logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Sindromi i lodhjes kronike: lodhje e përhershme fizike dhe mendore.
Sindromi i lodhjes kronike: lodhje e përhershme fizike dhe mendore.

Sindromi i lodhjes kronike (SLK), që manifestohet shpesh edhe në sëmundje të tilla si skleroza e shumëfishtë dhe kanceri, është një gjendje e vazhdueshme dhe e pakëndshme e lodhjes ekstreme. Ajo manifestohet me lodhje trupore, emocionale dhe mendore, me ankesa të vazhdueshme nga pacientët, pasi ndikon direkt në cilësinë e jetës së tyre. Kjo sindromë nënkupton  jo vetëm lodhjen e përgjithshme trupore, por një gjendje lodhjeje kronike të pavarur nga stresi dhe gjumi, që manifestohet edhe në pushim.

SLK duhet të dallohet nga sëmundje të tjera që shkaktojnë lodhje, të tilla si depresioni, sindroma Burnout ose sëmundja psikosomatike. Ndërsa simptomat janë shpesh të ngjashme me këto sëmundje, shpesh konsultimi mjekësor është i nevojshëm për t'i dalluar ato dhe përfundimisht për të bërë diagnozën e SLK.

Përkufizimi i Sindromës së lodhjes kronike (sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve 1994)

  • Lodhje ekstreme, e pranishme për të paktën 6 muaj.
  • Lodhja nuk është pasojë e një sëmundjeje të mëparshme organike ose e sforcimeve afatgjata.
  • Pas pushimit nuk ndihet asnjë përmirësim.
  • Cilësia e jetës ndikohet fuqishëm nga lodhja (shkolla, puna, jeta shoqërore, pushimet, etj.).

Gjatë sindromit të lodhjes kronike, është e pranishme një gjendje e lodhjes së vazhdueshme, shkaku i së cilës përgjithësisht nuk është i njohur. Për këtë arsye, ndryshe nga sindroma Burnout, e cila zakonisht mund të trajtohet mirë, SLK është shumë më e vështirë për t'u trajtuar.

  • Femrat janë rreth katër herë më të prekura sesa meshkujt.
  • Mosha mesatare e fillimit është midis 29 dhe 45 vjeç.
  • Aktualisht nuk ka trajtim shkakor për SLK. Megjithatë, është e rëndësishme që terapia të përshtatet sipas pacientit dhe simptomave të tij. Përveç kësaj, është e nevojshme që së pari të përjashtohet një sëmundje tjetër, ose nëse ajo është e pranishme, të trajtohet në përputhje me rrethanat.


Shkaqet e sakta të sindromës së lodhjes kronike nuk janë plotësisht të qarta. Që në fillim, dyshimet kryesore janë hedhur mbi infeksionet virale, por deri tani nuk ka ende prova të pakundërshtueshme. Deri më sot, virusi më i akuzuar është ai Epstein-Bar (EBV), ndërkohë që disa vjet më parë është zbuluar një retrovirus i quajtur XMRV, i dyshuar gjithashtu si shkaktar i mundshëm i SLK. 

Modele të tjera thonë se në shfaqjen e kësaj sindrome ndikojnë disa faktorë njëkohësisht, si:

  • Personaliteti ose mënyra e jetesës (predispozita për SLK)
  • Sëmundjet e sistemit nervor qendror (SNQ), çrregullimet hormonale dhe të sistemit imunitar.
  • Më shumë se gjysma e pacientëve me SLK referojnë  se gjendja e lodhjes ekstreme i ka paraprirë një infeksioni akut (p.sh. një gripi, një sëmundjeje të shkaktuar nga një infeksion bakterial, kërpudhor, etj).
  • Ngarkesat akute emocionale dhe/ose fizike ose vetëm emocionale të tipit kronik mund të rezultojnë në SLK.

Shumë sëmundje fizike mund të veprojnë si element shpërthyes për SLK, pavarësisht nëse kjo sindromë mund të shfaqet ose jo paralelisht me këto sëmundje (shih gjithashtu Diagnoza diferenciale).

Sëmundjet fizike të mëposhtme shpesh janë vërejtur njëkohësisht në pacientët me SLK ose kanë shërbyer si agjentë shpërthyes të saj:

  • Sëmundjet hematologjike (të gjakut)
  • Çrregullimet metabolike, të tilla si intoleranca ndaj glutenit (sëmundja celiake)
  • Helmet: lënda toksike që mbron drurin, pesticidet, produktet e mbushjes së dhëmbëve që përmbajnë amalgam, etj.
  • Rrezatimi, radioaktiviteti
  • Vaksinat
  • Medikamentet, kimioterapia
  • Çrregullimet e rënda të lidhura me ushqyerjen (anoreksia, obeziteti)
  • Kanceret dhe/ose trajtimet e tyre (kimioterapia, radioterapia)
  • Sëmundjet kardio-vaskulare

Përveç kritereve të njohura të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve 1994 (në lidhje me Përkufizimin), pacientët me sindromën e lodhjes kronike mund të shfaqin simptomat e mëposhtme:

  • Dhimbje të muskujve (mialgji)
  • Çrregullime të tretjes (gastro-intestinale)
  • Marrje mendsh (Vertigo)
  • Të përziera
  • Djersitje gjatë natës
  • Çrregullime të aftësive njohëse (vështirësi për të kujtuar gjëra, për t’u përqendruar, për të mësuar dhe për të qënë i vëmendshëm)
  • Dhimbje të përhapura në të gjithë trupin
  • Performancë ditore më e ulët 

Gjatë kësaj sindrome hasen shpesh edhe çrregullimet e mëposhtme:

  • Dhimbje e fytit
  • Dhimbje gjatë presionit në nyjet limfatike të qafës dhe/ose sqetullave
  • Dhimbje të muskujve dhe të kyçeve
  • Çrregullime të gjumit - shumë të lodhur gjatë ditës pavarësisht gjumit të mjaftueshëm gjatë natës
  • Dhimbje koke
  • Përkeqësimi i gjendjes shëndetësore pas një sforcimi.


Diagnoza e Sindromës së lodhjes kronike mund të vendoset vetëm pas një ekzaminimi të hollësishëm fizik dhe psiqik të pacientit. Është tepër e rëndësishme të kërkohen sëmundje ose shkaqe të tjera të mundshme (si psh.mungesa e vitaminës D), që shpesh rezultojnë të lidhura me këtë sindromë. Gjithashtu, duhet të përjashtohen edhe sëmundje të tjera që shkaktojnë lodhje kronike, si depresioni, sindroma Burnout, sëmundjet psiko-somatike.  
Sindroma e lodhjes kronike: të flasësh për të mund të të ndihmojë.
Sindroma e lodhjes kronike: të flasësh për të mund të të ndihmojë.

Për momentin, nuk ka as medikamenete dhe as terapi specifike për trajtimin e SLK. Në pjesën më të madhe të kohës, nevojiten njëkohësisht disa metoda të trajtimit, të cilat në të gjitha rastet kërkojnë shumë durim, motivim dhe dëshirë  për të provuar diçka të re.

Është e rëndësishme të trajtohen gjithashtu sëmundjet e lidhura me SLK, të cilat kërkojnë shumë durim dhe kohë, pasi shkaku shpesh është i paqartë. Prandaj, është e domosdoshme, përveç zgjedhjes së trajtimit të duhur, edhe të përjashtohen së pari diagnozat e tjera të mundshme (shih Diagnoza).

E rëndësishme: trajtimi duhet të përshtatet për çdo pacient dhe për çdo simptomë të pranishme.

Pacienti do të gjejë me kalimin e kohës medikamente, ushqime, apo metoda dhe strategji alternative të aplikuara në jetën e përditshme, që mund ta ndihmojnë atë të ndihet më mirë. Trajtimi ideal nuk ekziston! Përveç kësaj, asnjë premtim për shërim të kësaj sindrome nuk duhet marrë seriozisht - për fat të keq ka shumë oferta të pandershme rreth trajtimit të SLK në internet.

Konsulenti më i mirë është mjeku juaj.

Trajtimet e mëposhtme përdoren shpesh për Sindromën e lodhjes kronike:

  • Përdorimi i oligoelementëve specifikë
  • Marja e medikamenteve që forcojnë sistemin imunitar
  • Terapia enzimatike
  • Këshillimi ushqimor dhe mundësisht marja shtesë e vitaminave dhe lëndëve ushqyese
  • Mjekësia komplementare si akupunktura, homeopatia, lule Bach etj.
  • Ushtrimet relaksuese në raste të stresit

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.