Krampet muskulare (Ngërçet muskulare)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)
Ngërçi muskular i pulpës së këmbës është tepër i njohur tek atletët. Muskujt gastrocnemius të pulpës së këmbës kontraktohen fort dhe në mënyrë të dhimbshme. Gjatë një kontraktimi të tillë, praktikisht është e pamundur të ecësh. Pas këtij momenti, mund të shfaqet ndjesia e forcimit dhe dhimbjes në muskulin e prekur.
Ngërçet muskulare mund të manifestohen për disa sekonda ose minuta dhe përfaqësojnë një problem të shpeshtë. Gjatë disa aktiviteteve, si psh. noti, ngërçet e forta mund të jenë të rrezikshme, deri edhe vdekjeprurëse.
Organet e brendshme, si fshikëza e tëmthit , zorrët ose fshikëza urinare , të përbëra nga ind muskular, mund të kontraktohen dhe të provokojnë ngërçe, që emërtohen kolika dhe shoqërohen nga dhimbje të forta, të përziera dhe të vjella, duke përfaqësuar në këtë mënyrë situata urgjente që kanë nevojë për trajtim mjekësor sa më të shpejtë.
Kontraktime muskulare të ngjashme me krampet shfaqen edhe gjatë krizave të epilepsisë. Ky çrregullim trajtohet në mënyrë të detajuar në rubrikën "Simptoma: epilepsia".
Çrregullimet shoqëruese të krampeve muskulare janë: dobësia muskulare , tensioni muskular, enjtja e këmbës së prekur.Krampet muskulare shfaqen më shpesh pas një aktiviteti fizik ose kur konsumohen sasi të pamjaftueshme lëngjesh ose elektrolitesh (më shpesh gjatë mungesave të magneziumit, kalciumit dhe kaliumit). Gjithashtu, në origjinën e tyre mund të jenë edhe sëmundje të enëve të gjakut, sëmundje nervore ose metabolike, të shoqëruara me çrregullime specifike, sipas rastit.
Të moshuarit vuajnë shpesh nga krampet muskulare gjatë natës.
Shkaqet e krampeve muskulare gjatë aktiviteteve sportive, si pasojë e mungesës së lëngjeve ose kripërave minerale , janë:
- Mungesa e stërvitjes ose nxehjes së mjaftueshme
- Humbja e elektroliteve gjatë djersitjes së shprehur, të vjellave, diarresë, përdorimit të medikamenteve diuretike ose laksative
- Nevoja e shtuar për elektrolite, siç ndodh psh. gjatë shtatzanisë
- Kequshqyerja dhe/ose përthithja e pamjaftueshme e lëngjeve (nga ushqyerja e paekuilibruar, dietat e forta, uria e zgjatur, etj.)
Sëmundjet e enëve të gjakut, sëmundjet nervore dhe ato metabolike që mund të shkaktojnë krampe muskulare janë:
- Dëmtimet e muskujve, psh. gjatë shtypjes
- Çrregullimet e qarkullimit të gjakut tek këmbët, psh.nga variçet ose flebitet
- Sëmundjet metabolike, psh. diabeti i sheqerit
- Sëmundjet nervore, psh. polineuropatitë
- Abuzimi me alkoolin
Krampet muskulare mund të zhduken po aq shpejt sa edhe shfaqen.
Ja disa mënyra që mund të ndihmojnë në rastin e krampeve muskulare akute:
- Shtrirja aktive: tërhiqni këmbën lart nga gishtërinjtë, pastaj masazhoni muskulin e kontraktuar
- Aplikoni banja të alternuara me ujë të nxehtë dhe të ftohtë
Masa të përgjithshme për parandalimin e krampeve:
- Stërvituni mjaftueshëm përpara një aktiviteti sportiv
- Pini sasi të mjaftueshme lëngjesh, të pasura me kripëra minerale dhe oligoelemente
- Ushqehuni në mënyrë të ekuilibruar
Duhet të konsultoheni me një mjek nëse krampet muskulare shfaqen shpesh, nëse manifestohen gjatë natës ose kur bëhen problematike për pacientin.
Me cilin mjek duhet të konsultoheni ?
- Mjeku i familjes (i përgjithshëm)
- Mjeku internist
- Mjeku ortoped
- Mjeku endokrinolog / diabetolog
- Mjeku neurolog
Për të patur një tablo sa më të qartë për problemet aktuale dhe shkaqet e mundshme të tyre, mjeku fillimisht njihet me historinë mjekësore personale të pacientit (anamneza) dhe kryen egzaminimin klinik me mjete të thjeshta (vëzhgimi, analiza, palpacioni, auskultacioni, testet funksionale, etj). Më pas, mjeku mund të rekomandojë edhe egzaminime të tjera më specifike, sipas rastit.
Historia mjekësore personale (anamneza) bazohet tek:
- Pyetjet e lidhura me krampet muskulare: kur janë shfaqur fillimisht, me çfarë shpeshtësie, me çfarë kohëzgjatjeje, cilët muskuj janë prekur, faktorët shpërthyes të krampeve (në çfarë situatash ose veprimesh), faktorët lehtësues të krampeve, etj.
- Njohja me simptomat shoqëruese (shih më sipër)
- Njohja me zakonet e ushqyerjes
- Njohja me sëmundjet bashkëshoqëruese, problemet mjekësore personale të mëparshme (sëmundje të njohura të zemrës dhe mushkërive), përfshirë aksidentet dhe operacionet.
- Informimi mbi sëmundjet ose shkaqet e vdekjeve në familjen e pacientit
- Informimi mbi përdorimin e mundshëm të ndonjë medikamenti
- Informimi lidhur me ndonjë alergji të mundshme
- Informimi mbi kushtet e jetesës, aspektet profesionale dhe sociale të pacientit
- Informimi mbi cilësinë e jetës së pacientit: ushqyerja, gjumi, produktet që konsumon (kafeja, alkooli, nikotina, drogat), stresi, etj.
Egzaminimi fizik
Nëpërmjet këtij egzaminimi, mjeku gjykon gjendjen e muskujve të prekur, duke egzaminuar ndjeshmërinë dhe reflekset muskulare. Gjithashtu, ai egzaminon edhe kyçet.
Egzaminime të tjera specifike diagnostike
- Analizat e gjakut: elektrolitet (veçanërisht niveli i magneziumit) dhe niveli i sheqerit në gjak
- Analizat e urinës
- Egzaminime imazherike: radiografia, skaneri, rezonanca magnetike
- Ekografia
- Radiografia e enëve të gjakut (angiografia)
- Biopsia muskulare
Për më tepër informacion lidhur me egzaminimet mjekësore diagnostike, mund të përdorni lidhjen korresponduese me sëmundjen e kërkuar (faqja kryesore).