logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Alergjia ndaj diellit: reagimi mbrojtës i sistemit imunitar i shkaktuar nga rrezet e diellit.
Alergjia ndaj diellit: reagimi mbrojtës i sistemit imunitar i shkaktuar nga rrezet e diellit.

Alergjia përfaqëson një reaksion mbrojtës të egzagjeruar dhe të pavullnetshëm të organizmit kundrejt disa substancave, që janë normalisht të padëmshme. Ato gjenden në ambientin rrethues dhe quhen alergene.

Termi "alergji ndaj diellit", i njohur ndryshe edhe si fotoalergjia ose fotodermatoza, përfshin sëmundje të ndryshme. Kjo formë e alergjisë mund të shkaktohet vetëm nga rrezet e diellit, ose nga bashkëshoqërimi i këtyre të fundit me substanca të tjera, si ato që gjenden në produktet kozmetike, kremërat, parfumet, etj. Edhe vetë kontakti i lëkurës me bimë të ndryshme mund të shërbejë si faktor shpërthyes i një alergjie të tillë.

Dermatiti polimorf

Dermatiti polimorf është forma më e shpeshtë e alergjisë nga dielli. Ai shkaktohet nga rrezet UV-A (ultravjollcë A), që provokojnë një reaksion imunitar në organizëm. Si pasojë, pacienti ka ndjesinë e kruarjes në lëkurë, që pasohet nga shfaqja e flluckave në të. Në këtë formë të alergjisë nga dielli, ndryshimet e lëkurës janë të shumëllojshme (polimorfe). Ajo shfaqet përgjithësisht tek personat relativisht të rinj, që nuk janë mësuar me diellin.
Forma më e rëndë e alergjisë nga dielli (fotodermatozës) është urtikaria nga dielli, që përfaqëson një reaksion alergjik të menjëhershëm, që shfaqet brenda disa minutave. Ndërlikimet e kësaj forme përshkruhen më poshtë në rubrikën e ndërlikimeve.

Dermatiti i stinës së verës

Kjo formë e rrallë e fotodermatozës shkaktohet nga rrezet e diellit, gjatë përdorimit të kremërave kundër diellit ose produkteve kundër djersitjes, me përmbajtje të yndyrshme. Më shpesh shfaqet tek personat e rinj, që kanë lëkurë me tendencë të yndyrshme.

Reaksioni fotoalergjik

Reaksioni fotoalergjik përfaqëson një reaksion të shpërthyer nga rrezet e diellit, gjatë përdorimit ose kontaktit me disa substanca (medikamente, produkte kozmetike ose bimë).

  • Medikamentet kryesore që shpërthejnë shpesh të tilla reaksione janë: antibiotikët, medikamentet kundër diabetit (antidiabetikët), kundër inflamacionit (anti-inflamatorët), ato që nxisin urinimin (diuretikët) dhe  amiodaroni (që përdoret për trajtimin e aritmisë).
  • Bimët kryesore që mund të shpërthejnë një alergji nga dielli janë: selino, majdanozi, lëngu i fikut dhe limoni.
  • Produktet kozmetike që provokojnë alergji nga dielli janë:  parfumet, kremërat.

 

Dermatiti polimorf

  • Karakterizohet nga shfaqja e flluskave dhe puçrrave që kruhen shumë, përgjithësisht në zonat e lëkurës që janë të ekspozuara ndaj rrezeve të diellit, si: krahët, fytyra, kraharori, qafa dhe shpatullat. Reaksioni alergjik ndodh shpesh gjatë ose pas ekspozimit në diell. Simptomat janë të larmishme, të ndryshme nga një pacient tek tjetri (polimorfe).

Dermatiti i stinës së verës

  • Karakterizohet nga shfaqja e  puçrrave të vogla që kruhen, të vendosura përgjithësisht në zonat me qime të lëkurës.

Reaksioni fotoalergjik

  • Karakterizohet nga shfaqja e  puçrrave, skuqjeve dhe  flluckave të vogla që kruhen, të vendosura në zona të caktuara ose në të gjithë trupin.
Alergjia ndaj diellit: testet e lëkurës zbulojnë alergjinë.
Alergjia ndaj diellit: testet e lëkurës zbulojnë alergjinë.
Diagnoza e alergjisë nga dielli vendoset nga mjeku dermatolog, duke u bazuar në:
  • Egzaminimin e lëkurës
  • Informimin e detajuar të tij mbi ekspozimet në diell, shpeshtësinë, kohëzgjatjen dhe intensitetin e tyre, mbi produktet kozmetike të përdorura dhe kontaktet me bimët gjatë periudhës në fjalë.
  • Testet e alergjisë në lëkurë, që mundësojnë identifikimin e agjentit shkaktar të alergjisë (alergenit).
Alergjia ndaj diellit: shmangni ekspozimin e drejtpërdrejtë në diell.
Alergjia ndaj diellit: shmangni ekspozimin e drejtpërdrejtë në diell.

Në radhë të parë, nëse faktori shpërthyes i alergjisë (alergeni) është i njohur, ai duhet të evitohet. Mjeku është ai që duhet të vendosë për trajtimin e përshtatshëm, në varësi të ndjeshmërisë së pacientit, sipas rastit. Në vija të përgjithshme, trajtimi i alergjisë nga dielli konsiston në:

  • Përdorimin e medikamenteve që ulin ndjeshmërinë e tepruar ndaj rrezeve të diellit (antihistaminikët). Kujdes: Ata shkaktojnë lodhje dhe ulin aftësinë për të reaguar (si gjatë drejtimit të automjetit, apo përdorimit të  makinerive të ndryshme). Gjatë përdorimit të tyre duhet të evitohet konsumi i alkoolit.
  • Lyerjen e lëkurës me preparate freskuese në formën e xhelit, dhe vendosjen e kompresave të ftohta.
  • Mund të aplikohen pomada ose kremra me përmbajtje kortizoni, sipas përshkrimit të mjekut.
  • Vitamina B6, vitamina B12, beta-karoteni dhe kalciumi duket se janë efikasë në shumë pacientë.
  • Në rastin e simptomave tepër të rëndësishme, mund të përdoret edhe kortizoni në formën e tabletave.

Edhe pse janë të bezdisshme, alergjitë nga dielli përgjithësisht nuk e rrezikojnë jetën e pacientit. 

E vetmja situatë e rrezikshme është ajo e shokut anafilaktik (alergjik), që në fakt përfaqëson një ndërlikim të frikshëm të alergjive.

Simptomat e tij janë: Reaksione të theksuara dhe të menjëhershme në lëkurë, grumbullim i ujit në organizëm, gjendje ankthi, vështirësi në frymëmarrje, të përziera dhe të vjella, rënie e presionit të gjakut (tensionit arterial), përshpejtim i rrahjeve të zemrës, dobësi e përgjithshme trupore, urinim i pavullnetshëm, jashtëqitje e pavullnetshme, humbje e ndërgjegjes. Kjo situatë përbën një urgjencë të vërtetë mjekësore, që kërkon transportimin e menjëhershëm të pacientit në spital për t’u trajtuar nga një personel i kualifikuar.
 
Në rastin e alergjive të njohura, pacienti duhet të mbajë gjithnjë me vete një kuti të urgjencës, ku të përmbajë medikamentet e përshkruara nga mjeku për raste urgjente, të paparashikuara.

Për të parandaluar alergjinë nga dielli, rekomandohet zbatimi i masave të mëposhtme:

  • Të mbrohet në maksimum lëkura nga dielli, duke mbajtur veshje të përshtatshme dhe kapele.
  • Lëkura duhet të përshtatet në mënyrë graduale me rrezet e diellit. Gjithsesi, ekspozimet paraprake ndaj rrezeve  nëpërmjet solarit  janë të diskutueshme. Edhe pse nga njëra anë ato konsiderohen si parandaluese të alergjisë nga dielli, nga ana tjetër ato mund ta shkaktojnë vetë këtë situatë.  
  • Të respektohen produktet mbrojtëse ndaj diellit, sipas tipit të lëkurës, me mbrojtje UV-A dhe UV-B.
    Kujdes: vetë kremi mbrojtës ndaj diellit mund të shpërthejë  reaksioneve alergjike ndaj tij.
  • Të evitohen goditjet nga dielli, si pasojë e ekspozimeve ndaj tij për kohë të gjatë, në orët e nxehta të ditës.
  • Të evitohen faktorët e njohur alergjikë, si produktet kozmetike, parfumet, medikamentet, bimët, etj.
  • Në rastin e dermatitit të verës, të përdoren kremëra dhe pomada jo të yndyrshme.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.