Bllokimi i zorrës (Ileusi, Okluzioni intestinal)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Ndërlikimi kryesor i bllokimit të zorrës është vuajtja e indeve të murit të zorrës, që mund të shkaktojë shpimin (çarjen) e murit, e pasuar nga kalimi i përmbajtjes së zorrës dhe bakterieve në hapësirën e barkut. Kjo situatë mund të shkaktojë peritonit (infeksion të përgjithshëm të barkut) ose septicemi me gjendjen e shokut septik.
Dallohen dy forma të bllokimit të zorrës: bllokimi mekanik dhe ai paralitik. Tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël deri në 2 vjeç, shkaku kryesor i tij është palosja e një pjese të zorrës me një pjesë tjetër të saj (invaginimi intestinal). Gjatë këtij incidenti, një pjesë e zorrës kthehet si gishti i dorezës përkundrejt vetes. Ky fenomen është i rrallë në personat e moshuar.
Bllokimi i zorrës është një urgjencë mjekësore, që duhet menaxhuar patjetër nga stafi mjekësor. Në pjesën më të madhe të rasteve është e nevojshme ndërhyrja kirurgjikale për të eleminuar zonën e bllokuar dhe pjesën jofunksionale të zorrës. Në mungesë të trajtimit, ose nëse trajtohet në mënyrë jokorrekte, përparimi i sëmundjes mund të shkaktojë vdekjen e pacientit.
- Ileusi mekanik i zorrës: Në sajë të lëvizjeve peristaltike të zorrës, shuku ushqimor zbret gradualisht nga pjesa e sipërme e tubit tretës drejt pjesës përfundimtare të tij, rektumit. Në rastin e ileusit mekanik të shkaktuar nga një pengesë, këto lëvizje peristaltike të zorrës çrregullohen, duke shkaktuar dhimbje të forta dhe krampe në pjesën e sipërme ose të poshtme të barkut.
- Ileusi funksional ose paralitik:
Kjo formë karakterizohet nga ndërprerja e lëvizjeve peristaltike të zorrës. Edhe pse nuk ka bllokim të hapësirës së zorrës, shuku ushqimor nuk mund të përparojë përgjatë tubit tretës për shkak të mungesës së lëvizjeve peristaltike. Mund të shfaqen edhe spazma të muskulaturës së zorrës. - Invaginimi intestinal akut:
Tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël deri në 2 vjeç, shkaku kryesor i bllokimit të zorrës është palosja e një pjese të zorrës me një pjesë tjetër të saj. Gjatë këtij incidenti, një pjesë e zorrës kthehet si gishti i dorezës përkundrejt vetes. Ky fenomen është i rrallë në personat e moshuar.

Format dhe shkaqet e ileusit mekanik
- Bllokimi i zorrës prej pengesave në brendësi të saj, të cilat e zënë gjithnjë e më shumë hapësirën e zorrës, deri sa e bllokojnë atë krejtësisht. Si shkaqe në këtë rast mund të shërbejnë: qelqet, trupat e huaj, gurët e tëmthit, mekoniumi (feçet e të porsalindurit).
- Ngushtimi i zorrës, si rezultat i shtypjes së saj nga jashtë prej një tumori ose një trashjeje patologjike të mukozës së zorrës.
Shkaqet e mundshme: tumoret, enjtja e theksuar e mukozës së zorrës në kuadër të sëmundjeve inflamatore kronike të zorrës (koliti i ulçeruar). - Përdredhja e zorrës, si pasojë e përdredhjes së enëve të gjakut të zorrës, dhe ndërprerjes së furnizimit me gjak të tyre. Bëhet fjalë për një urgjencë mjekësore, sepse pjesa e zorrës që nuk furnizohet me gjak nekrotizohet (vdes) brenda disa orëve. Shkaqet: prania e ngjitjeve si pasojë e një operacioni ose sëmundjeje inflamatore kronike të zorrës si sëmundja Crohn, herniet (herniet inguinale), invaginimet e zorrës tek foshnjat, rrotullimi i një pjese të tubit tretës (volvulus), gurët e tëmthit, jashtëqitjet ose inflamacionet.
Shkaqet e mundshme të ileusit paralitik:
- Prania e njëkohshme e një peritoniti, pneumonie, pankreatiti, infarkti të miokardit.
- Çrregullimet metabolike, ato elektrolitike (si psh pas diarreve të forta dhe të zgjatura), insufiçienca renale.
- Pas operacioneve, në rastin e kolikave
- Pas disa traumave të barkut (si psh goditjet me grusht ose me shkelm në bark)
- Shpimi i zorrës
- Pas infarktit të enëve të gjakut që ushqejnë zorrën (enët mezenterike)
- Pas helmimit me plumb ose helmimit me opioide
- Në disa sëmundje të gjakut, si porfiria
- Parazitoza e zorrës (krimbat)
Simptomat e invaginimit intestinal akut tek foshnjat
- Dhimbje barku që shfaqen papritur, të tipit të kolikës, tepër të forta
- Të vjella
- Zbehtësi, djersë të ftohta
- Fëmija është i axhituar dhe shfaq gjendje ankthi
- Periudhat e qetësimit pasohen nga rishfaqja e dhimbjes
- Mungesa e jashtëqitjeve, ndonjëherë nxjerrja e mukusit me gjak
- Fryrje e barkut
Forma e përzier e ileusit
Çdo ileus mekanik përparon me kalimin e kohës në një ileus paralitik. Në fakt, me kalimin e kohës, lëvizjet peristaltike të zorrës pakësohen dhe më pas zhduken plotësisht. Në këtë kuadër, tabloja klinike dominohet nga simptomat e të dy tipeve të ileusit: ileusit mekanik dhe ileusit paralitik. Gjithsesi, intensiteti i simptomave mund të jetë tepër i ndryshueshëm.

Shpesh, simptomat e ileusit janë pak karakteristike në fillim. Për këtë arsye, është i domosdoshëm informimi i mjekut në mënyrë të detajuar lidhur me historinë e sëmundjes, si dhe ekzaminimi i kujdesshëm i pacientit. Pacientët me dhimbje të forta të barkut me origjinë të papërcaktuar duhet t’i nënshtrohen sa më shpejt ekzaminimit mjekësor klinik, biokimik dhe imazherik, për përcaktimin e diagnozës. Akoma më i rëndësishëm është ky moment tek foshnjat dhe personat e moshuar.
Duhet të dyshohet diagnoza e ileusit intestinal, sa herë që pacienti paraqet dhimbje të forta, që shfaqen në mënyrë të menjëhershme, me origjinë të papërcaktuar ose në rast të vjellash dhe grumbullimit të gazit në hapësirën e barkut. Në të gjitha këto raste, bëhet fjalë për një urgjencë mjekësore, që duhet të menaxhohet nga stafi mjekësor.
Simptomat në rastin e ileusit mekanik
Simptomat e mëposhtme, karakteristike për ileusin mekanik, mund të shfaqen vetëm ose të shoqëruara, në varësi të lokalizimit të saktë të bllokimit të zorrës.
- dhimbje të forta të barkut, të tipit shtrëngues
- Të vjella, të cilat mund të jenë edhe me feçe (jashtëqitje)
- Barku është shumë i tendosur dhe i fryrë (meteorizmi)
- Mungesa e feçeve dhe gazrave
- Lëvizje peristaltike të theksuara, të dukshme dhe të dëgjueshme.
Simptomat në rastin e ileusit funksional
- Dhimbje barku, kryesisht pas ngrënies
- Të përziera dhe të vjella
- Dobësi e përgjithshme trupore
- Barku i fryrë nga gazrat; në rastin e inflamacionit, barku është i tendosur dhe i forcuar
- Mungesa e zhurmave në zorrë
Ileusi i përzier karakterizohet nga përzierja e simptomave të të dy tipeve të ileusit, me intensitet të ndryshueshëm.
Simptomat e invaginimit intestinal akut tek foshnjat
- Dhimbje barku që shfaqen papritur, të tipit të kolikës, tepër të forta
- Të vjella
- Zbehtësi, djersë të ftohta
- Fëmija është i axhituar dhe shfaq gjendje ankthi
- Periudhat e qetësimit pasohen nga rishfaqja e dhimbjes
- Mungesa e jashtëqitjeve, ndonjëherë nxjerrja e mukusit me gjak
- Fryrje e barkut

Diagnoza e bllokimit të zorrës përcaktohet duke u bazuar në:
- Historinë e sëmundjes dhe simptomat e pacientit, duke u informuar në mënyrë të detajuar mbi sëmundje të tjera të pacientit (si ulçera në stomak, inflamacione të zorrës, etj.). Informacionet mbi tipin e dhimbjes mund të jenë tepër të dobishme për vendosjen e diagnozës nga mjeku. Kështu psh. nëse dhimbjet janë si pickime, të shfaqura papritur, të përqëndruara kryesisht në pjesën e sipërme ose në pjesën e poshtme të barkut, etj. Gjithashtu, mjeku duhet të informohet edhe lidhur me ngjyrën dhe formën e feçeve, si dhe për praninë e të vjellave, dhe përbërjen e tyre.
- Palpacionin, gjatë të cilit mund të konstatohen dhimbje dhe tendosje e murit të barkut.
- Auskultacionin, gjatë të cilit mund të dëgjohen zhurma me timbër metalik në zorrë, ose mungesë e plotë e zhurmave
- Tushesë rektale, ku nëpërmjet gishtit tregues të dorës së tij, mjeku arrin të prekë pjesën fundore të zorrës (rektumin)
- Radiografisë së hapësirës së barkut, mundësisht me lëndë kontrasti
- Ekografisë së barkut
- Skanerit të barkut
- Analizave të gjakut: eritrociteve, leukociteve, hemoglobinës, trombociteve dhe treguesve të inflamacionit.

Në të gjitha rastet kur dyshohet për bllokim të zorrës, duhet të fillohet menjëherë trajtimi i përshtatshëm, i cili varet nga tipi dhe lokalizimi i bllokimit.
Në disa raste, trajtimi është konservator, pra jokirurgjikal. Në pjesën më të madhe të rasteve, nevojitet trajtimi kirurgjikal. Në rastet kur bllokimi i zorrës është pasojë e një sëmundjeje kryesore (psh. peritonit, shpimi i ulçerës së stomakut dhe zorrës, hernie, etj.), duhet të trajtohet fillimisht sëmundja kryesore.
Masat e urgjencës - trajtimi konservator
- Vendosja e një sonde gastrike (të stomakut), për aspirimin e sekrecioneve
- Vendosja e perfuzionit për marrjen e lëngjeve dhe kripërave
Medikamentet
- Antibiotikët, me qëllim që të parandalohet përhapja e bakterieve në organizëm (septicemia)
- Medikamente dhe klizma që nxisin peristaltikën e zorrëve (vetëm në rastin e ileusit paralitik)
Ndërhyrja kirurgjikale
Tipi i ndërhyrjes varet nga shkaku i ileusit:
- Heqja e zonave të ngjitjeve
- Eleminimi i pengesave (si tumori) ose ngushtimeve të zorrës
- Sipas rastit, heqja e pjesëve jofunksionale të zorrës
- Sipas rastit, krijimi i një anastomoze ose një anusi artificial
- Ruajtja ose rivendosja e qarkullimit të gjakut në të gjitha segmentet e zorrës
Mënyrat e trajtimit tek foshnjat
Fillimisht, tentohet me masazhe dhe klizma me lëndë që arrijnë të lirojnë pjesën e bllokuar të zorrës. Nëse këto proçedura nuk japin rezultat, rekomandohet ndërhyrja kirurgjikale.
Nëse ileusi nuk trajtohet në mënyrë korrekte, çdo orë që kalon rrit rrezikun e humbjes së jetës së pacientit.
Kur shkaqet e bllokimit të zorrës janë diagnostikuar, dhe bllokimi është mundur të eleminohet, mundësitë e shërimit janë të mira. Në rast se trajtimi është bërë në mënyrë korrekte, ecuria është gjithashtu shumë e mirë.
Ndërlikimet e rënda të mundshme:
- Çrregullimet e furnizimit me gjak të zorrës, me shfaqjen e dëmtimeve qelizore, ndryshimeve të murit të zorrës dhe çrregullimeve funksionale; në raste të rënda, perforacioni i zorrës.
- Infeksionet lokale ose të përgjithshme (septicemia), pas përhapjes së bakterieve në hapësirën e barkut. Shfaqja e septicemisë në një pacient konsiderohet si urgjencë mjekësore (shih septicemia).
- Gjendja e shokut pasues, si pasojë e mungesës së thithjes së lëngjeve dhe kripërave nga zorra. Nëse nuk trajtohet, kjo gjendje çon në vdekjen e pacientit.