logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Dhimbja e barkut mund të ketë shkaqe fizike, funksionale ose psikologjike
Dhimbja e barkut mund të ketë shkaqe fizike, funksionale ose psikologjike
Dhimbjet e barkut janë rezultat i një irritimi të qelizave nervore të vendosura në sipërfaqe të organeve ose peritoneumit. Ato mund të shfaqen pa simptoma trupore të dukshme (në rastin e çrregullimeve funksionale).

Dhimbjet e barkut mund të manifestohen sipas rastit, në zona të ndryshme të barkut: në të gjithë barkun, në pjesën e sipërme të tij (mbi kërthizë) ose në pjesën e poshtme të barkut (nën kërthizë). Ato mund të jenë të kufizuara në një vend, të përkohshme ose të vazhdueshme, ose me një alternim të fazave pa dhimbje ndërmjet atyre me dhimbje. Dhimbjet e barkut në zonën e stomakut mund të shfaqen kur stomaku është bosh ose të shtohen pas ngrënies, ose shfaqen vetëm pas konsumimit të disa ushqimeve të veçanta.

Në varësi të shkakut, dhimbjet e barkut mund të mnifestohen në formën e goditjes me grusht, me ndjesinë e therrjes, djegies, shtypjes konstante, ngërçit ose kolikës (dhimbjes së fortë), që shfaqet papritur, që përsëritet ose është e vazhdueshme, intensiteti i së cilës shtohet ose pakësohet sipas pozicionit të trupit (këmbët e përkulura) ose lëvizjeve, dhe që mund të përhapet në pjesë të tjera të trupit (në shpinë, kafazin e kraharorit, pjesën e brendshme të kofshëve).

Shenjat shoqëruese të një sëmundjeje të rëndë janë:

  • Ndryshimi i jashtëqitjes (diarre ose kapsllëk, me çrregullime  dhe ndryshime të ngjyrës së feçeve)
  • Të përziera dhe të vjella
  • Gjak në feçe ose në urinë
  • Temperaturë e lartë
  • Mungesë e oreksit dhe/ose rënie në peshë

Intensiteti i dhimbjeve të barkut nuk lidhet gjithmonë me shkallën e rëndesës së sëmundjes bazë dhe varet nga ndjeshmëria e personit. Çrregullimet e vogla të tretjes, si fryrja e barkut nga gazrat, mund të shkaktojnë gjithashtu dhimbje të forta barku. Përkundrazi, sëmundje të rënda si kanceri i zorrës ose i pankreasit, mund të mos shkaktojnë për një kohë të gjatë dhimbje.

Tek fëmijët, simptomat më të shpeshta janë dhimbjet e barkut, të vjellat, kapsllëku ose diarrea.

Urgjencat: abdomeni akut

Abdomeni akut përkufizohet si dhimbje e fortë dhe e papritur e barkut, e lidhur me një sëmundje të rëndë. Dhimbjet e forta dhe të menjëhershme të barkut, barku i fortë (për shkak të kontraktimit të muskujve të barkut), të vjellat dhe dobësia e përgjithshme trupore mund të çojnë deri në gjendjen e shokut kardio-vaskular. Abdomeni akut duhet të konsiderohet gjithmonë si një urgjencë që duhet trajtuar sa më parë në kushte spitalore.

E rëndësishme: kur keni dhimbje barku nuk duhet të përdorni medikamente kundër dhimbjes, nuk duhet të hani dhe nuk duhet të pini. Mund të merret në konsideratë një terapi specifike, vetëm pasi të jetë përcaktuar shkaku i dhimbjes.

Simptomat shoqëruese: fryrja e barkut, ndjesi e shtrëngimit (ngërçit) në bark dhe në stomak, diarre, kapsllëk, të përziera, të vjella, temperaturë, ulje e oreksit, rënie në peshë, etj.

Dhimbjet e barkut mund ta kenë origjinën nga një prej disa organeve të barkut. Më shpesh, ato janë të lehta, si dhimbjet e përkohshme të stomakut. Gjithashtu, stresi, fatkeqësitë dhe dëshpërimi mund t’i shkaktojnë këto dhimbje. Po kështu, edhe një sistem nervor i ndjeshëm, një sindromë e zorrës së irritueshme ose një çrregullim i tretjes mund të shkaktojnë dhimbje të tilla.

Megjithatë, origjina e dhimbjes së barkut mund të jetë edhe jashtë tij. Kjo vlen për rastet kur dhimbjet e barkut përhapen drejt veshkave dhe rrugëve urinare, mushkërive, zemrës ose sistemit riprodhues mashkullor ose femëror.

Fëmijët ankohen shpesh për dhimbje barku. Më shpesh bëhet fjalë për fryrje joserioze të barkut. Gjithashtu, duhet patur parasysh fakti që kur fëmijët kanë një dhimbje tjetër, (psh. dhimbje veshi), shpesh ata tregojnë barkun e tyre sepse ende nuk dinë ta përcaktojnë saktësisht dhimbjen. Tek fëmijët më të rritur, dhimbje barku mund të shkaktojë edhe stresi i shkollës.

Çrregullimet dhe sëmundjet e mëposhtme mund të shoqërohen me dhimbje barku (sipas rendit alfabetik):

Në rastin e dhimbjeve të barkut të lehta dhe të përkohshme, si në rastin e një viroze intestinale ose një çrregullimi të lehtë të tretjes, situata mund të menaxhohet duke pirë shumë lëngje (çaj pa sheqer, lëng mishi), të respektohet regjim i lehtë ushqimor (psh. të konsumohet oriz) dhe të vendoset një borsë (ose shishe plastike) me ujë të ngrohtë mbi bark për të qetësuar dhimbjen.

Dhimbjet e barkut të shkaktuara nga një ushqyerje jo e shëndetshme (në sasi të madhe dhe me shumë yndyrë) ose nga një helmim ushqimor, kanë nevojë për një ndryshim të mënyrës së ushqyerjes. Ushtrimet relaksuese mund të ndihmojnë në rastin e dhimbjeve të barkut të lidhura me stresin.

Disa këshilla për parandalimin e dhimbjeve të barkut:

  • Të respektohet një ushqyerje dhe sjellje ushqimore e shëndetshme.
  • Të pihen sasi të mjaftueshme lëngjesh në ditë (për të rriturit 2-3 litra, për fëmijët sasia varet nga mosha).
  • Rekomandohet ngrënia shpesh e sasive të vogla të ushqimeve, dhe sa më rrallë vakte të rënda.
  • Të evitohet konsumi i ushqimeve që shkaktojnë fryrje të barkut.
  • Të kryhet aktivitet fizik i rregullt, sepse lehtëson proçesin e tretjes së ushqimeve.

Këshilla për personat që kanë djegësira në stomak (refluksi gastro-ezofageal):

  • Të mos shtrihen menjëherë pas ngrënies.
  • Të mos hanë të paktën 2 orë përpara se të shkojnë në shtrat.
  • Të ngrejnë kokën e shtratit, në mënyrë që acidet e stomakut të mos ngjiten lart.
  • Të reduktojnë peshën trupore, në rastet me mbipeshë.
  • Të mos pinë duhan.

Në rastin e dhimbjeve të lehta të barkut, nuk është e nevojshme të konsultoheni me mjekun, edhe nëse keni diarre dhe të vjella. Nëse dhimbjet rëndohen ose nëse nuk kalojnë për disa ditë, duhet të konsultoheni patjetër me mjekun.

Është e detyrueshme të konsultoheni me mjekun në të gjitha rastet kur dhimbjet janë të menjëhershme dhe tepër të forta, ose nëse ato përkeqësohen me shpejtësi. Një bark i fortë dhe me dhimbje të forta konsiderohet si urgjencë mjekësore e rëndë dhe kërcënuese për jetën.

Mjeku i urgjencës duhet të kontaktohet menjëherë kur:

  • Shfaqen probleme të tjera, si temperatura e lartë, vështirësia në frymëshkëmbim, të vjella të forta ose diarre, ose dhimbje në zonën e zemrës.
  • Gjendja e përgjithshme është përkeqësuar
  • Dhimbja e barkut shfaqet pas një goditjeje (rrëzim, aksident, gjuajtje)
  • Ka mungesë të defekimit dhe nxjerrjes së gazrave për disa ditë
  • Shfaqen të vjella me gjak
  • Konstatohet gjak në urinë ose në feçe
  • Dhimbjet shfaqen gjatë një shtatzanie
  • Dhimbjet e barkut janë të përsëritura

E rëndësishme: në rastin e dhimbjeve akute të barkut, me origjinë të paqartë, nuk këshillohet përdorimi i medikamenteve kundër dhimbjes, sepse kjo mund të vështirësojë vlerësimin e gjendjes nga mjeku. Gjithashtu, nuk këshillohet as ngrënia e ushqimit dhe as pirja e lëngjeve.

Me cilin mjek duhet të konsultoheni?

  • Mjeku i familjes
  • Mjeku internist
  • Mjeku gastro-enterolog
  • Mjeku pediatër
  • Mjeku gjinekolog
  • Mjeku urolog

Për të patur një tablo sa më të qartë të problemeve aktuale dhe shkaqeve të mundshme të tyre, fillimisht mjeku njihet me historinë mjekësore personale(anamneza) dhe kryen egzaminimin klinik me mjete të thjeshta (inspeksioni, analiza, palpacioni, auskultacioni, testet funksionale, etj.). Pas këtyre proçedurave, mjeku mund të rekomandojë analiza të tjera më specifike.

Marrja e anamnezës konsiston tek:

  • Pyetjet që lidhen me dhimbjet e barkut: kur kanë filluar, ku lokalizohen saktësisht, çfarë natyre kanë (therje, shtrëngim, në thellësi apo në sipërfaqe), me fillim të papritur ose gradual, që përhapen në zona të tjera të trupit (në shpinë, karaharor, kofshë), nëse janë shpeshtuar ose rralluar, a janë të varura nga frymëshkëmbimi, nga ngrënia e ushqimit (para apo pas ushqimit), janë të lidhura me stresin, me ciklin menstrual, shkaktohen nga ndonjë ushqim i caktuar, shoqërohen ose jo me ndryshim të oreksit, me rënie në peshë, etj.
  • Informimi mbi simptomat shoqëruese (shih rubrikën "Si manifestohet kjo simptomë?").
  • Pyetjet e lidhura me urinimin dhe defekimin.
  • Infomimi mbi zakonet ushqimore dhe pijet që konsumon pacienti.
  • Informimi mbi sëmundjet shoqëruese, probleme të mëparshme mjekësore, përfshirë edhe operacionet dhe aksidentet.
  • Pyetjet lidhur me mundësinë e përdorimit t ë medikamenteve të ndryshme.
  • Informimi mbi alergji dhe intoleranca të ndryshme ushqimore.
  • Informimi mbi kushtet e jetesës, situatën sociale dhe atë profesionale.

Egzaminimi klinik

Ky egzaminim i shërben mjekut për të përcaktuar shkaqet që mund të jenë në origjinën e dhimbjeve të barkut. Gjatë tij, mjeku mund të dëgjojë zhurmat e zorrëve dhe mund të konstatojë çrregullime gjatë palpimit të barkut. Gjithashtu, mjeku do të kontrrollojë nëse barku është i butë ose i fortë, ku është dhimbja më e fortë gjatë shtypjes me dorë, nëse ka shenja specifike, të tilla si lëshimi dhe mbrojtja muskulare, që sugjerojnë për diagnozën e apendisitit. Mund të konstatohet dhimbje në fund të barkut djathtas vetëm gjatë shtypjes së fortë me dorë në këtë regjion. Ky test është specifik për anën e djathtë por mund të jetë pozitiv i lehtë edhe në anën e majtë. Tek femrat, duhet të egzaminohet vagina, mitra dhe vezoret nëpërmjet palpacionit. Tek meshkujt, duhet të vlerësohet rektumi dhe prostata me anën e tushesë rektale.

Egzaminime të tjera specifike diagnostikuese janë:

Më tepër informacion lidhur me diagnozën e dhimbjeve të barkut do të gjeni në tablotë klinike të sëmundjeve përkatëse.

 Trajtimi i dhimbjeve të barkut varet gjithmonë nga shkaku i tyre. Kështu:

  • Medikamentet kundër dhimbjes ose kundër ngërçeve përdoren për vetë dhimbjet.
  • Dhimbjet e barkut të lidhura me ushqimin dhe stresin zhduken shpesh pas një ndryshimi ose përmirësimi të higjienës së përgjithshme të ushqyerjes, jetesës, etj.
  • Antibiotikët përdoren në rastet e infeksioneve bakteriale.
  • Frenuesit e aciditetit të stomakut (antiacidet, frenuesit e pompës protonike) përdoren në rastin e çrregullimeve të tretjes, refluksit, gastriteve, etj.
  • Medikamentet që nxisin peristaltikën e zorrëve përdoren psh. në rastin e irritimit të stomakut.
  • Medikamentet kortikosteroide përdoren në rastet e sëmundjeve inflamatore të zorrës.
  • Ndërhyrje kirurgjikale urgjente kryhet në rastin e apendisiti akut, gurëve në tëmth ose bllokimit të zorrës.
  • Ndërhyrje kirurgjikale, kimioterapi ose radioterapi kryhet në rastin e një kanceri.
  • Në përgjithësi, këshillohet respektimi i një regjimi ushqimor të posaçëm për lehtësimin e funksionit të sistemit gastro-intestinal, me raste mund të përdoret edhe ushqyerja nazo-gastrike ose me rrugë intravenoze.

Gjithashtu, duhet të trajtohen edhe simptomat shoqëruese të dhimbjeve të barkut, si:

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.

Përdoruesit kanë vizituar po ashtu...