Pankreatiti (Inflamacioni i pankreasit)
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Pankreasi është një gjendër me funksion të dyfishtë, endokrin dhe ekzokrin, që gjendet në pjesën e sipërme të zgavrës së barkut, mbi nivelin e kërthizës, pothuajse në lartësinë e veshkave, pranë kthesës së duodenit (zorrës së hollë). Funksioni endokrin i tij konsiston në prodhimin e hormoneve të rëndësishme për metabolizmin e sheqerit në organizëm, si insulina dhe glukagoni.
Ndërsa funksioni ekzokrin i pankreasit konsiston në prodhimin prej tij të disa enzimave tretëse, specifike për tipe të caktuara ushqimesh (për yndyrnat- lipaza, për sheqernat - amilaza, për proteinat- proteaza), të cilat e ushtrojnë efektin e tyre në duoden.
Pankreatiti përfaqëson inflamacionin e pankreasit, që shkaktohet si rezultat i aktivizimit të enzimave tretëse të tij pikërisht në vendin e prodhimit të tyre, pra në pankreas dhe jo në duoden.
Njihen dy forma të pankreatitit:
- Pankreatiti akut
- Pankreatiti kronik
Për shkak të funksioneve mjaft të rëndësishme të pjesës endokrine dhe asaj ekzokrine të pankreasit, inflamimi i tij shkakton çrregulime të rëndësishme të tretjes së ushqimeve në përgjithësi dhe të metabolizmit të sheqerit në veçanti.

Shkaqet e pankreatitit akut janë:
- Pengesat nga gurët e tëmthit
- Konsumi i sasive të mëdha të alkoolit
- Pankreatiti pas operacioneve ose traumave (aksidente ose goditje)
- Kolangio-pankreatografia retrograde endoskopike e kryer paraprakisht
- Funksioni i shtuar i gjendrës tiroide (hipertireoza)
Shkaqet e pankreatitit kronik:
- Konsumi i sasive të mëdha të alkoolit
- Ngushtimi i kanalit pankreatik
- Prania e gurëve në pankreas, që pengojnë rrjedhjen e lëngut pankreatik

Një pankreatit provokon:
- Dhimbje të forta të barkut, që kanë tendencë të shfaqen në mënyrë të menjëhershme, në formë brezi, shpesh me përhapje në shpinë ose në shpatulla.
- Të përzierat, të vjellat
- Fryrje të barkut
- Feçe (jashtëqitje) të yndyrshme
- Diarre (jo gjithmonë)
- Skuqje e fytyrës
- Temperaturë
- Rënie në peshë
Pankreatiti akut karakterizohet nga:
Simptomat:
- Dhimbje të forta të barkut, që fillojnë në mënyrë të menjëhershme dhe përhapen në formën e brezit.
- Pankreatitet akute të rënda mund të provokojnë gjendjen e shokut, të shoqëruar me shenjat e mëposhtme:
- Fytyrë e zbehtë
- Djersë të ftohta
- Rënie e tensionit arterial
- Rrahje të shpeshta të zemrës
- Vështirësi në frymëmarrje
Morfologjia:
- Edemë inflamatore (grumbullim i ujit) në pankreas
- Grumbullim i ujit në zonën e barkut (asciti)
- Nekroza (vdekja) qelizore
Pankreatiti kronik karakterizohet nga:
Simptomat:
- Dhimbje të shpeshta të barkut, që përhapen në shpinë.
Morfologjia:
- Kalcifikimet (ngurtësimet)
- Zgjerimet dhe ngushtimet e kanalit pankreatik (që mundëson derdhjen e enzimave të pankreasit në duoden)
- Ndryshimi i strukturës së pankreasit prej cikatriceve
- Fibroza
Stadi i avancuar karakterizohet nga:
- Zvogëlimi i pankreasit
- Humbja e funksionit të tij

Diagnoza e pankreatitit përcaktohet nga mjeku specialist gastro-hepatolog, duke u bazuar tek:
- Njohja e tij me historinë e sëmundjes dhe simptomat që paraqet pacienti.
- Formula e gjakut (leukocitet - rruazat e bardha të gjakut), dozimi i enzimave pankreatike (amilaza, lipaza), enzimat e mëlçisë (ALT, AST, GGT), niveli i sheqerit në gjak (glicemia), niveli i mpiksjes së gjakut.
- Ekografia e barkut
- Radiografia e barkut
- Skaneri i barkut (Tomodensitometria abdominale) për të evidentuar nekrozat, kalcifikimet apo zmadhimin e pankreasit.
Egzaminime shtesë (jo të detyrueshme):
- Kolangio-pankreatografia retrograde endoskopike: mundëson eksplorimin e kanalit të tëmthit dhe atij pankreatik, në brendësi të tyre. Ajo realizohet me ndihmën e një sonde (tubi) të lëvizshme, që kalon në stomak dhe në zorrën e hollë. Në nivelin e kësaj të fundit, pikërisht në vrimën e kanalit të tëmthit dhe të atij të pankreasit, futet lënda e kontrastit, që i bën të dukshme kanalet. Pas realizimit të radiografive në këto nivele, mund të evidentohen pengesta e ndryshme në rrjedhjen e tëmthit dhe lëngut pankreatik, që reflektohen me ndërprerje të rrjedhjes në to.
- Ezofagogastroduodenoskopia: është egzaminim endoskopik i ezofagut, stomakut dhe duodenit, që mundëson eksplorimin e tyre në brendësi, duke përjashtuar ulçerën e stomakut ose të duodenit.
Në rastin e pankreatitit kronik:
- Vlerësimi i funksionit të pankreasit
- Radiografia e stomakut dhe zorrës së hollë me lëndë kontrasti, për të përjashtuar një ngushtim në nivelin e pilorit (pjesës fundore të stomakut)
- Kolangio-pankreatografia retrograde endoskopike
- Skaneri i barkut (sipas mundësive)
- Endosonografia, për përjashtimin e pranisë së një kanceri
- Analizat e feçeve (jashtëqitjeve), për përcaktimin e elastazës pankreatike 1 në to.

Në rastin e pankreatitit akut, pacienti duhet të shtrohet menjëherë në spital. Trajtimi në këto raste konsiston përgjithësisht në qetësimin e dhimbjeve dhe menaxhimin e ndërlikimeve si gjendja e shokut, infeksionet dhe ndërlikimet e rënda lokale (nekrozat) e shkaktuara nga çlirimi i enzimave tretëse.
Në rast se masat e mësipërme nuk japin rezultat, është e paevitueshme ndërhyrja kirurgjikale. Ajo konsiston më shpesh në heqjen e një pjese të pankreasit, nëpërmjet një prerjeje në nivelin e pjesës së mesme të barkut. Pas kësaj ndërhyrjeje, që është relativisht e rëndësishme, pacienti duhet të mbahet në repartin e terapisë intensive (reanimacion).
Në rastin e heqjes së plotë të pankreasit, pacienti nuk mund të prodhojë më as enzima të tretjes, as insulinë. Për pasojë, pacienti duhet të marrë nga jashtë suplemente të enzimave të tretjes në çdo vakt, si dhe të rregullojë nievlin e tij të sheqerit me injeksione të insulinës. Pacienti këshillohet nga dietologu i spitalit, lidhur me mënyrën e ushqyerjes së tij në të ardhmen dhe për çdo paqartësi në këtë drejtim.