Gastriti (Inflamacioni i stomakut)
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Stomaku është një organ kavitar (zgavror), i veshur nga një shtresë e brendshme (shtresa e mukozës), që shërben për depozitimin, zbërthimin, tretjen dhe transportimin e produkteve ushqimore. Në brendësi të stomakut prodhohet lëngu i tij (lëngu gastrik), që përmban acid klorhidrik (HCl), mukus, si dhe enzima të ndryshme që zbërthejnë proteinat (pepsina, pepsinogjeni) ose yndyrnat (lipaza), që përmbahen në ushqimin e konsumuar.
Në këtë mënyrë, ushqimi përgatitet për të kaluar në pjesët e mëposhtme të tubit tretës. Në fundin e ezofagut dhe fillimin e stomakut gjendet një unazë muskulare, që quhet sfinkteri gastro-ezofageal, i cili mbyllet automatikisht në momentin kur ushqimi ka kaluar i gjithi në stomak. Ky është një proçes mbrojtës për ezofagun, pasi pengon kthimin e ushqimit lart, ku nën veprimin e lëngut acid të stomakut, mukoza delikate e ezofagut mund të dëmtohej fare lehtë. Kur përmbajtja ushqimore bie në kontakt me murin e stomakut, muskujt e këtij të fundit fillojnë të tkurren në mënyrë ritmike, me një shpeshtësi të paktën 3 tkurrje/minutë. Kjo lëvizje ritmike quhet peristaltikë.
Në sajë të kësaj lëvizjeje peristaltike, mundësohet përzierja dhe zbërthimi i përmbajtjes ushqimore nga enzimat tretëse, duke formuar kështu kimusin (shukun) ushqimor. Pikërisht në këtë formë, ushqimi kalon pilorin (pjesën fundore të stomakut) për të kaluar në zorrën e hollë.
Mukoza (shtresa e brendshme) e stomakut është shumë e pasur me enë gjaku (shumë e vaskularizuar). Ajo është e pajisur nga një shtresë mukusi, e cila shërben për ta mbrojtur nga aciditeti i lëngut të stomakut. Nëse mukoza e stomakut është e dëmtuar në zona të caktuara, lëngu acid i stomakut shkakton inflamacion të menjëhershëm (akut) në këto zona. Pikërisht kjo situatë përfaqëson gastritin akut.
- Konsumimi i ushqimeve të pasura në yndyrna
- Mënyra jo e rregullt e ushqyerjes (ngrënia shumë e shpejtë e ushqimeve)
- Duhanpirja, konsumi i tepruar i alkoolit ose kafesë.
- Medikamentet që ngacmojnë mukozën e stomakut, siç janë: antiinflamatorët (kundër inflamacionit), antialgjikët (kundër dhimbjes), medikamentet me përmbajtje kortizoni, antibiotikët e ndryshëm, etj.
- Helmimi nga ushqimet e ndenjura: bakteri Clostridium botulinum zhvillohet pikërisht në sallamet ose suxhukët e ndenjur, ose në perimet e konservuara.
- Infeksionet virale
- Infeksionet bakteriale, si Helicobacter pylori.
Faktorët e tjerë të rrezikut:
- Stresi
- Radioterapia (terapia me rreze)
- Produktet me përmbajtje bazash/acidesh (psh. detergjentët)

Gastriti karakterizohet nga këto simptoma:
- Dhimbjet e forta dhe të shpeshta të stomakut
- Ndjenja e rëndimit në stomak, të përziera dhe të vjella, veçanërisht pas ngrënies
- Mungesa e oreksit
- Çrregullimi i gjendjes së përgjithshme, me dobësi të theksuar trupore
- Aromë e pakëndshme në gojë, gjuhë e ngarkuar

Për vendosjen e diagnozës së gastritit ndihmon:
- Marrja e informacionit lidhur me fillimin e sëmundjes dhe simptomat e pacientit në momentin e konsultimit me mjekun
- Egzaminimi fizik: konstatimi i dhimbjeve në palpacion poshtë kafazit të krahararorit
- Në rastin e dhimbjeve të përsëritura ose të vazhdueshme, mund të jetë e nevojshme kryerja e astroskopisë. Për të realizuar këtë proçedurë, përdoret anestezia (mpirja) në nivelin e ezofagut dhe nëpërmjet një tubi elastik (të lëvizshëm), që quhet gastroskop, mundësohet depërtimi i një kamere në hapësirën e stomakut. Pas fryrjes me ajër, mundësohet eksplorimi i brendësisë së stomakut, duke gjykuar mbi gjendjen e mukozës, për evidentimin e dëmtimeve të mundshme të saj. Nëpërmjet këtij egzaminimi mund të merret material nga mukoza e stomakut për të kryer biopsinë, në rastet kur mjeku dyshon për dëmtime me natyrë tumorale.
- Egzaminimi ekografik (eko e barkut) lejon përjashtimin e sëmundjeve të tjera organike, të tilla si sëmundjet e mëlçisë ose të pankreasit.
- Realizimi i testeve për identifimin e pranisë së Helicobacter pylori

Në rastin e simptomave të lehta, mund të jetë efikase fitoterapia (mjekimi me produkte bimore). Në rastin e marrjes së medikamenteve, ato nuk duhet të përdoren për kohë të gjatë.
Medikamentet e rekomanduara në rastin a gastritit lehtësojnë simptomat (dhimbjet e menjëhershme në stomak ose të përzierat e vazhdueshme). Disa prej tyre frenojnë prodhimin e lëngut acid të stomakut. Këto medikamente duhet të përdoren vetëm pas konsultimit me mjekun specialist gastro-hepatolog.
Në rast infeksioni nga bakteri Helicobacter pylori, është i domosdoshëm trajtimi me antibiotikë.
Në rastin e gastritit shumë të shprehur, veçnërisht në praninë e një hemorragjie të rrugëve të tretjes, gastroskopia është egzaminimi i vetëm, nëpërmjet të cilit mund të verifikohet prania e mundshme e një ulçere gastrike.