Alergjia (Mbindjeshmëria)
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Përpara se të shfaqet reaksioni alergjik, është i nevojshëm kontakti i parë me alergenin, ndaj të cilit ndodh mbindjeshmëria. Gjatë një kontakti të dytë me të njëtin alergen, sistemi imunitar reagon menjëherë për shkak të antitrupave specifikë të prodhuar tashmë kundër tij. Këto antitrupa quhen imunoglobulina. Ato fiksohen tek mastocitet, pra tek qelizat e bardha që janë të afta të prodhojnë dhe të depozitojnë brenda tyre substancat ndërmjetësuese të alergjisë. Në rastin e alergjisë nga kontakti, nuk bëhet fjalë për imunoglobulina që luajnë rolin e ndërmjetësuesit të reaksionit alergjik, por kategori të tjera të qelizave të quajtura “qelizat vrasëse”, që shkaktojnë dëmtime direkte në zonat përkatëse specifike.
Ndonjëherë, një alergji ekzistuese ndaj një substance të përcaktuar mund të provokojë alergji ndaj një substance të ngjashme me të. Për shembull, një alergji ndaj polenit të mështeknës mund të shkaktojë alergji edhe ndaj lajthisë. Në të tilla raste bëhet fjalë për alergji të kryqëzuar.
Dallohen dy tipe alergjish:
- Alergjia e menjëhershme: gjatë një alergjie të menjëhershme, reagimi i sistemit imunitar ndodh brenda disa minutave ose orëve në vazhdim.
- Alergjia e vonuar (e kontaktit): gjatë kësaj forme të alergjisë, shenjat shfaqen disa ditë më vonë.
Shembuj të alergjive të menjëhershme
- Alergji që prekin rrugët e frymëmarrjes, që shkaktohen nga poleni i barit ose i pemëve (alergjia nga bari), sporet e kërpudhave, mielli, akarienet, qimet e kafshëve (alergjia nga kafshët shtëpiake)
- Alergji që prekin sistemin e tretjes, që shkaktohen nga produktet ushqimore (e bardha e vezës, frutat, perimet, mishi, peshku), ose medikamentet (antibiotikët, qetësuesit e dhimbjeve)
- Alergji që shkaktohen nga pickimet e insekteve (bletët, grerëzat)
Shembuj të alergjive të vonuara ose alergjive të kontaktit
Alergenet e kontaktit janë përgjithësisht substanca që
hyjnë në organizëm nëpërmjet kontaktit me lëkurën. Disa shembuj: nikeli (bizhuteritë,
monedhat metalike), parfumet, produktet kozmetike, etj.
Simptomat e alergjive janë të ndryshme, në varësi të formës së alergjisë.
Alergjitë e menjëhershme karakterizohen nga:
- Enjtje e fytyrës, enjtje e buzëve dhe qafës
- Kriza të astmës,vështirësi në frymëmarrje
- Dhimbje barku, të përziera, diarre
- Rrjedhje të hundëve dhe reaksione në lëkurë (kruajtje,djegie)
- Rënie e tensionit arterial (në rastet e rënda)
Alergjitë e vonuara (të kontaktit)
Në rastin e alergjisë së kontaktit, reaksionet janë më shpesh lokale, në zonën e lëkurës që ka kontaktuar me alergenin. Ajo mund të manifestohet me djegie, kruajtje, skuqje dhe inflamacion (ekzema).- Vlerësimi klinik i pacientit dhe i simptomave që ai paraqet nga mjeku specialist alergolog.
- Testet e lëkurës dhe analizat e gjakut
- Prova respiratore (spirometria), në rastin e simptomave në rrugët e frymëmarrjes, për të përjashtuar një sëmundje tjetër, siç është astma bronkiale.
Trajtimi i një alergjie bazohet tek faktorët shkaktarë. Evitimi i këtyre faktorëve është shpesh i mjaftueshëm për përmirësimin e simptomave. Megjithatë, në rastet e alergjive të shkaktuara nga disa alergenë njëherësh, pjesërisht të panjohur, trajtimi është më i ndërlikuar.
Ulja e ndjeshmërisë (desensibilizimi)
Bëhet fjalë për një metodë ende të diskutueshme të trajtimit të alergjive. Ajo konsiston
në përshtatjen në mënyrë të ngadaltë të organizmit ndaj substancave alergene.
Gjatë këtij trajtimi, alergeni futet në organizëm fillimisht me dozë të vogël, e
cila rritet në mënyrë graduale, për një periudhë kohore prej 2-3 vjetësh. Disa
mjekë specialistë e konsiderojnë këtë mënyrë trajtimi jo të besueshme, të
kushtueshme dhe të rrezikshme për pacientin. Nga ana tjetër, ka të tjerë që e
raportojnë atë mjaft efikase.
Ulja e ndjeshmërisë mund të përdoret në rastet e mëposhtme:
- Në rastet e alergjive ku kontakti me alergenin është i paevitueshëm (psh. kur nuk mund të ndryshohet profesioni)
- Kur alergeni është identifikuar plotësisht
- Kur numri i alergenëve është i kufizuar (psh. alergjia nga grerëza ose bleta)
Në rastin e alergjisë nga bari ose të astmës bronkiale, ulja e ndjeshmërisë mund të jetë e rrezikshme, pasi ajo mund të provokojë reaksione të egzagjeruara (shok anafilaktik).
Këshilla: Të evitohet kontakti me substancat alergene. Kjo mund
të ndikojë shpesh në kufizimin e shenjave të alergjisë.
Në rastet e rënda mund të shfaqet shoku anafilaktik (vështirësia në frymëmarrje dhe kolapsi qarkullues). Për këtë
arsye, personave që paraqesin disa tipe alergjish (nga grerëzat ose bletët), u
rekomandohet të kenë gjithnjë në gatishmëri një çantë të ndihmës së shpejtë.