logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Çrregullimet psikosomatike: dhimbje fizike për shkak të vuajtjes mendore.
Çrregullimet psikosomatike: dhimbje fizike për shkak të vuajtjes mendore.

Dyshohet për çrregullime psikosomatike sa herë që një person paraqet shqetësime (simptoma) fizike, për të cilat nuk gjendet asnjë shpjegim mjekësor. Pra, ato përfaqësojnë çrregullime psiqike (mendore), që manifestohen me simptoma fizike (trupore).

Një nga karakteristikat e këtyre çrregullimeve është që personi, në kërkim të një shpjegimi mjekësor për shqetësimin fizik, konsultohet me mjekë të ndryshëm, duke kryer shumë egzaminime mjekësore, por gjithsesi pa rezultat.

Në personat me çrregullime psikosomatike dominojnë simptomat e përgjithshme, të tilla si lodhja, dobësia e theksuar trupore dhe dhimbjet. Gjithashtu të shpeshta janë edhe çrregullimet e lidhura me zemrën dhe qarkullimin e gjakut në organizëm, si dhe ato të lidhura me sistemin e tretjes.

Si shkak i lindjes së çrregullimeve psikosomatike konsiderohet kombinimi i disa faktorëve, përmes të cilëve më kryesorët janë faktorët biologjikë, psiqikë (mendorë) dhe shoqërorë. Është ende në diskutim roli i predispozitës gjenetike (trashëgimisë) në këtë drejtim. Rolin kryesor duket se e luajnë faktorët psikoshoqërorë, që janë:

  • Stresi i përhershëm, që çon në çrregullim të funksionit të organeve.
  • Rrethi i mbyllur i krijuar nga simptomat fizike, që çojnë në shfaqjen e frikës, e cila i rëndon simptomat.
  • Konfliktet psiqike shpesh të pavetëdijshme, si frika, tërbimi, zemërimi, që manifestohen me simptoma fizike.
  • Pacientët me çrregullime psikosomatike shpesh referojnë të kenë përjetuar ngjarje të dhimbshme gjatë jetës së tyre, të tilla si divorci, vdekja e të dashurit, alkoolizmi apo abuzimi seksual.

Simptomat e pacientëve me çrregullime psikosomatike janë të ndryshueshme dhe mund të prekin organe të ndryshme. Ndër simptomat më të shpeshta mund të përmendim:

Çrregullimet psikosomatike: bisedat mund të zbulojnë shkaqet.
Çrregullimet psikosomatike: bisedat mund të zbulojnë shkaqet.

Shpesh, pacientët me çrregullime psikosomatike klasifikohen nga mjekët si persona «të vështirë». Shpesh, pas kërkimit të gjatë të një arsyeje mjekësore që të shpjegojë problemet e tyre fizike, mjeku nuk arrin në një diagnozë të vërtetë. Pacientët nuk e kuptojnë pse mjeku nuk gjen asnjë sëmundje, me gjithë simptomat që ato paraqesin. Në këto kushte, shpesh mjeku e këshillon pacientin të konsultohen më një tjetër specialist, i cili gjithashtu nuk arrin ta nxjerrë atë nga rrethi i mbyllur i krijuar.

Nëse mjeku, në një moment ose në një tjetër, hedh idenë që çrregullimi mund të jetë me origjinë psiqike (mendore), shumë pacientë ndihen të refuzuar dhe mendojnë se simptomat e tyre nuk janë marrë seriozisht nga mjeku.

Për pasojë, shumë pacientë kalojnë nga një specialist tek tjetri, për një periudhë të gjatë kohore, përpara se të zbulohen simptomat e tyre psikosomatike.

Çrregullimet psikosomatike: relaksimi mund të bëjë shumë mirë.
Çrregullimet psikosomatike: relaksimi mund të bëjë shumë mirë.

Trajtimi i çrregullimeve psikosomatike është përgjithësisht i gjatë dhe i vështirë. Shumë prej pacientëve përshkojnë një rrugë të gjatë e të kushtueshme, përpara se sëmundja e tyre të mund të diagnostikohet.

Ndërkohë, simptomat e tyre rëndohen dhe shpeshtohen. Fillimi sa më i hershëm i trajtimit është tepër i rëndësishëm, pasi edhe nëse nuk arrin t’i zhdukë plotësisht simptomat, ai mund t’i lehtësojë ato.

Gjatë trajtimit, është thelbësore marrëdhënia e besimit të ndërsjellë ndërmjet mjekut dhe pacientit. Për këtë, mjeku duhet t’i vlerësojë me seriozitet të gjitha simptomat që paraqet pacienti, në mënyrë që të orientohet sa më mirë për diagnostikimin e tij. Pacienti duhet të informohet mbi çrregullimet psikosomatike dhe lidhjet e forta ndërmjet proçeseve fizike dhe atyre psiqike (mendore).

Masat e përgjithshme

Mënyrën e shëndetshme të jetesës, që konsiston në:

Fizioterapia

Në pacientët me çrregullime psikosomatike rekomandohet kryerja e kinezioterapisë, metodës Feldenkrais, terapisë së lidhur me frymëshkëmbimin, relaksimit funksional, terapisë së vallzimit, madje edhe terapisë së artit, që ndikojnë shpesh në lehtësimin e simptomave të pacientit.

Psikoterapia

Ky tip i trajtimit e lehtëson pacientin, nëpërmjet diskutimit me psikologun të stresit ose konflikteve psiqike, që ai nuk i menaxhon dot vetë.


 

Në kërkim të një shpjegimi mjekësor për simptomat e tyre, pacientët shpesh përshkojnë një rrugë të gjatë dhe të kushtueshme. Jo rrallë ndodh që ata t’i nënshtrohen shumë egzaminimeve mjekësore, madje edhe ndërhyrjeve kirurgjikale (operacioneve), por pa rezultat. Përdorimi i rregullt dhe i vazhdueshëm i medikamenteve qetësuese të dhimbjeve mund të provokojë efekte të padëshiruara tepër serioze dhe të shkaktojë varësi të pacientit ndaj tyre.

Çrregullimet psikosomatike shoqërohen shpesh nga depresioni dhe çrregullimet e ankthit. Mjekët ndikojnë në ecurinë e tyre, pasi vendosja e një diagnoze të gabuar nga ana e tyre mund të nxisë shfaqjen e frikërave të reja dhe të ndikojë në shpeshtimin dhe përkeqësimin e simptomave.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.