Djegia
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Nxehtësia e madhe mund ta djegë lëkurën. Nëse një temperaturë e lartë vepron për një kohë të gjatë mbi një sipërfaqe të lëkurës, nxehtësia nuk mund të shpërndahet shpejt dhe në mënyrë të mjaftueshme në sipërfaqen e trupit që mbetet. Kjo çon në shkatërrimin e indit të ekspozuar ndaj nxehtësisë.
Shkalla e djegies varet nga kohëzgjatja, intensiteti dhe madhësia e saj. Djegiet e vogla, të shkallës së parë, rigjenerohen në përgjithësi vetë, pa lënë shenja (cikatrice).
Djegiet në sipërfaqe të mëdha mund të lënë shenja që shëmtojnë dhe gjymtojnë pacientin. Në rastin e djegieve tepër të rënda, mund të rrezikohet edhe jeta e tij, si rezultat i gjendjes së shokut nga nxehtësia.
Pjesa më e madhe e djegieve mund të ndodhin në duar, ose në organe më pak të rëndësishme, por që u shkatërrohen nervat përgjithmonë, në mënyrë të parikthyeshme.
Djegiet mund të ndodhin nga shkaqe të ndryshme, si:
- Nxehtësia e fortë, zjarri.
- Fërkimet e vogla, si psh. nga këpuca, që shkakton shfaqjen e flluckave në këmbë, që përfaqësojnë djegie të vogla.
- Rryma elektrike, rrufeja
- Objekte të nxehta, të lëngëta ose të ngurta
- Avulli i nxehtë
- Rrezet ultravjollcë, nga ekspozimi në diell ose solari.
- Rrezatimi radioaktiv.
Djegiet klasifikohen sipas shkallës së rëndesës, e cila përcaktohet në varësi të shkatërrimit të indeve trupore.
Një tjetër faktor që ndikon në ecurinë e pacientit është shtrirja (përhapja) e djegies. Si tregues, pëllëmba e dorës është e barabartë me 1% të lëkurës së sipërfaqes trupore.
Bëhet fjalë për formën më të lehtë, ku djegia prek vetëm epidermën dhe qelizat e lëkurës nuk janë shkatërruar.
Simptomat- Dhimbje, enjtje dhe skuqje të lëkurës, si dhe ndjenja e tensionit në zonën e prekur.
- Lëkura është e butë dhe lehtësisht e enjtur.
- Lëkura riparohet brenda disa ditëve, pa lënë shenja.
Djegia e shkallës së dytë
Djegia prek epidermën dhe pjesën sipërfaqësore të dermës.
Simptomat- Skuqja e lëkurës
- Formimi i flluskave që janë të mbushura me likid, dhe nëse ato plasin, duket shtresa e dermës, me ngjyrë të kuqe të qartë.
- Rrënjët e qimeve/flokëve, gjendrat dhe nervat janë të paprekura, duke çuar në dhimbje të forta.
Djegia e shkallës së tretë
Në këtë shkallë të djegies janë dëmtuar epiderma, derma dhe hipoderma. Janë shkatërruar plotësisht qimet/flokët, gjendrat dhe enët e gjakut.
Simptomat- Djegiet janë të padhimbshme, të shoqëruara nga dëmtime të thella të lëkurës dhe copëtim (grisje) i epidermës.
- Plaga e djegies është shpesh me ngjyrë të bardhë.
- Dhimbje të forta rreth zonës së djegur.
- Rrezik i lartë për infeksione.
Djegia e shkallës së katërt
Indet janë karbonizuar, me shkatërrim të muskujve, tendineve, madje edhe të kockave.
Urgjenca
Djegiet e shkallës së tretë dhe të katërt paraqesin rrezik për gjendjen e shokut nga temperatura e larte, si pasojë e humbjeve të rëndësishme të lëngjeve dhe proteinave.
Treguesit e kësaj gjendjeje vdekjeprurëse janë:
- Djersitja e shprehur, të përzierat, dridhjet trupore, zbehtësia, rrahjet e shpejta dhe të forta të zemrës.
- Dobësimi i punes së zemrës, humbja e vetëdijes.
- 1% për pëllëmbën e dorës
- 9% për një krah, ose për një kofshë, ose për një pulpë + kokën.
- 18% për pjesën e përparme të trungut
- 18% për pjesën e pasme të trungut
- 1% për zonat gjenitale
Nëse është djegur mbi 80% e sipërfaqes së lëkurës trupore, pacienti ka shumë pak mundësi të mbijetojë.
- Në spital, personeli mjekësor kontrollon që në fillim shenjat jetësore të pacientit, ekuilibron humbjet e lëngjeve, stabilizon pacientin dhe e mjekon atë.
- Mjeku mund të shpojë flluskat dhe më pas t’i mbulojë ato me fasha sterile.
- Djegiet e hapura duhet të trajtohen me rrugë kirurgjikale. Nëse sipërfaqja e dëmtuar është e rëndësishme, mund të jenë të nevojshme disa operacione.
- Në të njëjtën kohë, duhet të trajtohen infeksionet shoqëruese.
- Duhet të lehtësohen dhimbjet
- Mund të jetë i nevojshëm transplantimi (zëvendësimi) i lëkurës.
- Kryhet fashimi i shtrënguar (kompresiv) për të evituar shenjat (cikatricet).
- Kryerja e operacionit riparues (estetik).
- Kryerja e seancave të fizioterapisë dhe ergoterapisë
- Në rastet e nevojshme, mbështetje psikologjike e specializuar e pacientit.
- Vaksinimi kundër infeksioneve.
Kur duhet të dërgohet personi i djegur tek mjeku?
Per te rriturit, kur djegia është e shkallës së dytë ose kur është dëmtuar mbi 10% e sipërfaqes trupore
- Per fëmijet, mbi 5% e siperfaqes trupore
- Foshnjat duhen konsultuar menjëherë nga mjeku, pavarësisht nga përqindja e djegies.
- Në rastet e djegieve të duarve, këmbëve, fytyrës ose zonave gjenitale.
- Në rastin e aksidenteve në punë.
- Në rastin e djegieve të përhapura, duhet njoftuar menjëherë shërbimi i urgjencës mjekësore, për të transportuar të djegurin në kushte optimale mjekësore deri në spitalin e djegieve.
Procedurat emergjente (ndihma e parë)
Rregulli numër 1 në raste djegiesh është: personi që jep ndihmën e parë nuk duhet të rrezikojë jetën e tij. Në rast zjarri duhet të njoftohen menjëherë zjarrfikësat dhe urgjenca mjekësore. Deri në mbërritjen e tyre:
- Shuani zjarrin në rrobat, me ndihmën e batanijeve ose peshqirëve, që duhet të jenë mundësisht të lagura.
- I djeguri duhet të rrokulliset dhe të spërkatet me ujë.
- Përdorni fikëset e zjarrit kundër çdo objekti që digjet, sepse janë pajisjet e vetme të përshtatshme në të tilla situata. Kujdes: këto pajisje nuk duhet të përdoren mbi fytyrën e një personi.
- Mos i hiqni indet e djegura, por ende të fiksuara në lëkurë, pasi mund të përkeqësoni dëmtimin gjatë përpjekjes për t’i hequr ato.
- Mbulojeni të djegurin, që mos të ketë ftohtë.
- Personi i djegur mund të ketë haluçinacione (vegime) për shkak të gazrave helmuese që ka thithur. Për këtë arsye, mos e lini vetëm për asnjë çast dhe qëndroni pranë tij.
- Mos i jepni të pijë lëngje.
- Kontrolloni frymëmarrjen, pulsin dhe gjendjen e vetëdijes. Rregulli është: nëse personi i djegur ka probleme me frymëmarrjen, duhet të fillohet menjëherë frymëmarrja gojë më gojë; nëse ka ndaluar zemra, duhet të kryhet masazhimi i saj dhe goditja elektrike (me defibrilator).
- Nëse personi ka humbur vetëdijen, por merr frymë: duhet të vendoset në pozicionin anësor të sigurisë, me këmbët e ngritura. Nëse personi ka humbur vetëdijen dhe nuk merr frymë: duhet ta vendosni shtrirë mbi shpinë dhe filloni frymëmarrjen gojë më gojë.
- Nëse i djeguri mund të durojë, hiqjani ngadalë dhe me kujdes veshjet nga trupi.
- Freskoni plagët me ujë dhe mbulojini ato me fasho sterile (mos e ngjitni fashon) ose një copë të pastër. Mos vendosni mbi plagë xhel, krem, vaj ose pudër.
Trajtimi i djegieve të lehta (të shkallës së parë), sipërfaqja e të cilave është nën 10% të sipërfaqes së lëkurës së trupit:
- Të vendoset zona e djegur në ujë të rrjedhshëm (jo të ngrirë) për të paktën 15 minuta.
- Vendosni mbi zonën e djegur akull të futur brenda një cope.
- Aplikoni një xhel ose sprai kundër djegies, vetëm nëse plaga nuk është e hapur.
- Në rastin e djegies nga dielli, mund të aplikohet e bardha e vezës mbi lëkurën e djegur.
- Ndërlikimet e menjëhershme pas djegieve të mëdha janë infeksionet, ulja e temperaturës trupore dhe humbja e madhe e lëngjeve, të gjitha potencialisht fatale për jetën.
- Tek të gjithë të djegurit egziston mundësia e problemeve të frymëshkëmbimit, të tilla si kolla, vështirësia në frymëmarrje apo mungesa e oksigjenit, të shkaktuara nga thithja e tymit. Këta pacientë duhet të marrin oksigjen, madje të vendosen në frymëmarrje artificiale.
- Shkalla e mbijetesës së personit të djegur dhe ecuria e tij përcaktohen jo vetëm nga shkalla dhe përhapja e djegieve, por edhe nga sëmundje të tjera të pranishme, si diabeti i sheqerit, duhanpirja, konsumi i alkoolit, problemet e rënda metabolike, etj. Në rastet me djegie të rënda, veçanërisht tek personat e moshuar, këto sëmundje ndikojnë negativisht në proçesin e shërimit.
- Shkalla dhe përhapja e dëmtimeve janë përgjegjëse për vuajtjet e pacientit. Edhe një djegie e shkallës së dytë që nuk prek më shumë se 5% të fytyrës, e dëmton në mënyrë dramatike cilësinë e jetës së pacientit.
- Shtrirja e cikatrices (shenjës së djegies) nuk është e parashikueshme. Nëse djegiet prekin edhe kyçet, mund të shfaqen probleme me lëvizjet. Mungesa e ndjeshmërisë në prekje mund të mbetet për gjithë jetën.
- Domosdoshmëria e trajtimeve afatgjata dhe prania e pasojave të përhershme shkaktojnë shpesh probleme psikologjike. Për këtë arsye, në këta pacientë mund të jetë i nevojshëm këshillimi me psikologun.
- Mbi 80% e rasteve me djegie prekin duart. Edhe pse këto të fundit nuk përbëjnë më shumë se 3% të sipërfaqes së lëkurës së trupit, Shoqata Amerikane e Djegieve i konsideron djegiet e duarve si të rënda, pasi edhe dëmtimet e vogla të tyre mjaftojnë për të pakësuar ndjeshëm shkallën e përdorimit të tyre.