Matja e zgjatur e ph (Matja 24 orëshe e ph, Matja ezofageale e ph, Monitorimi afatgjatë i ph)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është matja e zgjatur e ph?
Matja e zgjatur e ph, ose matja ezofageale e ph, bën të mundur zbulimin e pranisë së një refluksi të acidit të stomakut drejt ezofagut, dhe vlerësimin e shkallës së tij. Sëmundja korresponduese quhet "refluks gastro-ezofageal", ose shkurt SRGE. Matja e zgjatur e ph kryhet për 24 orë me ndihmën e një tubi të hollë të posaçëm.
Ai është një ekzaminim i fushës së Gastro-Hepatologjisë, që është degë e Mjekësisë së brendshme.
A kërkon ndonjë përgatitje të veçantë ky ekzaminim?
Matja e zgjatur e ph kërkon që pacienti të jetë esëll, pra të mos ketë konsumuar asnjë ushqim 6 orë përpara ekzaminimit, dhe të mos ketë pirë asgjë 4 orë përpara ekzaminimit. Medikamentet e mëngjesit mund të merren me një gllënjkë ujë. Medikamentet që pacienti përdor për problemet e stomakut ose për probleme të tjera, që mund të kenë ndikim mbi acidin e stomakut, duhet të ndërpriten disa ditë përpara ekzaminimit. Mjeku jep udhëzimet e nevojshme për çdo rast.
Çfarë duhet të sqarohet përpara ekzaminimit?
Nuk nevojitet asnjë sqarim i veçantë përpara këtij ekzaminimi.
Si realizohet matja e zgjatur e ph?
Pasi kryhet mpirja (anestezia) lokale e mukozës së hundës dhe të fytit me ndihmën e një sprai, një tub tepër i hollë që mat ph futet nëpërmjet hundës, deri në pjesën e poshtme të ezofagut, me pacientin në pozicion gjysëm në këmbë. Tubi i matjes fiksohet në hundë me një ngjitës dhe mbahet aty për 24 orë. Fundi i tubit është i lidhur me një aparat të lëvizshëm regjistrimi, që ruan vlerat e matura të ph për të gjithë kohëzgjatjen e ekzaminimit. Gjatë kësaj kohe, pacienti duhet të praktikojë aktivitetet normale, të përditshme, të hajë dhe të pijë si zakonsisht dhe të flejë në pozicionin shtrirë. Orët e vakteve, të gjumit, të marrjes së medikamenteve dhe të simptomave të mundshme shënohen në një regjistër për t’i krahasuar më vonë me vlerat e matura.
Kur përdoret matja e zgjatur e ph?
Matja e zgjatur e ph shërben për të ekzaminuar pacientët që paraqesin simptoma të refluksit gastro-ezofageal dhe me rezultate normale në gastroskopi. Gjithashtu, ajo shërben edhe për planifikimin e një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe për kontrollin e mjekimit pas një ndërhyrjeje kundër refluksit.
Arsyet e shpeshta për matjen e zgjatur të ph janë:
- Refluksi gastro-ezofageal
- Urthi
- Dhimbjet e pashpjegueshme prapa dërrasës së kraharorit
- Kolla kronike
- Dhimbjet e pashpjegueshme në zonën e stomakut
- Astma bronkiale
- Përpara çdo operacioni për eleminimin e refluksit të acidit të stomakut drejt ezofagut
A paraqet rreziqe ose efekte të padëshiruara matja e zgjatur e ph?
Ky ekzaminim është i padhimbshëm dhe i parrezikshëm. Tubi që futet në grykë është relativisht i hollë, por mund të provokojë një refleks të përzieri, të përziera ose të vjella. Gjithsesi, pjesa më e madhe e pacientëve e tolerojnë mirë tubin, pasi përshtaten shpejt me të.