logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Varësia nga alkooli: Alkooli sëmur trupin dhe shpirtin
Varësia nga alkooli: Alkooli sëmur trupin dhe shpirtin

Kur konsumi i alkoolit shkakton ndryshime të rëndësishme në gjendjen psiqike dhe/ose fizike të një individi, bëhet fjalë për abuzim me alkoolin, pra keqpërdorim të tij. Nëse ky abuzim shkakton një nevojë të parezistueshme për të konsumuar alkool, pra një gjendje varësie ndaj tij, bëhet fjalë për toksikomaninë.

Termi "toksikomani" është zëvendësuar nga OBSH- ja (Organizata Botërore e Shëndetësisë) me termin "varësi". Lidhur me këtë term, duhet dalluar varësia psiqike që nënkupton një nevojë të fortë dhe të parezistueshme për të konsumuar një substancë të caktuar (në këtë rast alkoolin), nga varësia fizike që karakterizohet nga nevoja për rritjen e dozës së substancës që konsumohet, e shoqëruar me sjellje të shkëputjes prej saj.

Kalimi nga varësia psiqike tek ajo fizike nuk është i qartë. Kështu, pas ndërprerjes së konsumit të rregullt të alkoolit për arsye të jashtme, si psh. një shtrim në spital, shfaqen menjëherë shenjat tipike të shkëputjes (ndërprerjes së alkoolit), që janë: gjendja e axhituar, dridhja e trupit, të përzierat dhe të vjellat. Në rastet e rënda mund të shfaqen edhe krizat e epilepsisë, që mund të arrijnë deri në gjendjen e " delirium tremens", që karakterizohet nga  deliri (përçartja), haluçinacionet (iluzione, vegime) dhe koma.

Alkoolistët janë konsumatorë të rregullt të sasive të mëdha të alkoolit, me një varësi të tillë prej tij, që u shkakton jo vetëm çrregullime të shëndetit fizik dhe psiqik, por edhe probleme të mëdha lidhur me marrëdhëniet e tyre në familje dhe shoqëri. Ata nuk tregojnë përgjegjshmëri për rolin e tyre social dhe atë profesional. 

Fazat e zhvillimit të varësisë nga alkooli.
Fazat e zhvillimit të varësisë nga alkooli.

Fazat e përshkruara më poshtë përfaqësojnë, në fakt, rezultatet e kërkimeve të Prof. Jelinek, të realizuara në vitin 1951. Ato kanë një vlerë të pazëvendësueshme në përcaktimin e shkallës së konsumit të alkoolit nga një individ. Format dhe tipet e alkoolizmit janë:

  • Alkoolizmi Alfa
    Këta persona pijnë në përpjekje për të zgjidhur problemet e tyre. Ata janë të ekspozuar ndaj rrezikut të varësisë nga alkooli, por gjithsesi arrijnë të kontrollojnë sasinë e alkoolit që konsumojnë. 
  • Alkoolizmi Beta
    Këta persona janë konsumatorë rastësorë të alkoolit, që nuk paraqesin asnjë lloj varësie prej tij. Gjithsesi, edhe ky kontigjent është i ekspozuar ndaj rrezikut të shfaqjes së ndërlikimeve prej konsumit të sasive të mëdha të alkoolit, siç janë dëmtimi i mëlçisë (hepatiti alkoolik) dhe i stomakut (gastriti alkoolik).
  • Alkoolizmi Gama
    Këta persona janë njëherësh vartës fizikë dhe psiqikë të alkoolit. Ata e kanë humbur kontrollin mbi shpeshtësinë dhe sasinë e konsumuar të tij.
  • Alkoolizmi Delta
    Këta persona arrijnë ta kontrollojnë për një periudhë relativisht të gjatë prirjen e tyre për të konsumuar alkool. Ata janë të varur fizikisht, por jo psiqikisht nga alkooli. Pavarësisht helmimit të tyre pothuajse të vazhdueshëm prej tij, sëmundja tek ata kalon pa u vënë re.
  • Alkoolizmi Epsilon
    Këta janë konsumatorë të alkoolit me periudha. Kështu, pas periudhave të gjata pa alkool, ata i rikthehen konsumit të tij për disa ditë me radhë. Në pjesën më të madhe të rasteve bëhet fjalë për forma të përziera, që nuk mund të klasifikohen në mënyrë të prerë vetëm në njërin apo tjetrin nga tipet e mësipërme.


 

Nga raportimet e kohëve të fundit, rezulton që rreth ¾ e popullatës konsumon alkool. Nga ky kontigjent, rreth 10% vuajnë pasojat negative të shkaktuara prej alkoolit mbi shëndetin e tyre, profesionin, të ardhurat ekonomike, si dhe në marrëdhëniet e tyre familjare e shoqërore.

Pra, alkoolizmi është fenomen i kohëve moderne, që dëmton jo vetëm shëndetin, por edhe mirëqënien e atyre që e konsumojnë. Meshkujt priren ndaj alkoolizmit 5 herë më shumë se femrat. Megjithatë, gjatë 30 viteve të fundit, ky fenomen po haset gjithnjë e më shumë edhe tek femrat.

Ndërkohë që shkaku i mirëfilltë i alkoolizmit nuk dihet ende, studimet gjithmonë e më shumë po përforcojnë dyshimin se është fjala për një një fenomen të  trashëgueshëm, pasi konstatohet kryesisht në persona me të afërm të alkoolizuar (veçanërisht prindërit, vëllezërit ose motrat). Në këtë gjë ndikojnë edhe faktorë të tjerë, që konsiderohen faktorë të rrezikut, ku përfshihen: skizofrenia, depresioni, çrregullimet e ankthit, gjendja jo e mirë ekonomike, izolimi shoqëror, ndrojtja, etj.

Alkooli, ashtu si edhe medikamentet, provokon një efekt kompensues në nivelin e trurit. Kështu, nëse një person ndihet mirë sa herë që e konsumon atë, aq më e madhe do të jetë dëshira e tij për ta konsumuar përsëri. Pikërisht kjo shpjegon faktin pse njerëzit abuzojnë me medikamentet dhe alkoolin. Dhe, nëse ato përdoren rregullisht, organizmi i kërkon në sasi gjithnjë e më të mëdha, për të arritur të njëjtin efekt që jepnin në fillim. Kjo quhet tolerancë, dhe mund të jetë faktori final që kontribon në zhvillimin e varësisë nga alkooli dhe nga medikamentet.

Sëmundja alkolike zhvillohet në disa faza, secila me simptomat e saj specifike. Një numër i madh alkoolistësh i nënshtrohen trajtimit tepër vonë, madje për shkak të nënvlerësimit të këtij problemi, edhe nuk trajtohen fare. Nga ana tjetër, jo çdo person i rritur që konsumon alkool duhet domosdoshmërisht të konsiderohet alkoolist.

Ndryshe qëndron problemi me kontigjentin e të rinjve. Në këto mosha, episodet e para të konsumit të sasive të mëdha të alkoolit duhet të vlerësohen seriozisht, pasi mund të reflektojnë çrregullime të rëndësishme të zhvillimit të personalitetit të tyre. 

Konsumimi kronik i alkoolit çon në mënyrë të pashmangshme në zhvillimin e varësisë ndaj tij
Konsumimi kronik i alkoolit çon në mënyrë të pashmangshme në zhvillimin e varësisë ndaj tij

Në parim, alkooli me doza të mëdha ndikon në mënyrë negative mbi çdo qelizë të trupit, sepse dehidraton (i varfëron nga lëngjet) qelizat, duke shkaktuar dëmtime tepër të rënda të tyre. Më poshtë paraqiten të detajuara këto dëmtime në organe dhe sisteme të ndryshme të trupit:

Truri

Pas çdo episodi të konsumit të alkoolit, një numër i madh i qelizave të trurit vdesin. Për pasojë, konsumi i vazhdueshëm i tij shkakton atrofi progresive të trurit. Për një periudhë të gjatë kohore, kjo atrofi (zvogëlim) e trurit nuk reflektohet në aftësitë intelektuale të personit përkatës, pasi truri disponon mbi 100 miliardë qeliza nervore.

Kështu, funksioni i qelizave të shkatërruara kompensohet nga qelizat rezervë, të cilat ndërkohë pakësohen sistematikisht gjatë episodeve të konsumit të alkoolit. Dëmtimet e trurit të shkaktuara nga alkooli janë më të shpeshtat dhe më të rëndat  në të gjithë organizmin. Ato duhet të vlerësohen më seriozisht se dëmtimet e organeve të tjera, përfshirë këtu edhe ato të mëlçisë.

Mukoza e gojës, laringut dhe ezofagut

Edhe konsumi i një litre birre në ditë rrit rrezikun e shfaqjes së kancerit të mukozës së gojës, laringut dhe ezofagut, veçanërisht në personat që janë edhe duhanpirës.

Sistemi kardio-vaskular (i zemrës dhe enëve të gjakut)

Ndryshe nga mendësia e shumë njerëzve, që konsumi i alkoolit pakëson rrezikun e infarktit të miokardit, shumë studime kanë treguar që konsumi i alkoolit, qoftë edhe në sasi të vogla, shkakton rritje të tensionit arterial. Hipertensioni arterial përbën një faktor të rëndësishëm të rrezikut për aksidentet cerebrale (hemorragjitë në tru dhe trombozat në tru) dhe infarktin e miokardit. Gjithashtu, ai shkakton rritje të yndyrnave në gjak, veçanërisht të fraksionit të triglicerideve, dhe, meqenëse përmban shumë kalori, nxit shtimin në peshë. Për të gjitha këto arsye, alkooli konsiderohet një faktor i rëndësishëm i rrezikut për ndërlikimet kardio-vaskulare.

Stomaku

Dëmtimet e mukozës së stomakut shfaqen tek konsumatorët e rregullt të alkoolit dhe tek ata me varësi prej tij. Ato manifestohen me dhimbje në zonën e stomakut dhe të përziera. hemorragjitë e vogla në mukozën e stomakut mund të shkaktojnë të vjella me ngjyrë kafe, ose edhe të vjella me gjak të pastër në rastin e inflamacionit në pjesën e sipërme të stomakut. Në këtë kontigjent janë të shpeshta edhe ulçerat gastrike, veçanërisht në rastet e ekspozuara njëkohësisht ndaj alkoolit dhe stresit. Këtë rrezik e rrit akoma më tepër përdorimi i antialgjikëve (medikamenteve që qetësojnë dhimbjet), si në rastin e aspirinës.

Pankreasi

Ndërlikimet në pankreas, të shkaktuara nga konsumi për një kohë të gjatë i alkoolit, janë: inflamacioni i pankreasit (pankreatiti), çrregullimet e proçesit të prodhimit të insulinës në të (që shkakton shfaqjen e diabetit), dhe rreziku për kancer të pankreasit.

Mëlçia

Mëlçia konsiderohet si laboratori kimik i organizmit. Funksioni i saj konsiston në zbërthimin e produkteve dhe substancave helmuese, të cilat nxirren nga organizmi nëpërmjet veshkave. Tek alkoolistët dëmtimet e mëlçisë manifestohen në tri stade:

  • Stadi 1:  Steatoza e mëlçisë
    Meqenëse jo të gjitha yndyrnat e tepërta që prodhohen nga zbërthimi i alkoolit mund të nxirren jashtë organizmit, ato depozitohen në brendësi të qelizave të mëlçisë. Për pasojë vëllimi i mëlçisë rritet, madje edhe mund të dyfishohet. Në përgjithësi ky stad kalon pa u vënë re për një kohë të gjatë, pasi mëlçia nuk është e ndjeshme ndaj dhimbjes. Ky zmadhim i saj mund të konstatohet vetëm nëse matet GGT -ja, e cila rezulton e lartë (vlera normale 8-28, vlera anormale nga 30 deri në 100-200 dhe më tepër) dhe nëpërmjet palpacionit të mëlçisë (egzaminimit nëpërmjet prekjes) nga mjeku. Është mjaft e rëndësishme të theksohet që steatoza e mëlçisë mund të zhduket në rast se ndërpritet konsumi i alkoolit.  
  • Stadi 2:  Hepatiti
    Manifestohet me pak simptoma, që mund të arrijnë deri në stadin e insuficiencës hepatike akute, e cila mund të rrezikojë jetën e pacientit. Ajo shkaktohet nga një lëndë që çlirohet gjatë zbërthimit të alkoolit nga qelizat e mëlçisë, e quajtur acetaldehid. Për pasojë, qelizat e mëlçisë nekrotizohen, proçes ky që reflektohet me rritjen e nivelit të enzimave të mëlçisë, veçanërisht të transaminazave (SGOT dhe SGPT). Në këtë stad, në rast se ndërpritet konsumi i alkoolit, dëmtimet nuk përparojnë më, por shërimi i plotë nuk është më i mundur.
  • Stadi 3:  Cirroza hepatike
    Në rast se pacienti me steatozë të mëlçisë vazhdon të konsumojë alkool, inflamacioni përparon në stadin e cirrozës së saj. Gjatë këtij proçesi, qelizat e mëlçisë vdesin në masë dhe zëvendësohen nga ind fibrotik, që shkakton zvogëlimin e mëlçisë. Pasoja të tjera të këtij proçesi janë: variçet e ezofagut me hemorragji shoqëruese në rastin e çarjeve të tyre, zhvillimi i hipertensionit portal (në nivelin e venës porta në mëlçi) me formimin e ascitit (grumbullimit të ujit në bark), vetëhelmimi i gjakut nga grumbullimi i amoniakut në të, dhe vdekja e dhimbshme.  

 


Nervat

Alkooli, përveçse është një substancë helmuese për qelizat e organizmit në përgjithësi, dëmton direkt qelizat nervore. Tek alkoolistët, për shkak edhe të mangësisë në kompleksin e vitaminave B, shpesh shfaqen edhe dëmtime të fijeve nervore që përçojnë ngacmimet. Këto dëmtime pasqyrohen me: dhimbje të këmbëve dhe të krahëve, ngërçe muskulare, ndjesia e shpimit në gjymtyrë, humbje e ndjeshmërisë në lëkurë, pasiguri gjatë ecjes dhe paraliza. Në rastin e ndërprerjes së alkoolit, këto dëmtime mund të riparohen pas disa muajsh. Trajtimi i vetëm i rekomanduar në këto raste është marrja e preparateve me bazë vitaminën B.

Dëmtime të tjera

Organet e tjera që mund të dëmtohen në rastin e alkoolizmit janë: mushkëritë, zorrët, lëkura, kockat dhe kyçet.

 

Abstenimi është alternativa e vetme e trajtimit të varësisë nga alkooli.
Abstenimi është alternativa e vetme e trajtimit të varësisë nga alkooli.

Trajtimi duhet të përshtatet në mënyrë individuale për çdo pacient. Ai bazohet në një model që zhvillohet në disa faza:

1. Faza e kontaktit

Pacienti që kërkon ndihmë, drejtohet fillimisht tek mjeku i tij i familjes ose në një qendër këshillimi. Në këtë moment janë mjaft të rëndësishme motivimi dhe perceptimi i tij mbi situatën. Specialistët që do të merren me ndjekjen e rastit duhet të vendosin nëse trajtimi i tij do të kryhet në kushte shtëpie apo spitali, gjithnjë duke patur parasysh manifestimet e shkëputjes nga alkooli që do të jenë të pranishme gjatë trajtimit të tij.  

2. Faza e dezintoksikimit (pastrimit të trupit nga alkooli)

Në rastin e varësisë psiqike, dezintoksikimi duhet të kryhet nën mbikqyrjen strikte të mjekut, përgjithësisht në spital, për rreth 10 ditë. Shpesh është i nevojshëm edhe një trajtim medikamentoz përforcues, i cili duhet të vazhdojë gjatë muajve të parë, në mënyrë që të evitohet rikthimi tek alkooli. Kjo për faktin se rreth 50% e pacientëve i rikthehen alkoolit brenda 3 muajve të parë nga momenti i paraqitjes për ndihmë tek specialisti. Në këtë drejtim, acamprozati është mjaft i efektshëm në shtypjen e dëshirës për të konsumuar alkool.

3. Faza e shkëputjes (tërheqjes)

Faza e shkëputjes, në shtëpi ose në spital, përfshin ergoterapinë dhe integrimin shoqëror të pacientit. Ndihma e psikologut është thelbësore në mosrikthimin tek alkooli, nëpërmjet terapive individuale ose në grup. Në këtë drejtim është e nevojshme edhe përfshirja e familjarëve të personit nën terapi, pasi ndikimi i tyre është mjaft i rëndësishëm në mënyrën e tij të jetesës.
Gjithashtu, duhet të evidentohen dhe trajtohen problemet kryesore që kanë ndikuar në shfaqjen e alkoolizmit, që mund të kërkojnë një kohë të gjatë, madje edhe disa vite.

4. Faza e rehabilitimit

Pas fazës së shkëputjes, është e pritshme një gjendje e qëndrueshme. Pacienti tashmë është i bindur që është shkëputur nga alkooli, por rreziku i rikthimit tek vesi i vjetër është i konsiderueshëm, veçanërisht në situata të ngarkuara me stres. Për këtë arsye, këto persona duhet të ndërgjegjësohen për problemet që mund të shfaqen gjatë jetës dhe për mënyrat e shëndetshme të zgjidhjes së tyre.
Në popullatën e përgjithshme, shpesh konsiderohet i mjaftueshëm vëtëm një cikël trajtimi. Përvoja të ndryshme shkencore kanë dhënë rezultate kontradiktore, por përgjithësisht positive. Pas rreth 6 muajsh nga përfundimi i të gjitha fazave të mësipërme, rreth 65% e personave rezultojnë “të pastër”, pra nuk i janë rikthyer konsumit të tij. Ndërkohë që rreth 50-60% e tyre vazhdojnë të jenë të tillë edhe pas një viti e gjysëm. 

Alkooli nuk dëmton vetëm mëlçinë.
Alkooli nuk dëmton vetëm mëlçinë.
Delirium tremens

Në rastin e ndërprerjes së menjëhershme të konsumit të alkoolit, si psh. gjatë shtrimit në spital për shkak të një aksidenti, pas 2-6 ditësh mund të shfaqen shenjat e çrregullimit të funksionit të trurit. Delirium tremens është pikërisht një manifestim specifik i kësaj situate, pra i sindromës së shkëputjes. Ai karakterizohet nga haluçinacione (iluzione, vegime pamore ose dëgjimore), axhitim, dridhje muskulare, mungesë e orientimit dhe rrezik për gjendjen e kolapsit kardio-vaskular (dobësi e theksuar trupore, me rënie të madhe të tensionit). Në rreth 20% të rasteve të tilla, pacienti vdes.

Konvulsionet

Janë të dridhura të forta, që përfshijnë të gjithë trupin, që ngjajnë me një krizë të vërtetë epilepsie. Ato shfaqen në rastet që ndërpresin në mënyrë të menjëhershme konsumin e alkoolit, që i takon rreth 20-30% të vartësve të alkoolit në përgjithësi. Këto konvulsione mund të shfaqen të izoluara ose të shoqëruara me gjendjen e delirit (përçartjes). Ato mund të shfaqen edhe kur pacienti vazhdon të konsumojë alkool. Në këto raste, pas shfaqjes së krizës së pare, zakonisht të dobët dhe të përballueshme, kriza e radhës është mjaft e fortë. Në secilën nga këto kriza vdes një numër i madh qelizash të trurit.

Sindroma e Korsakovit

Përfaqëson dëmtimin më të rëndë të trurit të shkaktuar nga alkooli. Ajo mban emrin e psikiatrit rus Sergei Korsakov, që e ka përshkruar atë për herë të parë në vitin 1854. Në këtë rast, pacienti paraqet çrregullime të rënda të lidhura me kujtesën dhe orientimin në kohë dhe në hapësirë, për shkak të nekrozave qelizore të shkaktuara në zonat e trurit që përgjigjen për këto proçese. Në raste ekstreme të kësaj sindrome mund të arrihet deri në amnezi (humbje e plotë e kujtesës), ku personi nuk e bën dot dallimin ndërmjet “dje” dhe “sot”. Ai nuk e di më se cili është, nuk njeh më personat që e rrethojnë. Kjo gjendje është përgjithësisht e parikthyeshme, edhe në rast se ndërpritet totalisht alkooli. Pjesa më e madhe e pacientëve që shfaqin sindromën e Korsakovit izolohen në shërbime psikiatrike të posaçme. Kur një alkoolist nuk e ndalon konsumin e alkoolit në kohën e duhur, apo nuk vdes më parë për arsye të ndryshme të lidhura ose jo me alkoolin, ai shkon në mënyrë të paevitueshme drejt shfaqjes së sindromës Korsakov.

Rikthimet e shpeshta

Faza e tërheqjes zgjat zakonisht nga disa javë deri në disa muaj. Gjatë kësaj faze pacienti mëson se si mund të jetojë pa alkool, nën mbikqyrjen e specialistëve të qendrave të këshillimit.
Gjatë kësaj faze është marrë në konsideratë paraprakisht edhe rikthimi i mundshëm tek alkooli. Ashtu si edhe në rastin e varësive të tjera (nga droga), edhe vartësit nga alkooli nuk mund të shkëputen plotësisht menjëherë. Rikthimet tek vesi i mëparshëm janë veçanërisht të shpeshta në rastet që trajtohen në kushtet e shtëpisë. Kjo është arsyeja pse insistohet që të tilla trajtime të realizohen në kushte spitalore, për një periudhë nga 3-12 muaj.
Trajtimi i alkoolizmit nuk konsiston vetëm në strategjinë e shkëputjes prej tij. Krahas kësaj janë të nevojshme edhe: këshillimi individual ose terapia në grup nga psikoterapisti, terapia në çift ose terapia në familje,  ergoterapia (trajtimi i sëmundjes nëpërmjet punës ose aktivitetit fizik). Këto mënyra e ndihmojnë pacientin për të kapërcyer në mënyrë të shëndetshme problemet e tij personale dhe shoqërore, që e kanë shtyrë në rrugën e alkoolit. 

Terapia në grupet mbështetëse për varësinë nga alkooli.
Terapia në grupet mbështetëse për varësinë nga alkooli.

Grupet e mbështetjes, si p.sh, alkoolistët anonimë, përfaqësojnë një mënyrë trajtimi mjaft origjinale dhe të shëndetshme, të bazuar në përvojën individuale të vetë alkoolistëve. Shkëputja e përhershme nga alkooli sigurohet vetëm nëpërmjet diskutimit dhe shkëmbimit të përvojës personale me atë të anëtarëve të tjerë të grupit.

Në këtë këndvështrim, pacienti e dëshiron me të vërtetë të çlirohet nga marrëdhënia me alkoolin, por rastet e përballjes me të janë të shumta në jetën e tij të përditshme. Pra, tundimi per ta konsumuar atë është i madh. Përveç kësaj, studimet tregojnë se, nëse një person ka qenë dikur vartës i alkoolit, ai nuk do të jetë asnjëherë në gjendje të kontrollojë plotësisht konsumin e tij.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.

Përdoruesit kanë vizituar po ashtu...