Koronaropatia (Sëmundja e arterieve koronare, Sëmundja koronare e zemrës)
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Kjo sëmundje prek arteriet koronare, që furnizojnë muskulin e zemrës (miokardin) me oksigjen dhe që konsiderohen si hallka më e rëndësishme e sistemit të qarkullimit të gjakut.
Depozitimet e yndyrnave, kalcifikimeve dhe indit fibroz në nivelin e arterieve koronare shkaktojnë ngushtim të tyre, gjë që pengon rrjedhjen normale të gjakut. Për pasojë, furnizimi i miokardit me oksigjen dhe lëndë ushqimore bëhet në sasi të pamjaftueshme, duke çuar në shfaqjen e simptomave të tilla si: dhimbja prapa kafazit të kraharorit dhe ndjenja e shtypjes në këtë nivel (angina e gjoksit). Kjo situatë mund të përparojë deri në gjendjen e infarktit të miokardit ose vdekjen e menjëhershme të pacientit.
Në formimin e pllakave në nivelin e arterieve koronare ndikojnë shumë faktorë, por ata jo domosdoshmërisht shkaktojnë sëmundjen e arterieve koronare. Kjo e fundit ndodh vetëm në rast se veprojnë njëkohësisht disa faktorë të rrezikut.
Faktorët e rrezikut "të ndikueshëm", që ndikojnë në zhvillimin e sëmundjes së arterieve koronare:
- Hipertensioni arterial (presioni i lartë i gjakut)
- Niveli i lartë i kolesterolit në gjak
- Duhanpirja
- Niveli i lartë i sheqerit në gjak (diabeti i sheqerit)
- Mbipesha trupore
- Stresi
- Jeta sedentare
Faktorët e rrezikut "të pandikueshëm", që ndikojnë në zhvillimin e sëmundjes së arterieve koronare:
- Mosha
- Trashëgimia familjare
- Gjinia (femrat janë më të mbrojtura përpara menopauzës, prej estrogjenit)

Simptoma më karakteristike e sëmundjes së arterieve koronare është dhimbja anginoze, e quajtur angina e gjoksit, që fillimisht shfaqet gjatë sforcimeve fizike të rëndësishme.
Me kalimin e kohës, meqenëse semundja përparon, dhimbja dhe ndjesia e shtypjes shfaqen edhe gjatë sforcimeve të lehta (si psh. ngjitja e shkallëve, përkuljes përpara,etj.). Pacienti në këtë stad ndjen vështirësi në frymëmarrje dhe dhimbje që përhapet shpesh drejt nofullave, krahut të majtë dhe pjesës së sipërme të barkut.

Për të vendosur diagnozën e koronaropatisë, mjeku kardiolog ka nevojë për këto egzaminime:
- Njohja e tij me simptomat e pacientit dhe historinë e tij familjare në lidhje me praninë e sëmundjes koronare.
- Elektrokardiograma ne gjendje qetësie
- Elektrokardiograma në kushte sforcimi
- Holteri i ritmit (pacientit i vendoset një aparat portativ, që mundëson monitorimin e EKG-s gjatë 24-48 orëve)
- Ekografia e zemrës
- Shintigrafia e zemrës, kateterizimi i zemrës nëpërmjet injektimit të lëndës së kontrastit, që i bën më të dallueshme enët e gjakut dhe muskulin e zemrës.

Hapi i parë i trajtimit të koronaropatisë konsiston në eleminimin e faktorëve të rrezikut, veçanërisht stabilizimin e hipertensionit arterial, rënien në peshë, ndërprerjen e duhanit dhe stabilizimin e nivelit të sheqerit në gjak. Për të përmirësuar shkallën e furnizimit me oksigjen të miokardit, dhe për të parandaluar kështu shfaqjen e infarktit të miokardit, mund të përdoren medikamente specifike, që kanë efekt zgjerues (lëshues) të enëve koronare (si nitroglicerina -trinitrina, në formën e tabletës që mbahet nën gjuhë, të sprait ose të kremit që aplikohet mbi lëkurë në zonën e zemrës).
Në rastet kur përdorimi i medikamenteve është i pamjaftueshëm, mund të jetë e nevojshme kryerja e ndërhyrjes kirurgjikale, që konsiston në zgjerimin e segmentit të ngushtuar me ndihmën e një kateteri me balonë, ose realizimin e një baipasi për të evituar kalimin e gjakut në enën e bllokuar.
Nëse nuk trajtohet në mënyrë korrekte, pjesa e muskulit të zemrës që nuk furnizohet me gjak, nekrotizohet dhe vdes (nuk funksionon më). Për pasojë, shfaqet infarkti i miokardit, që mund të shkaktojë vdekjen e pacientit.