Rënia në peshë (Dobësimi, Humbja e peshës, Kaheksia, Pesha e pamjaftueshme)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)
Rënia në peshë nënkupton në përgjithësi pakësimin e masës trupore. Kjo mund të jetë e vullnetshme në kuadër të një regjimi ushqimor me pak kalori, ose e pavullnetshme, si simptomë e një sëmundjeje të caktuar. Në mjekësi, një rënie e pavullnetshme në peshë, me më shumë se 10% të peshës trupore brenda një periudhe kohore prej 6 muajsh, duhet të konsiderohet sinjal paralajmërues.
Nga njëra anë, rënia e pavullnetshme në peshë mund të mos dallohet ose të konsiderohet pozitive. Nga ana tjetër, disa persona e egzagjerojnë me rënien në peshë, duke u ankuar për sëmundje malinje. Rënia në peshë bëhet e dukshme kur rezervat yndyrore të organizmit janë harxhuar dhe masa muskulare fillon të pakësohet. Në këtë stad flitet për peshë të pamjaftueshme. Kur rënia në peshë është ekstreme, mund të shfaqet gjendja e kequshqyerjes. Flitet për Kaheksi kur rënia në peshë është ektreme dhe e lidhur me një sëmundje të rëndë (psh.kancer).
Përgjithësisht dallohet rënia në peshë gjatë të cilës oreksi është normal ose i shtuar, nga një humbje e peshës ku oreksi është i pakësuar. Simptomat, përveç rënies së padëshiruar në peshë, mund të orientojnë mjekun për shkakun e saj. Ja disa shembuj shkaqesh:
- Çrregullimet e sjelljes ndaj ushqimit, të tilla si konsumi i sasive të mëdha të ushqimit dhe provokimi i të vjellave (bulimia).
- Hipertireoza, ku rënia në peshë shoqërohet me oreks të shtuar, djersitje, axhitim, diarre ose gushë.
- Diabeti i sheqerit, ku rënia në peshë shoqërohet me oreks të shtuar, etje ekstreme, urinim të shpeshtë, lodhje trupore, vonesë në mbylljen e plagëve.
- Kanceri ose infeksionet kronike (si psh. tuberkulozi), ku rënia në peshë shoqërohet me temperaturë dhe djersitje gjatë natës.
Simptomat shoqëruese të rënies në peshë janë:
- mungesa e oreksit
- dobësia e përgjithshme trupore
- mungesa e menstruacioneve
- ndjeshmëria ndaj infeksioneve
- simptomat gastro-intestinale (të përzierat, të vjellat, diarrea).
Rënia në peshë mund të ketë shkaqe të shumta, që variojnë nga një ushqyerje e pamjaftueshme, në çrregullimet psiqike ose mendore, ose edhe si një efekt dytësor i abuzimit me alkoolin ose përdorimi i medikamenteve.
Shkaqet e rënies në peshë me një oreks normal ose të shtuar janë:
- Çrregullimet e metabolizmit: hipertireoza, diabeti i sheqerit
- Infeksionet gastro-intestinale dhe sëmundjet që shkaktojnë diarre.
- Infeksionet parazitare të zorrës
- Sëmundjet inflamatore të zorrës (psh. sëmundja Kron ose Koliti ulçeroz)
- Përdorimi i ushqimeve të dëmshme në rastin e sëmundjes celiake ose intolerancës ndaj glutenit
- Alergjitë ushqimore (intolerancat ndaj laktozës ose fruktozës)
- Inflamacioni kronik i pankreasit (pankreatiti)
Shkaqet e rënies në peshë kur oreksi është i pakësuar janë:
- Infeksionet kronike (psh. tuberkulozi, SIDA)
- Insufiçienca e avancuar e zemrës
- Insufiçienca e veshkave
- Insufiçienca e gjendrave mbiveshkore (sëmundja Adison)
- Tumoret
- Efektet dytësore të medikamenteve
- Çrregullimet e lidhura me ushqyerjen: anoreksia, bulimia
- Sëmundjet psiqike: depresioni, sindromi kufitar
- Stresi
Shëndeti i mirë fizik dhe psiqik favorizohet nga mënyra e shëndetshme e jetesës, që konsiston në ushqyerjen e ekuilibruar, aktivitetin fizik të regullt, konsumin e kufizuar të alkoolit dhe evitimin e nikotinës. Të gjitha këto ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve, dhe mund të shoqërohen me rënie në peshë.
Në parim, rekomandohet kryerja e kontrrolleve të rregullta mjekësore, përfshirë edhe depistimin për sëmundjen e kancerit. Nëse rënia në peshë është e lidhur me një sëmundje tashmë të njohur, si fillim duhet të stabilizohet pesha trupore dhe të kompensohet rënia në vazhdim. Në këtë drejtim mund të ndihmojë një mjek ose një specialist i ushqyerjes.
Më shpesh, një rënie e lehtë në peshë është pa pasoja dhe mund të shpjegohet me ndryshimin e mënyrës së ushqyerjes ose stilit të jetesës. Nga ana tjetër, nëse rënia në peshë është e pavullnetshme dhe e pashpjegueshme, duhet të konsultoheni gjithmonë me një mjek për të gjetur shkakun e saj. Në veçanti, një rënie në peshë e rëndësishme, që shfaqet brenda një kohe të shkurtër dhe shoqërohet nga simptoma të tjera, duhet të vlerësohet nga mjeku. Rënia ekstreme në peshë si pasojë e çrregullimeve të ushqyerjes, mund të çojë deri në vdekjen e pacientit nëse nuk trajtohet.
Përcaktimi i peshës normale bazohet në përllogaritjen e BMI (Indeksi i masës trupore - IMT), ku vlera normale varion ndërmjet 18 dhe 25. Kur pesha trupore rezulton 15 % më pak se pesha normale, rekomandohet konsulta me mjekun.
Me cilin mjek duhet të konsultoheni?
- Mjeku i familjes
- Mjeku internist
- Mjeku gastro-enterolog
- Mjeku endokrinolog
- Mjeku onkolog
- Psikologu/ Psikoterapisti
- Mjeku nutricionist
Për të patur një tablo sa më të qartë për problemet aktuale dhe shkaqet e mundshme të tyre, mjeku fillimisht njihet me historinë mjekësore personale të pacientit (anamneza) dhe kryen egzaminimin klinik me mjete të thjeshta (vëzhgimi, analiza, palpacioni, auskultacioni, testet funksionale, etj). Më pas, duke u bazuar tek anamneza dhe egzaminimi trupor, mjeku mund të rekomandojë edhe egzaminime të tjera më specifike, sipas rastit.
Historia mjekësore personale (anamneza) bazohet tek:
- Pyetjet që kanë të bëjnë me rënien në peshë: prej sa kohësh është konstatuar, sa kilogramë, për sa kohë, nëse është shfaqur pas një periudhe me peshë të qëndrueshme apo me shtim në peshë, si është oreksi, sasia e kalorive ditore të marra me ushqim, etj.
- Zakonet e ushqyerjes, ndryshimi i ushqyerjes, ndryshimi i aktivitetit fizik
- Probleme të mundshme të lidhura me jashtëqitjen dhe urinimin
- Simptoma shoqëruese (shih më sipër)
- Sëmundje të mëparshme dhe aktuale, si: sëmundjet infektive, diabeti i sheqerit, sëmundjet e gjendrës tiroide, sëmundjet e zemrës ose mushkërive, tumoret, terapi për kancerin, etj.
- Sëmundje të rëndësishme ose shkaqe vdekjesh në familje
- Alergjitë e mundshme
- Gjendja psikologjike e pacientit
- Përdorimi i medikamenteve
- Kushtet e jetesës, aspekti social dhe profesional
- Mënyra e jetesës: ushqyerja, gjumi, përdorimi i stimulantëve (kafeja, alkooli, nikotina, medikamentet), stresi, etj.
Egzaminimi fizik
Pas matjes së gjatësisë dhe peshës trupore, mjeku përllogarit BMI, dhe vlerëson gjendjen e ushqyerjes së pacientit, duke kërkuar për shenja të mungesës së elementëve ushqimore. Më pas, ai kryen egzaminimin e përgjthshëm dhe atë neurologjik. Tek të moshuarit, duhet të kontrrollohet gjendja e dhëmbëve, pasi edhe një zëvendësim jokorrekt i dhëmbëve mund të shkaktojë kufizim të ushqyerjes dhe për pasojë, edhe rënie në peshë.
Egzaminime të tjera specifike diagnostike:
- Analizat e gjakut: formula e gjakut, treguesit e inflamacionit, niveli i sheqerit në gjak, vlerat specifike të organeve të ndryshme (si gjendra tiroide, veshka, mëlçia, pankreasi).
- Analiza e feçeve (kur dyshohet për parazitë)
- Testi i gjakut okult (jo të dukshëm) në feçe
- Ekografia e organeve të barkut
- Egzaminime imazherike, si skaneri (CT) ose rezonanca magnetike (MRI)
Më tepër informacione lidhur me diagnozën mund të gjeni në informacionet kryesore të sëmundjeve përkatëse.
Trajtimi i rënies në peshë bazohet gjithmonë tek shkaku. Kur zgjidhet shkaku, pesha përgjithësisht stabilizohet. Ja disa shembuj trajtimesh:
- Ndryshimi i mënyrës së ushqyerjes në rastet e kequshqyerjes ose të ngrënies së mangët.
- Trajtimi i sëmundjeve psiqike, kur rënia në peshë është simptomë e tyre.
- Në rastin e shkaqeve psiqike, si anoreksia, rekomandohet trajtim psikologjik për të ekuilibuar marrëdhëniet me ushqimin.
Për të evituar një tjetër rënie në peshë ose për të arritur peshën normale, shpesh është e nevojshme terapia e lidhur me ushqyerjen. Sipas rastit, ajo mund të konsistojë në masat e mëposhtme:
- Ushqyerje normale, e pasur në kalori dhe proteina
- Ushqyerje me anën e sondës gastrike (të stomakut)
- Ushqyerje artificiale me rrugë venoze.