Fibromialgjia (Reumatizma e indeve të buta)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Karakteristike e fibromialgjisë janë dhimbjet e forta, kryesisht në nivelin e muskujve dhe tendineve, veçanërisht në prekjen e këtyre zonave.
Sëmundja prek kryesisht femrat me moshë nga 30-40 vjeç. Gjithesi, mund të shfaqet edhe tek adoleshentët dhe femrat pas menopauzës.
Shkaqet e vërteta të fibromialgjisë nuk janë ende të njohura.
Gjithsesi, në zhvillimin e saj duket se luajnë rol faktorët e mëposhtëm:
- Dhimbjet kronike në nivelin e aparatit lokomotor (muskulo-skeletik, ku përfshihen muskujt, tendinet dhe ligamentet).
- Rritja e ndjeshmërisë ndaj dhimbjes në nivelin e trurit.
- Ndikimi i faktorëve psiqikë: në fakt, është e vështirë të përkufizohet nëse fibromialgjia ndikon në proçeset psiqike, apo ndodh e kundërta.
- Prania e sëmundjeve të tjera të aparatit lokomotor (si psh. hernia diskale).
- Lëndimet ose gjendjet pas operacioneve.
- Sëmundjet autoimune
- Çrregullimet metabolike të muskujve
- Pagjumësia mund të jetë në origjinën e një fibromialgjie, ashtu sikurse edhe fibromialgjia mund të shkaktojë çrregullime të gjumit.
- Shfaqja e fibromialgjisë më shpesh brenda anëtarëve të disa familjeve supozon për predispozicionin gjenetik (tendencën për t’u trashëguar).
Simptomat kryesore të fibromialgjisë janë dhimbjet në nivelin e muskujve dhe tendineve. Fillimi i sëmundjes është i heshtur dhe përparimi i saj është i ngadaltë. Dhimbjet mund të kenë intensitet të ndryshëm, në varësi të stinës.
Kështu, ato janë më të theksuara kur moti është i ftohtë dhe i lagësht, dhe më të lehta në mot të nxehtë dhe të thatë.
Dhimbjet ndikojnë negativisht në cilësinë e jetës së shumë personave me fibromialgji. Ato kanë këto karakteristika:
- janë të shpërndara, në të dy anët e trupit
- janë të forta dhe të vazhdueshme, kryesisht në nielin e muskujve dhe tendineve
- në palpacion (prekje) dhimbjet kapin 11 nga 18 pikët e përcaktuara
- Indet e buta janë të dhimbshme dhe të enjtura.
Gjithashtu, në personat me fibromialgji mund të shfaqen edhe simptomat e mëposhtme:
- Çrregullimet e gjumit, ku gjumi i pamjaftueshëm shkakton lodhje kronike gjatë ditës.
- Çrregullimet psikosomatike në organizëm, me çrregullime të sistemit të tretjes, të zemrës dhe enëve të gjakut, si dhe dhimbje jospecifike në fundin e barkut.
- Çrregullime neurologjike, me ulje të ndjeshmërisë, ndjenjën e shtypjes, dhimbje të kokës.
- Çrregullime psiqike, me gjendje depresive, humor të keq dhe ankth.
- Ulje e përqëndrimit, me rënie të rendimentit (performancës) në aspektin profesional.
- Ngurtësim mëngjezor, me ndjesinë e të ftohtit dhe të fryrjes në gjymtyrët.
- Lëvizshmëri e shtuar (mbi normalen).
- Acarim i lëkurës, veçanërisht në pjesën e sipërme të trupit.
Faktorët shpërthyes të fibromialgjisë janë:
- Ndryshimi i klimës
- Duhanpirja
- Zhurma
- Drita verbuese
- I ftohti
- Korrentet e ajrit
- Stresi

Për të vendosur diagnozën e fibromialgjisë, mjekut i nevojitet:
- Informimi i hollësishëm rreth simptomave të pacientit
- Egzaminimi fizik i pacientit, me evidentimin e pikave të dhimbshme në prekje.
- Kryerja e egzaminimeve laboratorike, për të përjashtuar sëmundje të tjera, si sëmundjet reumatizmale, inflamatore ose një hipotireozë (ulje e funksionit të gjendrës tiroide).

Trajtimi i fibromialgjisë bazohet në kombinimin e medikamenteve, aktivitetit fizik dhe proçedurave të tjera ndihmëse, si më poshtë:
Masat e përgjithshme
Aktiviteti fizik duket se luan rol pozitiv mbi gjendjen e përgjithshme të pacientit. Programi i trajnimit duhet të përshtatet për çdo pacient, sipas rekomandimeve të Kolegjit Amerikan të Reumatologjisë. Në to përfshihet:
- Aktiviteti fizik i rregullt dhe ushtrimi i sporteve të tilla si ecja, çiklizmi, skitë dhe noti.
- Fizioterapia (programi i riaftësimit).
- Përmirësimi i gjumit, nëpërmjet një regjimi normal, me evitimin e faktorëve që e çrregullojnë atë, si kafeja, alkooli, zhurma dhe stresi.
- Familja dhe të afërmit duhet të informohen rreth sëmundjes, në mënyrë që të mirëkuptojnë problemet e pacientëve me fibromialgji.
Trajtimi medikamentoz
Për të evituar çdo varësi, duhet të bëhet kujdes gjatë përdorimit të medikamenteve qetësuese të dhimbjeve (analgjezikëve). Ato përdoren zakonisht të kombinuara, si më poshtë:
- Medikamente që qetësojnë dhimbjet (analgjezikët)
- Medikamente që qetësojnë ankthin (antidepresantët)
- Medikamente që lëshojnë muskujt (antikonvulsantët)
Mënyra të tjera
- Akupunktura, e cila duket se pakëson simptomat.
- Teknikat relaksuese, si joga, meditimi, etj.
- Ushtrimet e tërheqjes, për lëshimin e muskujve.
Ndryshe nga sëmundjet e tjera reumatizmale, fibromialgjia nuk shkakton as dëmtime të kyçeve, as ulje të funksionit të aparatit lokomotor (aparatit muskulo-skeletik, që përfshin muskujt, ligamentet dhe tendinet).
Përmirësimi i rëndësishëm i simptomave është i rrallë. Tek shumë pacientë, simptomat janë ende të pranishme edhe pas 10 vjetësh, ku dhimbja mund të jetë e tillë, që të prishë cilësinë e jetës së tyre.
Ndërkohë, në pacientë të tjerë ajo mund të jetë më pak invalidizuese. Mund të ndodhë që herë pas here të shfaqen periudha të qeta, pa dhimbje.
Në pacientët me fibromialgji është mjaft e rëndësishme që dhimbjet të merren seriozisht dhe të mos konsiderohen si imagjinare.