(Fobitë, Krizat e panikut)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)
Ankthi “i shëndetshëm” është një ndjenjë normale që ka për funksion të na mbrojë, pasi na paralajmëron në rast rreziku. Ai duhet të dallohet nga frika që na përfshin në momente dhe situata të ndryshme, pa arsye konkrete, që duket e papërshtatshme në sytë e personave që na rrethojnë.
Termi “çrregullimet e ankthit” përfshin disa forma të ndryshme të një sëmundjeje mendore, që karakterizohet nga prania e një frike dhe ankthi jonormal, pra patologjik.
Në varësi të shpeshtësisë së shfaqjes së simptomave, këto çrregullime klasifikohen në dy grupe: me simptoma (shqetësime) të vazhdueshme dhe episodike (me kriza).
Ndërsa, në varësi të tipit të simptomave, ato ndahen në: çrregullime të përgjithshme të ankthit, çrregullime fobike (frikërat) dhe ato të panikut.
Termi ankth reflekton katër aspekte të përvojave që një individ mund të ketë përjetuar gjatë jetës: frikë mendore, tension fizik, simptoma fizike dhe ankth i shkëputur (i pavarur).
Çrregullimet e ankthit janë të shpeshta dhe shfaqen herët gjatë jetës. Femrat janë më të prekura se meshkujt.
Shkaku i saktë i këtyre çrregullimeve është ende i panjohur. Besohet se në shfaqjen e tyre ndikojnë disa faktorë.
Kështu, supozohet se trashëgimia familjare i favorizon ato. Të diskutueshme mbeten edhe çrregullimet e metabolizmit të trurit, në veçanti të një lënde që transmeton ngacmimin nervor, të quajtur serotoninë. Shfaqja e sëmundjes mund të provokohet edhe nga faktorë të jashtëm, ku përshihen ngjarje traumatizuese gjatë periudhës së fëmijërisë ose ngjarje të tjera të rënda të ndodhura gjatë jetës.
Por ankthi mund të jetë edhe i fituar në situata të caktuara, si psh, nëse një person është përballur me turbulenca gjatë një udhëtimi me avion, ai mund të zhvillojë frikë ndaj kësaj forme të udhëtimit.
Në varësi të shkakut shpërthyes, çrregullimet e ankthit ndahen në disa nën-kategori:
- Fobitë (frikërat): ky tip i ankthit shfaqet në situata të caktuara. Në të përfshihen:
- frika nga turmat
- frika nga avioni
- frika nga kafshët e ndryshme
- frika nga lartësia, etj.
Personi është përgjithësisht i ndërgjegjshëm që frika e tij është e ekzagjeruar.
-
Çrregullimet e ankthit të pavarura nga situata, ku bëjnë pjesë:
-
çrregullimet e panikut (episode të papritura të ankthit)
- ankthi i përgjithshëm (i përhershëm).
Sëmundje të tjera që mund të shkaktojnë çrregullime të ankthit:
- Toksikomania (varësia nga drogat, amfetaminat, alkooli, etj.)
- Sëmundjet e trurit (tumori i trurit, encefaliti)
- Skizofrenia, depresioni
Çrregullimet e ankthit manifestohen në disa nivele, si:
- Tek mendimet, që mund të jenë të tipit: do vdes nga infarkti, do çmendem ose do humbas kontrollin për shkak të krizës së ankthit, do më shtypë makina, etj.
- Tek trupi: krizat e frikës dhe të panikut të shoqëruara me palpitacione (rrahje të shpejta dhe të forta të zemrës), marrje mendsh, çorientim, vështirësi në frymëmarrje. Shpesh këto persona dërgohen në shërbimin e urgjencës, sepse çrregullimet e tyre të ankthit ngatërrohen me një krizë të zemrës.
- Tek sjellja: personat evitojnë situatat që u shpërthejnë frikën, duke u tërhequr gradualisht nga shoqëria («frikë nga shfaqja e frikës»).
Komunikimi ndërmjet pacientit dhe mjekut është hallka më e rëndësishme në diagnostikimin e këtyre çrregullimeve. Nëpërmjet një pyetësori, mjeku mund të informohet rreth situatave që shpërthejnë krizat e ankthit, sëmundjeve të kaluara dhe medikamenteve që mund të ketë përdorur pacienti.
Në disa raste, mund të jenë të nevojshme ekzaminime shtesë, si analizat e gjakut, ekografia, skaneri dhe rezonanca magnetike, me qëllim që të përjashtohet prania e sëmundjeve të tjera organike (tumore).
Nëse nuk trajtohen, çrregullimet e ankthit përparojnë dhe kthehen në fenomene kronike. Në këtë stad, trajtimi i tyre bëhet gjithnjë e më i vështirë.
Psikoterapia konsiderohet linja e parë e trajtimit. Ajo mundëson shpesh lehtësimin e dukshëm të simptomave, madje edhe eleminimin e plotë të tyre.
Trajtimi me medikamente konsiston në përdorimin e anksiolitikëve (kundër ankthit) dhe të antidepresivëve (kundër depresionit), që janë efikasë në shumë raste. Gjithsesi, duhet theksuar se përdorimi i këtyre medikamenteve duhet të jetë i kufizuar, për periudha të shkurtra kohore, dhe ato duhet të përshkruhen dhe mbikqyren nga një mjek specialist neuro-psikiatër, për shkak të rrezikut të varësisë që shkaktojnë.
Teknikat e relaksimit, të tilla si joga, meditimi apo trajnimi autogjenik, mund ta ndihmojnë pacientin.
Çfarë mund të bëjmë vetë?
Çrregullimet e ankthit janë të shpeshta: sipas të dhënave specifike, ato konstatohen tek një e dhjeta e individëve.
Mos u sforconi të dilni vetë nga çrregullimet e ankthit ose të bashkëjetoni me to. Sa më herët të kërkoni ndihmën e profesionistëve, aq më të mëdha do të jenë mundësitë tuaja për t’u shëruar. Mund t'i drejtoheni mjekut tuaj ose të bëheni pjesë e një grupi mbështetës.
Mos u sforconi të mbani nën kontroll ankthet tuaja duke evituar situatat që i shpërthejnë ato. Duke vepruar kështu, vetëm se i stimuloni më shumë.
Kujdes: Përdorimi i rregullt i anksiolitikëve për të pakësuar ankthin mund t’ju shkaktojë varësi dhe të ndërlikojë trajtimin.
Evitoni konsumin e alkoolit për të parandaluar ankthin. Alkooli mund të jetë vërtet efikas për momentin kur konsumohet, por më pas ai e rëndon edhe më shumë situatën. Alkooli nuk ndihmon në zgjidhjen e problemit.