logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Shytat: sëmundje infektive mjaft ngjitëse.
Shytat: sëmundje infektive mjaft ngjitëse.

Shytat manifestohen me ënjtje të gjëndrave parotide (gjëndrave të pështymës), prandaj dhe termi mjekësor i këtij fenomeni është “parotit”.

Kjo sëmundje është tepër ngjitëse, shfaqet kryesisht tek fëmijët, por edhe të rriturit mund të preken prej saj. Shytat bëjnë pjesë tek sëmundjet me deklarim të detyrueshëm.

Falë fushatave të vaksinimit në shkallë të gjerë, epidemitë e tyre janë eleminuar
Virusi i shytave përhapet nëpërmjet spërklave të pështymës. Infeksioni pasohet nga një imunitet i përhershëm i organizmit ndaj tij.
Shytat: ënjtje e dukshme e gjëndrës parotide.
Shytat: ënjtje e dukshme e gjëndrës parotide.

Periudha e inkubacionit (koha ndërmjet momentit të infektimit dhe fillimit të simptomave) është rreth 12 deri në 25 ditë. Periudha e ngjitshmërisë fillon rreth dy ditë para ënjtjes së nyjeve limfatike dhe përfundon rreth 9 ditë pas normalizimit të madhësisë së tyre.

Një shenjë tipike e sëmundjes është ënjtja e njëanshme e gjëndrave parotide (parotit). Pacienti ka njërën faqe të fryrë, si brejtës.

Simptoma të tjera

  • Çrregullime të përtypjes dhe të gëlltitjes
  • Temperaturëshumë e lartë
  • Nyjet limfatiketë fryra në qafë
  • Inflamacion i mukozës së gojës

Virusi mund të prekë edhe organet e tjera:

  • Pankreasi: manifestohet me dhimbje të barkut, humbje e oreksit, të vjella, jashtëqitje të yndyrshme për shkak të tretjes jo normale.
  • Meningjet: (cipat e trurit): manifestohet me dhimbje koke, ngurtësim i qafës; kjo është një shenjë e meningjitit, i cili, gjithsesi, shpesh është e parrezikshëm.
  • Testikujt: parotiti shkakton inflamacion të dhimbshëm të testeve (orkit); kur ndodh në pubertet ose në moshë madhore ai mund të shkaktojë shterpësi (infertilitet).
  • Vezoret: Inflamacioni i vezoreve tek femrat mund të çojë gjithashtu në shterpësi, që gjithsesi është shumë e rrallë.

Shytat: zbulimi i agjentit shkaktar në pështymë, urinë ose lëngun e trurit.
Shytat: zbulimi i agjentit shkaktar në pështymë, urinë ose lëngun e trurit.

Mjeku e përcakton diagnozën e parotitit (shytave) duke u bazuar tek:

  • Historia e pacientit, duke marrë informacion mbi simptomat, si dhe për kontaktin e mundshëm të tij me fëmijë të tjerë me shyta.
  • Mjeku e dallon sëmundjen nga shenjat tipike të saj, të tilla si ënjtja e gjendrave parotide dhe faqja e fryrë.
  • Përcaktimi i antitrupave në gjak
  • Identifikimi i agjentit patogjen me anë të materialit të marrë në pështymë, në lëngun truno-shpinor, në urinë ose në mostrën e indeve kur është e nevojshme.
Shytat: pushimi në shtrat dhe izolimi.
Shytat: pushimi në shtrat dhe izolimi.

Nuk ka asnjë medikament specifik për virusin e parotitit. Trajtimi synon të lehtësojë simptomat. Në çdo rast këshillohet konsulta me mjekun. Përveç kësaj, fëmija duhet të mbahet i izoluar, pasi rreziku i ngjitshmërisë është shumë i lartë.

Masat e përgjithshme

  • Kompresa të lagura për të ulur temperaturën
  • Kompresa të ftohta rreth qafës, në faqe, në testikuj
  • Pirja e ujit në sasi të mëdha
  • Qëndrimi në shtrat në rast të temperaturës së lartë dhe inflamacionit të testikujve
  • Ushqimi në formën e puresë dhe supërave normalizon sekrecionin e pështymës, gjë që përmirëson gëlltitjen e fëmijës.
  • Higjiena e mirë e dhëmbëve me gargarë të rregullt me një solucion dezinfektues.

Medikamentet

  • Antipiretikët, për uljen e temperaturës
  • Analgjezikët, për qetësimin e dhimbjeve.

Shytat (parotiti) mund të shkaktojnë:

  • Ulje të aftësisë së dëgjimit për shkak të dëmtimeve të veshit të mesëm
  • Djemtë me inflamacion të testeve ose epididimit mund të shfaqin shterpësi pas pubertetit.
  • Prekja e organeve të tjera (siç përshkruhet më sipër)
  • Nëse shytat zhvillohen gjatë shtatzënisë, mund të çojnë në lindje të parakohshme.
Shytat: vaksinimi mbron edhe të tjerët.
Shytat: vaksinimi mbron edhe të tjerët.
Vaksinimi (vaksinimi aktiv me viruse të gjalla të dobësuara) është masa më efektive parandaluese e parotitit. Vaksinimi siguron mbrojtje për shumë dekada. Ai është veçanërisht i rekomandueshëm për fëmijët dhe të rriturit, të cilët janë në kontakt të shpeshtë me fëmijët dhe nuk i kanë kaluar shytat kurrë më parë. 
Fëmijët mund të vaksinohen për parotitin duke filluar nga mosha 15 muajsh, me një vaksinë të kombinuar fruth-shyta-rubeolë (MMR).

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.