuti me mjekimin e urgjencës, që përfshin një tabletë me efekt antihistaminik (kundër alergjisë), tabletat e kortizonit dhe një shiringë me adrenalinë të gatshme për t’u injektuar në çdo moment të nevojshëm. Kjo rekomandohet veçanërisht për personat alergjikë ndaj pickimit të insekteve (bletëve, grenxave) dhe ndaj arrave.

Trajtimi i urtikaries kronike

Nëse shpërthimet e urtikaries janë të përsëritura, ose priten të rishfaqen në të ardhmen, pacienti duhet t’i nënshtrohet një trajtimi afatgjatë me medikamente antihistaminike. Meqenëse mund të krijojë varësi prej tyre, ky trajtim duhet të kryhet nën mbikqyrjen e mjekut.

Nëse shkak i urtikaries është i ftohti, rekomandohen banjat e shpeshta me ujë të ftohtë, në mënyrë që trupi të përshtatet pak nga pak me faktorin shkaktar. Gjithashtu, në rastin e urtikaries nga stresi (sforcimi) fizik, rekomandohet kryerja e ushtrimeve fizike specifike për ta përshtatur trupin gradualisht me to.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.