Alergjia nga medikamentet
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Alergjia medikamentoze karakterizohet nga një reaksion i tipit alergjik në lëkurë, që ndodh pas marrjes së një ose disa medikamenteve. Alergjitë medikamentoze përfaqësojnë në vetvete disa gjendje të karakterizuara nga mungesa e tolerancës nga ana e organizmit për medikamente të veçanta.
Në varësi të mekanizmit shkaktues, këto reaksione kanë karakteristika të ndryshme. Kështu, dallohen reaksionet e tipit të menjëhershëm dhe ato të tipit të vonuar. Gjithashtu, dallohen reaksionet imunologjike që ndërmjetësohen nga antitrupat (Imuniteti humoral) dhe ato që përfshijnë imunitetin qelizor. Për shkak të numrit të madh të tipeve të reaksioneve, alergjitë medikamentoze mund të shfaqen me veçori dhe intensitet mjaft të ndryshëm.
Medikamentet më shpesh të konstatuara si shkaktare të reaksioneve alergjike janë antialgjikët (që përdoren kundër dhimbjeve), antibiotikët (penicilina, sulfamidet), hormonet e tiroides dhe më rrallë imunoglobulinat.
Alergjia nga medikamentet karakterizohet nga:
- Puçrrat në lëkurë, me ngjyrë të kuqe, të quajtura ekzantema.
- Të kruajtura në zonën e krahëve dhe këmbëve, që mund të përhapen në të gjithë trupin.
- Enjtje e mukozës (pjesës së brendshme) të gojës dhe laringut
- Të vjella
- Diarre
- Më rrallë, temperaturë dhe çrregullime të gjendjes së përgjithshme.
Në veçanti tek fëmijët, të kruajturat e shprehura dhe puçrrat e madhësive të ndryshme mund të ngatërrohen me fruthin ose rubeolën.
Mos harroni: prania e elementeve të mësipërme në lëkurë nuk është specifike vetëm për këtë tip alergjie; vetëm nëse ato shfaqen pas marrjes së një ose më shumë medikamenteve, mund të dyshohet për një alergji medikamentoze.

Për të diagnostikuar një alergji të shkaktuar nga medikamentet, janë të nevojshme:
- Informimi i mjekut specialist alergolog mbi historinë e detajuar të sëmundjes, ushqimet e konsumuara ose medikamentet e marra, si dhe orën e saktë të marrjes së tyre.
- Reaksionet në lëkurë me origjinë të papërcaktuar kanë nevojë për një konsultim mjekësor.

Në rast dyshimi për alergji medikamentoze, mjeku duhet të rekomandojë ndërprerjen e marrjes së medikamentit përkatës dhe të përshkruajë një mënyrë trajtimi. Në rastin e ndjesisë së kruajtjes, mund të jetë i nevojshëm përdorimi i pomadave qetësuese dhe dhënia e medikamenteve antialergjike.
Si ndërlikime të mundshme të alergjisë nga medikamentet mund të përmenden reaksionet shumë të rënda në lëkurë, ose edhe në organe të tjera. Kështu, mund të preken konjuktivat e syve, mukoza vaginale, mukoza e fshikëzës së urinës, mukoza e pjesës fundore të zorrës së trashë (rektumit), si edhe mukoza e gojës.
Në një stad më të avancuar, elementet e shfaqura në zonat e mësipërme mund të përhapen edhe në pjesë të tjera të trupit. Gjithashtu, mund të shfaqet temperaturë e lartë dhe çrregullim i gjendjes së përgjithshme. Në këto raste duhet kontaktuar menjëherë mjeku specialist.
Parandalimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm në të gjitha situatat e urgjencës, kur pacientët vetë nuk janë në gjendje të informojnë personelin mjekësor rreth problemit të tyre.
Në të gjitha rastet, pacientët që kanë patur episode me elemente alergjike në lëkurë, ose me reaksione të tjera alergjike medikamentoze, duhet të konsultohen me mjekun alergolog që i ndjek, sa herë që duhet të marrin një medikament të ri, për çfarëdolloj sëmundjeje. Për të gjithë personat alergjikë ndaj medikamenteve të caktuara, rekomandohet të jenë të pajisur me një kartë, ku të shkruhen qartë emrat e medikamenteve ndaj të cilave janë alergjikë.
Kjo kartë duhet mbajtur gjithnjë me vete!