Sindromi premenstrual (SPM)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Sindromi premenstrual (SPM) është një term që përfshin të gjitha simptomat që u paraprijnë menstruacioneve. Ato janë të shumta dhe të ndryshme në femra të ndryshme. Rreth një në çdo tre femra shfaq çdo muaj simptoma të tilla.
Mbiemri "premenstrual" përkufizon periudhën që paraprin fillimin e menstruacioneve. Simptomat mund të shfaqen 1-2 javë përpara menstruacioneve dhe theksohen me afrimin e tyre.
Sindromi premenstrual përfaqëson një sëmundje të vërtetë, që mund të trajtohet. Asnjë femër nuk duhet t’i nënvlerësojë simptomat e tij.
Shkaqet e sindromit premenstrual (SPM) janë të panjohura. Ky sindrom shfaqet vetëm tek femrat që kanë menstruacione. Nëse menstruacionet ndërpriten në mënyrë kirurgjikale ose medikamentoze, këto simptoma zhduken gjithashtu. SPM prek më shpesh femrat me moshë nga 30-40 vjeç.
Faktorët e mëposhtëm mund të shkaktojnë ose përkeqësojnë një SPM:
- Niveli i lartë i prolaktinës në gjak, që është hormoni përgjegjës për rritjen e gjendrave të qumështit (gjinjve) dhe prodhimin e qumështit në to.
- Çrregullimet e gjendrës tiroide
- Prishja e balancës ndërmjet estrogjeneve dhe progestativëve (hormone seksuale femërore).
- Mykozat
- Sëmundjet e ndryshme gjinekologjike
- Helmimet
- Substancat me efekt stimulues (kafeina, nikotina)
- Ushqyerja
- Konsumi i pamjaftueshëm i vitaminave dhe mineraleve.
- Çrregullimet e gjumit
- Depresionet
- Kufizimet psiqike dhe mungesa e aktivitetit fizik
Më shpesh, SPM është rezultat i kombinimit të disa faktorëve. Çrregullimet psiqike janë shpesh të varura nga nivelet hormonale. Për këtë arsye, edhe çrregullimet e humorit shoqërojnë shpesh sindromin premenstrual.
Në femrat që shfaqin sindromin premenstrual (SPM), konstatohen simptoma të shumta fizike dhe psiqike. Karakteristike për këto simptoma është fakti që ato janë tepër të varura nga cikli menstrual dhe janë më të theksuara pikërisht përpara ardhjes së menstruacioneve. Ndër to, mund të përmendim:
- Ndjeshmërinë e lartë në nivelin e gjinjve (fryrje, tendosje, dhimbje)
- Afshe nxehtësie në trup
- Lodhje, rraskapitje
- Gjendje e axhituar
- Vështirësi në përqëndrim
- Luhatje të humorit, me alternime të një tendence depresive (trishtim dhe zemërim) me periudha euforie.
- Çrregullimet e gjumit
- Ankth, nervozizëm
- Lëkurë e acaruar
- Çrregullime të tretjes (ndjesia e ngopjes, fryrje të barkut, të përziera).
- Shtim ose pakësim i oreksit
- Grumbullim i ujit në inde, që është përgjegjës për shtimin në peshë.
Diagnoza e sindromit premenstrual (SPM) vendoset nga mjeku specialist obstetër-gjinekolog, duke u bazuar në:
- Simptomat e pacientes, periudhën e shfaqjes dhe kohëzgjatjen e tyre.
- Egzaminimin gjinekologjik
- Analizat laboratorike
Sa më të shumta të jenë simptomat, aq më të shumta janë edhe mënyrat e trajtimit të sindromit premenstrual (SPM). Në këtë sëmundje, është thelbësore që pacientja të ketë besim tek mjeku. Nuk egziston asnjë trajtim standart për SPM. Ai përshtatet nga mjeku, në bashkëpunim me pacienten, sipas veçorive të kësaj të fundit.
Masat e përgjithshme
Femrat që shfaqin sindromin premenstrual, duhet të mbajnë një ditar, që i ndihmon ato të njohin dhe të analizojnë simptomat e tyre. Për këtë qëllim, rekomandohet që pasqyrimi i simptomave në ditar të bëhet i ndarë në kategori të ndryshme, sipas tipit (fizike, psiqike) dhe shkallës së rëndesës së tyre.
Mënyra alternative të trajtimit
- Teknikat e relaksimit (trajnimi autogen, joga).
- Pakësimi i shkallës së stresit
- Aktivitetet sportive
- Ndryshimi i mënyrës së ushqyerjes
Studimet e kohëve të fundit kanë treguar që aktiviteti fizik i rregullt dhe ushqyerja e ekuilibruar ndihmojnë shpesh në pakësimin dhe/ose lehtësimin e simptomave të SPM.
Medikamentet
Rekomandohet përdorimi i kujdesshëm dhe jo i tepruar i tyre, pasi mund të krijohet fenomeni i varësisë. Medikamentet që rekomandohen në këto raste janë:
- Qetësuesit e dhimbjeve (antialgjikët)
- Pilulat kontraceptive
- Terapia hormonale
- Medikamentet psikotrope dhe antidepresive, që mund të përdoren gjatë gjysmës së dytë të ciklit menstrual (dy javë para ardhjes së menstruacioneve të radhës).
- Medikamentet që nxisin urinimin (diuretikët)
- Vitamina B6.
Fitoterapia
Konsiston në përdorimin e produkteve bimore (vitex agnus-castus, cimicifuga dhe millepertuis), të cilat janë tepër efikase në rastet me:
- Çrregullime të ciklit menstrual
- Menstruacione të dhimbshme
- Dhimbje, tendosje dhe enjtje të gjinjve
- Rritje e nivelit të prolaktinës në tru (hipofizë)
- Shqetësimet e lidhura me menopauzën
- Në gjendjet depresive të lehta dhe mesatare.
Psikoterapia
Në rastin e simptomave të rëndësishme psiqike, mund të jetë i dobishëm trajtimi psikoterapeutik ose ai psikiatrik.