Trauma nga hedhja
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Bëhet fjalë për një dëmtim të pjesës cervikale (zonës së qafës) të shtyllës kurrizore, që mund të prekë si kockën, ashtu edhe indet e buta.
Shpesh, këto tipe traumash janë pasoja të aksidenteve, gjatë të cilave pjesa e qafës e shtyllës kurrizore mund të dëmtohet nga një goditje që vjen nga pas dhe/ose nga një refleks i tepruar i mbrojtjes, siç ndodh zakonisht gjatë aksidenteve me makinë.
Menjëherë pas aksidentit simptomat mund të jenë të parëndësishme, ose të mos egzistojnë fare. Megjithatë, është e rëndësishme që pas çdo aksidenti, personi i aksidentuar të konsultohet me një mjek.
Përkulja ose shtrirja e papritur e pjesës së qafës të shtyllës kurrizore mund të ndodhë gjatë situatave të tilla, si:
- Aksidentet me makinë
- Zhytjet në ujë
- Boksi
- Aktivitetet sportive, si karate, xhudo, mundje, etj.
- Motorçikletat e vogla (skuter)
Simptomat shfaqen shpesh nga disa orë deri në disa ditë pas aksidentit.
Zakonisht, periudhat me shqetësime alternohen me periudha të qeta, pa asnjë shqetësim. Në rastin e traumave të lehta, simptomat mund të përmirësohen pas disa javësh. Megjithatë, tek disa persona, simptomat mund të vazhdojnë më gjatë, madje edhe të përkeqësohen. Përgjithësisht, ato janë të tipit:
- Dhimbje e qafës
- Dhimbje e kokës
- Kontraktura të muskujve të qafës
Simptoma të tjera shoqëruese mund të jenë:
- Çrregullimet e shikimit
- Marrje mendsh
- Zhurmë në vesh
- Çrregullime të ndjeshmërisë (ndjesia e paralizës) ose dhimbje në fytyrë ose në shpatulla.
- Dobësi muskularë në krahë
- Ndjenja e paqëndrueshmërisë
- Çrregullime të të folurit
- Çrregullime të shijes
- Çrregullime të gjumit
- Pas një aksidenti ose pas një shëmbjeje të pjesës së qafës të shtyllës kurrizore, me shfaqjen shoqëruese të simptomave të mësipërme, i aksidentuari duhet të konsultohet menjëherë nga një mjek.
Situata e urgjencës
Në rast se i aksidentuari paraqet të përziera, të vjella ose humbje të ndërgjegjes, duhet të njoftohet menjëherë një mjek ose të telefonohet shërbimi i ndihmës së shpejtë (urgjenca mjekësore).

Diagnoza e traumës nga hedhja vendoset në bazë të:
- Simptomave të pacientit
- Informimit të mjekut në mënyrë të detajuar me rrethanat e aksidentit ose ngjarjen përgjegjëse për shtrirjen e sforcuar dhe të papritur të pjesës së qafës të shtyllës kurrizore.
- Egzaminimit fizik (trupor) të pacientit
- Radiografisë së pjesës së qafës (cervikale) të shtyllës kurrizore, për të përjashtuar një thyerje të vertebrave në atë zonë.
- Rezonancës magnetike

Trajtimi i traumave nga hedhja është vetëm simptomatik, pra konsiston vetëm në qetësimin e simptomave.
Mënyra të tjera të trajtimit
Në pacientët me trauma nga hedhja, është pothuajse i paevitueshëm trajtimi i përkohshëm me medikamente kundër dhimbjeve (antialgjikë). Ai synon gjthashtu evitimin e kontrakturave muskulare. Gjthsesi, vetëmjekimi me të tilla medikamente, ose me medikamente kundër reumatizmës, është kategorikisht i ndaluar, për shkak të rrezikut të zhvillimit të varësisë ose të shfaqjes së rezistencës ndaj efektit qetësues të tyre.
Mënyra të tjera alternative
- Fizioterapia, me programet e riaftësimit në kushte shtëpie
- Terapia me baltë
- Gjimnastika
- Akupunktura
Masat e përgjithshme
Mbajtja e një grykoreje (qafore) për një periudhë të gjatë kohore nuk është e rekomandueshme, pasi duket se ngadalëson proçesin e shërimit. Përkundrazi, personat e aksidentuar duhet të inkurajohen për t’iu kthyer sa më shpejt aktiviteteve normale të jetës. Mund të jetë e dobishme vendosja e kompresave të ftohta ose lyerja e zonës së traumatizuar me xhel freskues.
Në një stad të mëvonshëm, mund të jetë e dobishme vendosja e kompresave të ftohta, për të luftuar kontrakturat muskulare.
Për disa ditë, duhet të evitohet qëndrimi ulur për kohë të gjatë ose mbajtja e peshave të rënda.
Medikamentet
Medikamentet e rekomanduara në këtë rast janë:
- Qetësuesit e dhimbjeve (antialgjikët)
- Me efekt kundër reumatizmës (antireumatizmalët)
- Me efekt kundër kontrakturave muskulare (miorelaksantët)