Pielonefriti
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Sistemi urinar përfaqëson një sistem organesh që prodhojnë, depozitojnë dhe eleminojnë urinën. Ai përbëhet nga dy veshkat, dy ureterët (që transportojnë urinën nga veshkat për në fshikëzën e urinës), fshikëza e urinës dhe uretra (që nxjerr urinën jashtë). Sistemi urinar i femrës është tepër i ngjashëm me atë të mashkullit. I vetmi dallim qëndron tek gjatësia e uretrës, e cila tek meshkujt është 20 cm e gjatë, ndërsa tek femrat vetëm 3-4 cm e gjatë.
Pielonefriti është një infeksion bakterial i rrugëve urinare, me prekje të parenkimës së veshkës, pra të pjesës funksionale të saj. Ai shkaktohet përgjithësisht nga infeksionet bakteriale të rrugëve të poshtme urinare, të cilat ngjiten fillimisht nga uretra në fshikëzën e urinës, më pas në ureter, duke arritur deri në veshka.
Më rrallë, transmetimi i infeksionit bëhet nëpërmjet gjakut. Njihen dy forma të pielonefritit: forma akute dhe ajo kronike. Femrat preken më shpesh se meshkujt nga kjo sëmundje, për shkak të mundësisë më të madhe për të marrë infeksione nga rrugët e poshtme gjenitale (uretra më e shkurtër).
Përgjithësisht, për shfaqjen e infeksionit në veshka (pielonefritit) janë përgjegjëse bakteriet Esheria koli. Por në origjinën e kësaj sëmundjeje mund të jenë edhe enterokokët, stafilokokët, proteusi ose klebsiela.
Faktorët favorizues të pielonefritit janë:
- Sindromat e pengesave në rrugët urinare, të tilla si gurët në veshka, zmadhimi i prostatës, tumoret, shtatzania, etj.
- Sëmundjet metabolike, të shoqëruara me ndjeshmëri të lartë ndaj infeksioneve (si psh. diabeti i sheqerit).
- Keqformimet e rrugëve urinare.
- Ngjitja e urinës nga fshikëza e urinës në ureter (refluksi veziko- ureteral).
- Vendosja e kateterëve në fshikëzën e urinës, që favorizon shfaqjen e infeksioneve në rrugët urinare.
- Dobësimi i sistemit imunitar.

Simptomat e infeksionit në veshka (pielonefritit) janë të ndryshme, në varësi të formës së tij klinike, akute apo kronike.
Pielonefriti akut shkakton simptomat e mëposhtme:
- Dobësi e përgjithshme trupore
- Temperaturë e lartë dhe ethe
- Dhimbje në nivelin e belit dhe të shpinës
- Urinime të shpeshta dhe të dhimbshme
Në rastin e pielonefritit kronik, simptomat janë të lehta, më pak karakteristike, dhe instalohen në mënyrë progresive. Ato janë:
- Lodhje trupore
- Dhimbje e barkut
- Dhimbje e kokës
- Të përziera
- Dhimbje e lehtë në shpinë
- Gjatë ecurisë së tij, mund të konstatohet edhe rritje e tesionit arterial dhe anemi.

Diagnoza e infeksionit në veshka (pielonefritit) vendoset nga mjeku specialist nefrolog, duke u bazuar në:
- Simptomat e pacientit
- Historinë e sëmundjes
- Analizën e thjeshtë të urinës dhe mbjelljen e saj (urokultura).
- Analizat e gjakut
- Ekografinë dhe radiografinë e rrugëve urinare, që mundësojnë evidentimin e pengesave të mundshme, si gurët në veshka, ngushtimet e rrugëve urinare ose refluksi veziko-ureteral.

Në pjesën më të madhe të rasteve, infeksioni akut i veshkës (pielonefriti akut) shërohet pas vendosjes së trajtimit të përshtatshëm. Pielonefriti kronik zhvillohet për disa vite dhe ka nevojë për kontrolle të rregullta tek mjeku specialist nefrolog. Në rastet e episodeve të krizave akute të dhimbjes, edhe kjo formë ka nevojë për trajtim specifik mjekësor.
Masat e përgjithshme
- Regjimi në shtrat
- Pirja e sasive të mëdha të lëngjeve
Medikamentet
- Antibiotikët për të luftuar infeksionin bakterial
- Në rastet e nevojshme, liruesit e tkurrjeve muskulare të pavullnetshme (spazmolitikët) dhe qetësuesit e dhimbjeve (analgjezikët).
Operacionet
Ndërhyrja kirurgjikale mund të jetë e nevojshme në rastin e prostatës së zmadhuar dhe keqformimeve të lindura tek fëmijët. Ajo konsiston në eleminimin e pengesave në rrugët urinare, në mënyrë që të sigurohet kalueshmëria e urinës në to.
Nëse infeksioni në veshkave nuk trajtohet, ose trajtohet në mënyrë të papërshtatshme, egziston rreziku i formimit të abcesit në veshka, që mund të çojë në prishje të funksionit të tyre (insuficiencë renale). Në raste më të rënda, bakteriet mund të shkaktojnë gjendjen e septicemisë (infeksion në gjak), që rrezikon jetën e pacientit.