logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Urthi: zakonisht vjen nga shkaqe të parandalueshme
Urthi: zakonisht vjen nga shkaqe të parandalueshme
Pirozis perceptohet si djegie e dhimbshme ose gërryese pas kafazit të kraharorit. Kjo simptomë mund të rëndohet nga konsumi i alkoolit, mbipesha, vaktet ushqimore tepër të rënda, ngrënia tepër vonë e vaktit të darkës ose nga marrja e disa medikamenteve.

Emërtohet djegie e stomakut një dhimbje djegëse që ndihet direkt prapa dërrasës së kraharorit, në zonën e ezofagut. Djegiet mund të ngjiten deri në zonën e qafës. Njëherësh me të mund të shfaqen edhe çrregullime të gëlltitjes, të përziera, shtypje në stomak ose mbi pjesën e sipërme të barkut. Disa herë djegiet në stomak manifestohen me një kollë të thatë ose vështirësi në frymëmarrje.

Djegiet e stomakut shkaktohen nga ngjitja e acidit të stomakut në ezofag, që quhet edhe refluks i acidit. Dobësia e sfinkterit ndërmjet ezofagut dhe pjesës fillestare të stomakut është shpesh përgjegjëse për këtë fenomen. Paralelisht me këtë proçes, është i shtuar edhe prodhimi i acidit të stomakut.

Faktorët e mëposhtëm mund të provokojnë ose rëndojnë djegiet në stomak:

  • Ngrënia me shpejtësi
  • Vakti i bollshëm dhe i yndyrshëm
  • Ushqimet e forta dhe pikante
  • Sheqernat (veçanërisht çokollatat)
  • Produktet e varësisë (alkooli, kafeja, nikotina)
  • Stresi, nervozizmi, frika, fatkeqësitë
  • Efekti dytësor i disa medikamenteve
  • Presioni në stomak: nga mbipesha trupore, përkulja, fjetja menjëherë pas ngrënies

Stomaku vetë është i mbrojtur nga acidet e tij, ndryshe nga ezofagu. Për ketë arsye, ezofagu do të irritohet nga refluksi i shpeshtë ose i vazhdueshëm për kohë të gjatë i lëngut acid të stomakut. Mjeku flet në këtë rast për sëmundjen e refluksit. Kështu, ezofagu mund të inflamohet (ezofagiti) dhe mund të zhvillohen ulçera. Në raste më të rralla, pas disa vitesh, mund të shfaqet një kancer i ezofagut.

Simptomat shoqëruese të pirozis janë: të përzierat, fryrja e barkut, ndjesia e shtypjes në stomak, çrregullimet e gëlltitjes, dhimbja në pjesën e sipërme të barkut.

Përveç faktorëve që provokojnë ose rëndojnë djegiet në stomak, sëmundjet e mëposhtme mund të shoqërohen me refluks të stomakut:

Djegiet e lehta në stomak, që shfaqen me raste, janë shpesh të padëmshme dhe mund të mjekohen me anën e masave të thjeshta dhe me medikamente që nuk kanë nevojë për recetën e mjekut.

Këshilla të përgjithshme

Djegiet e lehta të stomakut mund të zhduken pas ndryshimit të mënyrës së ushqyerjes ose të mënyrës së jetesës. Konkretisht, në këto ndryshime përfshihet:

  • Rënia në peshë
  • Fjetja me kokën të ngritur me dy jastëkë
  • Evitimi i vakteve të rënda dhe të yndyrshme, duke preferuar vakte të vogla disa herë në ditë
  • Evitimi i akoolit, kafesë, pijeve të gazuara acide, vakteve të yndyrshme, çokollatës, frutave të tharta, produkteve tepër pikante.
  • Ndërprerja e duhanit
  • Pakësimi i stresit

Vetëmjekimi

Në rastin e djegieve të rralla të stomakut, medikamentet antiacide mund të asnjanësojnë përkohësisht acidet e stomakut. Këto medikamente nuk kanë nevojë për recetën e mjekut, veprojnë shpejt dhe duhet të përdoren vetëm kur shfaqen simptomat. Marrja e tyre nuk shërben për qëllime parandalimi.

Në rastin e djegieve të stomakut të shpeshta ose gjatë natës, përdoren frenuesit e pompës protonike, sepse veprojnë direkt në proçesin e prodhimit të acideve të stomakut. Efekti i tyre është më i vonshëm, por zgjat më shumë. Këto medikamente duhet të merren përditë.

Nëse simptomat vazhdojnë më gjatë se 1-2 javë, duhet të konsultoheni me mjekun.

Edhe pse djegiet në stomak janë të pakëndshme, ato përgjithësisht nuk janë të rrezikshme.

Konsulta me mjekun rekomandohet nëse:

  • Refluksi manifestohet disa herë në javë ose nëse është i vazhdueshëm
  • Refluksi shfaqet gjatë natës
  • Shfaqen edhe dhimbje në stomak, të vjella, çrregullime të gëlltitjes, fryrje të barkut, rënie në peshë, etj.

Kujdes! Dhimbjet e shpeshta dhe të forta prapa dërrasës së kraharorit mund të jenë shenjë e një krize të zemrës. Për këtë arsye, në të tilla raste duhet të njoftoni menjëherë urgjencën mjekësore.

Me cilin mjek duhet të konsultoheni?

Për të patur një tablo sa më të qartë për problemet aktuale dhe shkaqet e mundshme të tyre, mjeku fillimisht njihet me historinë mjekësore personale të pacientit (anamneza) dhe kryen egzaminimin klinik me mjete të thjeshta (vëzhgimi, analiza, palpacioni, auskultacioni, testet funksionale, etj). Më pas, mjeku mund të rekomandojë edhe egzaminime të tjera më specifike, sipas rastit.

Historia mjekësore personale (anamneza) bazohet tek:

  • Pyetjet e lidhura me djegiet në stomak: kur janë shfaqur fillimisht, sa kohë zgjasin, në çfarë situatash, shtrirë, përkulur, pas ngrënies, etj., shoqërohen ose jo me refluks të acidit të stomakut, faktorët rëndues ose përmirësues të simptomave, etj.
  • Njohja me simptomat shoqëruese (shih më sipër)
  • Njohja me sëmundjet bashkëshoqëruese, problemet mjekësore personale të mëparshme, përfshirë dhe operacionet.
  • Informimi mbi sëmundjet ose shkaqet e vdekjeve në familjen e pacientit
  • Informimi mbi përdorimin e mundshëm të ndonjë medikamenti
  • Informimi lidhur me ndonjë alergji të mundshme
  • Informimi mbi kushtet e jetesës, aspektet profesionale dhe sociale të pacientit
  • Informimi mbi cilësinë e jetës së pacientit: ushqyerja, gjumi, produktet që konsumon (kafeja, alkooli, nikotina, drogat), stresi, etj.

Egzaminimi klinik

Egzaminimi klinik në rastet me pirozis nuk ka ndonjë karakteristikë të veçantë.

Egzaminime të tjera specifike diagnostike

  • Gastroskopia
  • Matja e Ph: matja e përmbajtjes acide në pjesën e poshtme të ezofagut gjatë 24 orëve me ndihmën e një sonde nazale (në hundë)
  • Matja e presionit ezofageal (manometria ezofageale)
  • Testi terapeutik: përdorimi i frenuesve të pompës protonike për 2 javë. Nëse simptomat pakësohen, bëhet fjalë probabilisht për sëmundjen e refluksit gastro-ezofageal dhe duhet ndjekur terapia e rekomanduar nga mjeku gasto-enterolog.

Më tepër informacione lidhur me egzaminimet diagnostike mund të gjeni në tablotë klinike korresponduese.

Terapia e djegieve të stomakut varet gjithmonë nga shpeshtësia e simptomave. Në të tilla raste terapia përfshin përdorimin e medikamenteve dhe operacionin, sipas rastit.

Masat e përgjithshme

Në rastin e djegieve të lehta në stomak, mund të mjaftojë ndryshimi i ushqyerjes dhe mënyrës së jetesës.

Trajtimi medikamentoz

Egzistojnë grupe të ndryshme medikamentesh, që veprojnë kundër djegieve në stomak. Ato janë:

  • Antiacidet: medikamente që asnjanësojnë lëngjet me përmbajtje acide të stomakut
  • Frenuesit e pompës protonike: bllokojnë prodhimin e acideve të stomakut
  • Bllokuesit e receptorëve H2: pakësojnë sasinë e lëngjeve të çliruara nga stomaku
  • Prokinetikët: përshpejtojnë zbrazjen e stomakut

Operacioni

Kur masat e përgjithshme dhe terapitë medikamentoze nuk mjaftojnë, operacioni mund të jetë efikas. Kjo konsiston në përmirësimin e mekanizmit të mbylljes së sfinkterit ndërmjet ezofagut dhe stomakut. Nëse shkaku i djegieve në stomak është hernia diafragmale, kryhet trajtimi i saj me rrugë kirurgjikale.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.