Kolla e mirë
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Kolla e mirë është një sëmundje infektive tepër ngjitëse, që shkaktohet nga bakteriet. Ajo prek më shpesh të porsalindurit dhe foshnjat, kryesisht vajzat, por mund të konstatohet edhe tek të rriturit.
Falë fushatave të gjera të vaksinimit të popullatës kundër kollës së mirë, ajo haset gjithnjë e më rrallë dhe ecuria e saj është më e lehtë.
Sëmundja transmetohet nëpërmjet thithjes gjatë frymëmarrjes së spërklave të infektuara. Në këtë mënyrë, bakteriet depërtojnë në sistemin e frymëshkëmbimit, duke shkaktuar kriza të kollës, që mund të kërcënojnë jetën e të sëmurit, për shkak të vështirësisë në frymëmarrje.
Periudha e inkubacionit (nga momenti i infektimit deri në momentin e shfaqjes së simptomave të para) për kollën e mirë zgjat nga 1-3 javë.

Sëmundja e kollës së mirë karakterizohet nga 3 faza:
Faza fillestare (katarale)
Kjo fazë zgjat 1-2 javë dhe fillon në mënyrë tipike, me këto simptoma:
- Teshtitje, rrufë, ngjirje të zërit, kollë
- Ngritje të lehtë të temperaturës
- Skuqje të konjuktivave (pjesës së brendshme të qepallave të syve)
Faza spastike:
- Zgjat 1-2 javë dhe karakterizohet nga:
- Kriza të forta dhe të shpeshta të kollës, më shpesh gjatë natës, që e mundojnë fëmijën dhe nuk e lënë atë të flejë.
- Fëmija tërheq gjuhën kur kollitet dhe merr frymë me vështirësi
- Kolla shoqërohet me gëlbazë të trashë, viskoze, që mund të pasohet me të vjella.
- Vështirësia në frymëmarrje, që është karakteristike për këtë fazë, mund të rrezikojë jetën e pacientit. Fëmija paraqet në mënyrë karakteristike sy të skuqur (si të gjakosur në brendësi).
Presioni i lartë i shkaktuar nga kolla mund të pengojë kthimin e gjakut nga koka për në kafazin e kraharorit. Për pasojë, enët e gjakut të syve rrezikojnë të shpërthejnë. Vështirësia në frymëmarrje e këtyre të sëmurëve mund të shkaktojë tek ata ndjesinë e mbytjes dhe kriza shoqëruese paniku.
Tek foshnjat, krizat e kollës janë më të lehta. Por tek ata egziston rreziku i një ndërprerjeje të papritur të frymëmarrjes.
Pas këtyre krizave, kolla zhduket për periudha të shkurtra ose të gjata kohore. Pikërisht këto periudha qetësie duhet të shfrytëzohen për të ushqyer fëmijën, me qëllim që të rimarrë fuqitë e humbura gjatë krizave.
Faza e rimëkëmbjes (shërimit)
Fëmija rimëkëmbet pak nga pak, krizat e kollës nuk janë më aq të forta, bëhen më të rralla, dhe nuk shoqërohen më nga të vjellat. Fëmijës i rikthehet oreksi. Gjithsesi, krizat e rralla të kollës mund të vazhdojnë edhe për disa javë të tjera.

Të gjitha rastet që paraqesin kollë jospecifike, ose që janë të dyshimta për kollë të mirë, duhet të konsultohen patjetër nga një mjek. Diagnoza e kollës së mirë vendoset në bazë të:
- Informimit të mjekut në mënyrë të detajuar lidhur me historinë e sëmundjes, simptomat e pacientit, dhe mundësinë e kontaktit të tij me persona të tjerë të prekur nga kolla e mirë.
- Egzaminimi i kujdesshëm trupor, me dëgjimin me stetoskop (auskultacionin) dhe perkusionin (egzaminim i thjeshtë, që konsiston në goditjen e gishtit të mesit të dorës së vendosur mbi sipërfaqen që duhet të egzaminohet, me gishtin e mesit të dorës tjetër) në zonën e kraharorit dhe shpinës.
- Egzaminimi i sekrecioneve (gëlbazës) për të identifikuar agjentin shkaktar.
- Provokimi i kollës duke ushtruar presion mbi gjuhën e nxjerrë jashtë, me ndihmën e një lopatëze (spatul).
Megjithëse simptoma të ngjashme me këtë sëmundje shkaktojnë edhe infeksione të tjera bakteriale, ato janë më të lehta se simptomat e kollës së mirë.

Masat e përgjithshme
Ajri i lagësht i lehtëson krizat e kollës. Nëna mund të qëndrojë me fëmijën në banjë dhe të lëri të rrjedhë nga çesma ujin e nxehtë deri në formimin e avullit të nxehtë. Medikamentet kundër kollës nuk rekomandohet të përdoren, pasi nuk japin asnjë efekt në rastin e kollës së mirë.
Gjatë krizave të kollës, fëmija duhet të mbahet nga një person i rritur, mundësisht nëna, në pozicionin ulur, me trupin drejt dhe kokën të përkulur përpara. Kjo mënyrë jo vetëm i lehtëson kollën, por edhe e bën fëmijën të ndihet më i sigurt dhe të ketë më pak frikë.
Trajtimi i foshnjave duhet të kryhet në kushte spitalore.
Klima e zonave malore është e dobishme për pacientët me kollë të mirë.
Medikamentet
Antibiotikët: sa më herët të fillohet trajtimi me to, aq më të mëdha janë mundësitë e shërimit të shpejtë, pa ndërlikime. Gjithashtu, përdorimi i tyre eviton infektimin e personave të tjerë, pra parandalon epidemitë e mundshme.Në rast nevoje, rekomandohet përdorimi i medikamenteve që ulin temperaturën, në formën e suposteve.
Infektimi për herë të parë nga Bordetela pertussis nuk i siguron organizmit asnjë imunitet (mbrojtje) të përhershëm kundër kollës së mirë. Madje, edhe personat e moshuar mund të preken përsëri nga sëmundja.
Me qëllim që të evitohen ndërlikimet e rënda, kolla e mirë duhet të trajtohet në mënyrë të detyrueshme.
Organizmi i dobësuar nga kolla e mirë mund të preket lehtësisht nga infeksione të tjera, si:
- Bronkiti (inflamacioni i bronkeve)
- Pneumonia (inflamacioni i mushkërive)
- Otiti i mesëm (inflamacioni i veshit të mesëm)
- Encefaliti (inflamacioni i trurit), që përfaqëson një ndërlikim të frikshëm, që mund të shkaktojë vdekjen e pacientit. Simptomat e tij janë: përgjumje, humbje të mundshme të vetëdijes, paraliza, çrregullime mendore, çrregullime të shikimit dhe crregullime të dëgjimit, konvulsione (dridhje të forta të trupit).
