Miastenia grave (Dobësia e madhe muskulare)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Miasteni grave nga latinishtja do të thotë "dobësi e madhe muskulore", kryesisht e karakterizuar nga lodhja e muskujve. Në mënyrën klasike, lodhja muskulore përkeqësohet gjatë aktiviteteve fizike dhe përmirësohet gjatë pushimit.
Për këtë arsye, kjo sëmundje përkeqësohet gjatë mbrëmjes dhe lehtësohet gjatë natës. Miastenia grave është një sëmundje e rrallë autoimune, që shkaktohet kur sistemi ynë imunitar sulmon indet tona të shëndetshme - në rastin e miastenisë grave antitrupat shkatërrojnë muskujt.
Kjo sëmundje shfaqet më shpesh tek personat mbi 50 vjeç. Megjithatë, sëmundja mund të haset në çdo moshë, më tepër tek femrat.
Për shkak të mosfunksionimit korrekt të sistemit imunitar për arsye ende të panjohura, prodhohen antitrupa ndaj strukturave të caktuara të muskujve. Këto antitrupa bllokojnë transmetimin e impulseve nervore midis nervit dhe muskulit, që janë të nevojshme për tkurrjen muskulare. Pasojë e kësaj është bllokimi dhe lodhja muskulare.
Shkaku i saktë i miastenisë është i panjohur. Gjithsesi, dyshohet që mund të jetë i përfshirë timusi, që gjendet në pjesën e sipërme të kraharorit dhe luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin imunitar. Në moshë madhore, timusi fillon të dobësohet si funksion dhe si madhësi. Në shumicën e pacientëve me miastenia grave, timusi vazhdon të jetë i madh ose është bërë kancerogjen. Tashmë, është pranuar fakti që antitrupat që shkaktojnë miasteninë prodhohen nga gjendra e timusit.
Lodhja muskulare, e cila shtohet gjatë aktiviteteve fizike dhe pakësohet gjatë kohës së pushimit, është një simptomë klasike e miastenisë. Shpesh sëmundja manifestohet me çrregullime të shikimit, gëlltitjes ose të folurit. Me kalimin e kohës, lodhja përhapet dhe prek krahët dhe këmbët. Në raste të rënda, miastenia mund të ndikojë edhe tek muskujt e nevojshëm për frymëshkëmbimin.
Simptomat e zakonshme të miastenisë janë:
- Çrregullimet e shikimit: pamje e dyfishtë (diplopia) psh. pas një leximi të gjatë, rënia e qepallës së sipërme në njërin ose në të dy sytë (ptoza palpebrale)
- Çrregullimet e të folurit, gëlltitjes ose përtypjes, të shkaktuara nga lodhja e muskujve të fytyrës dhe qafës.
- Dobësia muskulare tek krahët dhe këmbët: paaftësi për t’i mbajtur krahët të shtrirë për 60 sekonda, vështirësi në ngjitjen e shkallëve ose në ngritjen nga pozicioni ndenjur.
- Lodhja e muskujve të frymëshkëmbimit, dispnea (vështirësi në frymëmarrje) që mund të çojë deri në mbytje.
Urgjenca: kriza miastenike
Personat me miasteni grave mund të përjetojnë papritur një përkeqësim të gjëndjes së tyre, me vështirësi në frymëmarrje, apo edhe mbytje. Një situatë e tillë njihet si kriza miastenike dhe përbën një emergjencë mjekësore, që kërkon masa të menjëhershme të trajtimit intensiv. Faktorët nxitës janë përgjithësisht të jashtëm: një infeksion i shoqëruar me temperaturë, mungesa e gjumit, alkoolizmi, stresi, marrja e barnave që përkeqësojnë simptomat e miastenisë grave ose një gabim në trajtimin e miastenissë.

Çrregullimet e përmendura më sipër dhe ekzaminimi klinik i pacientit i lejojnë mjekut të vendosë diagnozën e miastenisë grave. Si rregull i përgjithshëm, mjeku vlerëson forcën e muskujve dhe lodhjen e tyre, p.sh duke i kërkuar pacientit të mbajë krahët e tij drejt përpara sa më gjatë që të mundet.
Ekzaminimet e nevojshme për vendosjen e diagnozës së miastenisë grave janë:
- Elektromiograma (EMG): paraqitja grafike e aktivitetit muskular nxjerr në pah një lodhje jo normale të muskujve.
- Ekzaminimi me Tensilon: injektohet një medikament që quhet Tensilon dhe vëzhgohet nëse shkakton një përmirësim të përkohshëm të çrregullimit.
- Testi i gjakut: identifikimi i antitrupave të pranishëm në gjak
- CT Skaneri ose MRI (rezonanca magnetike) e kraharorit, për një zmadhim të mundshëm të timusit.

- Si fillim, miastenia trajtohet me medikamente imunosupresore (frenues të sistemit imunitar), të cilat pakësojnë çrregullimet e sistemit imunitar. Me anë të tyre situata mund të mbahet nën kontroll për një kohë të gjatë.
- Medikamente të tjera, veçanërisht ato të quajtura antikolinesterazikë, përmirësojnë transmetimin e impulsit ndërmjet nervit dhe muskulit. Këto medikamente janë efikase vetëm për një kohë të shkurtër, pasi me kalimin e kohës ato e humbasin fuqinë trajtuese. Gjithashtu, është e mundshme mbidoza e tyre, që mund të rrezikojë jetën e pacientit. Shenjat e një mbidozimi prej këtyre medikamenteve janë: të përzierat, pështyma e tepërt, dhimbjet e barkut, diarrea dhe dhimbjet e muskujve.