logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Problemet e lidhura me rrjedhjen e lëngut ujor konsiderohen si shkaku i rritjes së tensionit (presionit) brenda syrit, që dëmton fibrat e nervit optik, përgjegjës për shikimin.

Në brendësi të syrit gjenden dy dhoma: dhoma e përparme dhe ajo e pasme. Ato janë të mbushura me lëngun ujor, funksioni i të cilit është të furnizojë më lëndë ushqyese kornenë (pjesën e tejdukshme që mbulon nga përpara irisin, pupilën dhe dhomën e përparme të syrit) dhe kristalinin (lenten natyrale). Lëngu ujor është i tejdukshëm, xhelatinoz, i ngjashëm me plazmën e gjakut, por me më pak proteina në përbërje. Ai prodhohet në dhomën e pasme nga trupi ciliar dhe zbret në dhomën e përparme, duke kaluar ndërmjet irisit (pjesa e vetme e ngjyrosur e syrit, që kontrollon madhësinë e pupilës) dhe kristalinit, nëpërmjet pupilës (bebja e syrit).

Duke u nisur nga dhoma e përparme, lëngu ujor zbrazet normalisht në nivelin e këndit të formuar ndërmjet kornesë dhe irisit, që quhet  këndi irido-korneal. Më pas, përmes një kanali, ai derdhet nga trabekuli dhe bashkohet me qarkullimin e përgjithshëm të gjakut. Një anomali në rrugët e mësipërme të zbrazjes së tij provokon mbajtje të lëngut ujor, për pasojë një rritje graduale ose edhe të menjëhershme të tensionit brenda syrit.  

Glaukoma: kufizimi progresiv i fushës pamore.
Glaukoma: kufizimi progresiv i fushës pamore.
Glaukoma është një sëmundje kronike e syrit, me dëmtim tepër karakteristik të nervit optik. Ajo mund të jetë shumë e rrezikshme, sepse në stade të avancuara dhe pa trajtim, mund të dëmtojë retinën dhe madje të shkaktojë edhe verbimin e syrit të prekur.

Glaukoma shoqërohet normalisht nga rritja e tensionit të lëngut të syrit. Termi “hipertension i syrit” përdoret për personat me presion të lartë të vazhdueshëm të syrit, pa ndonjë dëmtim shoqërues të nervit optik të tij. Përkundrazi, termi  “glaukomë me tension normal ose të ulët të syrit” përdoret për personat që kanë dëmtim të nervit optik, me kufizim  shoqërues  të fushës së pamjes, por me tension normal, madje edhe të ulët brenda syrit.

Sëmundja karakterizohet nga një kufizim gradual i fushës së pamjes në drejtimin nga jashtë-brenda. Ky kufizim (ngushtim) është përgjithësisht i padhimbshëm dhe në fazën e parë ai nuk shkakton ulje të  aftësisë së të parit (shikimit). Shumë shpesh, pacientët e dallojnë mjaft vonë që janë prekur nga glaukoma. Në këtë stad, pra në momentin që diagnostikohet, ajo paraqitet me dëmtime të parikthyeshme (të pariparueshme). Për këtë arsye ajo njihet edhe si “kusarja e heshtur e dritës së syrit”.

Shkaqet dhe simptomat e kësaj sëmundjeje janë tepër të ndryshme në persona të ndryshëm. Rreziku i zhvillimit të glaukomës rritet me kalimin e moshës. Kështu, glaukoma dhe shenjat pararendëse të saj shfaqen në  2,4% të popullatës së personave mbi 40 vjeç. Kjo shpeshtësi arrin në 7-8 % në personat mbi 70 vjeç, dhe në 10-15% në ata mbi 80 vjeç.

Glaukoma me kënd të hapur (me presion të lartë)

Konsiderohet e tillë kur pengesa në rrjedhjen e lëngut ujor gjendet pikërisht në nivelin e trabekulit (zonës së rrjedhjes së tij), duke shkaktuar në këtë mënyrë:

  • Rritjen graduale të tensionit brenda syrit
  • Dëmtimet e fibrave të nervit optik 

 Glaukoma me presion normal ose të ulët

Është një formë e rrallë e glaukomës me kënd të hapur, që shkakton:

  • Dëmtim të nervit optik, pa rritje të tensionit brenda syrit.

  Glaukoma me kënd të mbyllur

Karakterizohet nga

  •  rritja e menjëhershme e tensionit brenda syrit, e shkaktuar nga një mbyllje e lindur e këndit irido-korneal.

Kujdes: Glaukoma me kënd të mbyllur përbën një urgjencë mjekësore, që duhet të trajtohet menjëherë.  

    Glaukoma dytësore

Bëhet fjalë për të gjitha rastet me glaukomë, ku rritja e tensionit brenda syrit është provokuar nga sëmundje të tjera. Si të tilla mund të përmendim:

  • Dëmtimet e enëve të gjakut në kontekstin e sëmundjeve të ndryshme, siç është diabeti i sheqerit.
  • Plagët shpuese ose shembjet
  • Pengesat në rrugët e rrjedhjes nga depozitat (psh. për shkak të përdorimit për kohë të gjatë të kortizonit).
  • Inflamacionet e syve
  • Tumoret e syve

Glaukoma e lindur (buftalmia = syri i lopës)

Përfaqëson një anomali ose çrregullim të lindur të këndit irido-korneal, me pengesë në rrjedhjen e lëngut ujor:

  • Rrallë mund të provokohet nga proçese inflamatore të syve.

Kujdes: Kjo formë e glaukomës shfaqet gjatë vitit të parë të jetës dhe duhet të operohet menjëherë,  në mënyrë që të mos shkaktojë verbëri.

Faktorët e rrezikut

  • Mosha: shpeshtësia e glaukomës rritet pas moshës 40 vjeç.
  • Trashëgimia familjare: glaukoma shfaqet shpesh tek personat që kanë familjarë të prekur prej saj.
  • Diabeti i sheqerit, arterioskleroza dhe hipertensioni arterial.
  • Miopia

Glaukoma me kënd të hapur/glaukoma me tension normal, glaukoma dytësore

Karakterizohen nga:

  • Kufizim gradual i fushës së pamjes, që nuk dallohet nga pacienti për shkak të kompensimit cerebral (nga  ana e trurit)
  • Mungesa  e dhimbjes

Glaukoma me kënd të mbyllur karakterizohet nga:

Glaukoma e lindur karakterizohet nga:

  • Rritje e tensionit brenda syrit
  • Ndjeshmëri e lartë ndaj dritës dhe përlotje e syve
  • Rrallë mund të konstatohet forcim i kornesë
  • Shenja dalluese e saj: sytë duken të bukur dhe të mëdhenj
  • Rritje e madhësisë së kokërdhokut
Glaukoma: matja e presionit brenda syrit.
Glaukoma: matja e presionit brenda syrit.

Diagnoza e glaukomës bazohet tek:

  • Informimi i mjekut okulist lidhur me historinë e fillimit të simptomave, të dhënat për trashëgimi familjare dhe për sëmundje të tjera shoqëruese.
  • Tonometria: konsiston në matjen e tensionit brenda syrit, mundësisht në mënyrë të përsëritur, tek foshnjat me ndihmën e anestezisë (mpirjes).
  • Perimetria: matja e fushës së pamjes
  • Gonioskopia: egzaminimi i këndit irido-korneal
  • Egzaminimi i fundit të syrit (fundus oculi)
  • Palpimi (prekja) e kokërdhokut të syrit.
Glaukoma: dalja e lëngut ujor.
Glaukoma: dalja e lëngut ujor.

Glaukoma duhet të trajtohet sa më herët që të jetë e mundur, sepse dëmtimet e konstatuara në momentin e diagnostikimit janë të parikthyeshme. Gjithashtu, është thelbësore të ndiqet trajtimi me seriozitet, në mënyrë të rregullt, sipas rekomandimeve të mjekut okulist.  

Medikamentet

Trajtimi medikamentoz i glaukomës konsiston në:

  • Uljen e tensionit brenda syrit
  • Pakësimin ose frenimin e prodhimit të lëngut ujor
  • Ngushtimin e pupilave (bebeve) të syve
  • Stabilizimin e tensionit arterial
  • Trajtimin e sëmundjeve kryesore që kanë shkaktuar glaukomën, kur ajo është dytësore (si diabeti, hipertensioni arterial, arterioskleroza)
Glaukoma: matjet e rregullta të presionit brenda syrit.
Glaukoma: matjet e rregullta të presionit brenda syrit.

Për të parandaluar shfaqjen e glaukomës, rekomandohet kontroll i rregullt vjetor tek okulisti, me matjen e tensionit të brendshëm të syrit, duke filluar nga mosha 40 vjeç, në rastin e:

  • Diagnostikimit me glaukomë të pjesëtarëve të tjerë të familjes
  • Diagnostikimit me sëmundje kronike të tilla si: arterioskleroza, hipertensioni arterial ose diabeti i sheqerit.

 


Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.