Dhimbjet e kokës (Dhimbja e fortë e kokës, Dhimbjet e kokës nga tensioni, Migrena)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Në vitin 1988, Shoqata ndërkombëtare e dhimbjes së kokës krijoi një klasifikim të formave të ndryshme të dhimbjes së kokës dhe kritereve të ndryshme diagnostikuese të saj.
Dallohen dy tipe dhimbjesh të kokës: parësore (si sëmundje e pavarur) dhe dytësore (si pasojë e sëmundjeve të tjera).
Format parësore përfshijnë migrenën, dhimbjen e kokës nga tensioni, dhimbjen e fortë të kokës dhe dhimbjen e kokës pa dëmtime organike, si p.sh. të shkaktuara nga i ftohti, nga kollitja ose nga sforcimi i madh fizik.
Forma parësore e dhimbjes së kokës
Në këtë formë, dhimbja e kokës konsiderohet një gjendje e pavarur mjekësore.
Këtu përfshihen:
- Migrena me ose pa aura (shenja paraprirëse)
- Dhimbja e kokës nga tensioni (episodike ose kronike)
- Dhimbja e fortë e kokës
- Dhimbja e kokës dytësore (si simptomë)
Forma dytësore e dhimbjes së kokës
Bëhet fjalë për dhimbje të kokës të lidhura me sëmundje të tjera ose me trauma të ndryshme (dhimbje koke simptomatike).
Faktorët nxitës janë:
- Traumat e kafkës (rrëzime ose goditje në kokë)
- Hipertensioni arterial
- Infeksionet
- Konsumimi i alkoolit
- Sëmundjet e kafkës, qafës, syve, veshëve, hundës, sinuseve, dhëmbëve ose artikulacionit temporo-mandibular (si infeksionet ose tumoret)
- Përveç këtyre, shkaqet e dhimbjeve të kokës nga tensioni gjithashtu mund të shpërthejnë edhe një dhimbje koke dytësore
Më poshtë do t’ju informojmë vetëm për formën parësore të dhimbjes së kokës.
Migrena
Deri më sot, shkaqet dhe mekanizmat e migrenës janë të njohura vetëm pjesërisht.
Disa ekspertë besojnë se ajo është rezultat i një keqformim të reaktivitetit të trurit ndaj stimujve të jashtëm dhe të brendshëm, duke rezultuar në një prodhim dhe çlirim të tepërt të neurotransmetuesve norepinefrin dhe serotonin. Kjo rezulton në zgjerimin e enëve të gjakut të trurit dhe reaksione inflamatore përgjegjëse për dhimbjen.
Një predispozitë gjenetike, e lidhur edhe me faktorë të tjerë, shkakton kriza të migrenës. Faktorët e mëposhtëm mund të shkaktojnë, intensifikojnë ose përshpejtojnë një migrenë:
- Emocionet e forta, stresi, ankthi, depresioni, lodhja, mungesa e gjumit
- Hormonet: menstruacionet, ovulimi, pilulat kontraceptive
- Produktet ushqimore: alkooli (vera e kuqe), djathi, frutat ekzotike, çokollata
- Medikamentet: nitroglicerina (trinitrina), antagonistët e kalciumit
- Mjedisi: ndezja e dritës, zhurma, i ftohti i madh, tymi, ndryshimet klimatike, tharësja e flokëve
- Sjellja: frika, relaksimi pas një faze stresi (fundjava)
- Ciklet e brendshme: ritmi gjumë-zgjim, stinët, jet lag
Dhimbja e kokës nga tensioni (episodike, kronike)
Dhimbja e kokës nga tensioni është e zakonshme; praktikisht çdo person vuan të paktën një herë në jetën e tij. Ajo ndodh për shkak të uljes së pragut të dhimbjes në tru.
Dallohen:
- Dhimbje koke episodike = më pak se 180 ditë në vit
- Dhimbje koke kronike = më shumë se 180 ditë në vit
Shkaqet e mundshme:
- Stresi psiqik ose fizik, kronik ose akut
- Tensioni i muskujve në qafë, shpatulla, sy ose fytyrë
- Çrregullimet e trurit, neuralgjia
- Ndryshimet klimatike
- Sëmundjet e ndryshme, si infeksionet, meningjiti, migrena, tumoret e trurit
- Hemorragjitë e mëdha, çrregullimet metabolike
- Sëmundjet e veshkave
- Medikamentet kundër dhimbjes
- Helmimi nga nikotina, alkooli, CO2, medikamentet ose drogat
- Mungesa e gjumit
- Ametropia
- I ftohti, kollitja, sforcimet e mëdha, përqëndrimi i tepruar i syve
Në rastet e dhimbjeve kronike të kokës, faktorët që i shkaktojnë shpesh janë të shumëfishtë dhe të paidentifikueshëm.
Dhimbja e fortë e kokës
Ky tip karakterizohet nga grupe krizash të dhimbshme, të ngjashme me krizat migrenoze, por janë shumë më të dhimbshme. Shkaqet janë kryesisht të panjohura. Duket, megjithatë, se disa mosfunksionime të trurit luajnë rol. Gratë midis 40 dhe 50 vjeç janë më të prekura nga ky tip. Nikotina dhe alkooli mund ta nxisin ose madje ta shkaktojnë këtë simptomë.

Migrena
Në shumicën e pacientëve, krizat e migrenës fillojnë një deri në dy ditë para dhimbjes së kokës me shenja paraprirëse (paralajmëruese), si:
- Nervozizëm, ulje e përqendrimit, izolim i pacientit.
- Eufori, hiperaktivitet, indiferencë.
- Mbindjeshmëri ndaj dritës dhe tingullit, çrregullime të pamjes (shikim i paqartë, fushëpamje e kufizuar).
- Uri, ose humbje e oreksit, diarre, kapsllëk.
- Ndjesi të ftohti, etje.
Simptomat e krizave të migrenës
Krizat e migrenës karakterizohen nga dhimbje koke të lehtë deri të rëndë, zakonisht në njërën anë të kokës. Ato intensifikohen nga praktikimi i aktiviteteve të caktuara dhe zgjatin përgjithësisht disa orë apo edhe disa ditë.
Simptomave të mësipërme të pacientit mund t’u shtohen edhe:
- Të përziera, të vjella, mbindjeshmëri ndaj dritës dhe zërit, çrregullime të gjumit.
- Lodhje e fortë pas krizave
- Aura: rreth 15% e pacientëve me migrenë e shfaqin, dhe është një çrregullim i funksionimit të trurit ose i trungut të trurit, që zgjat nga disa minuta deri në një orë. Aura mund të manifestohet me çrregullime të pamjes dhe humbje të ndjesisë në gjymtyrë apo në fytyrë. Paralizat vërehen rrallë.
Dhimbja e kokës nga tensioni
- Dhimbjet e kokës janë shtypëse, ngacmuese, por jo pulsuese
- Intensiteti i dhimbjes është i lehtë deri i moderuar; zakonisht është ende e mundur që pacienti të kryejë aktivitete
- Dhimbja shfaqet në të dy anët e kokës, shpesh në zonën temporale (tëmthat)
- Rrallë shoqërohet me: çrregullime të gjumit, marramendje, përzierje dhe shqetësime pamore
Dhimbja e fortë e kokës
- Dhimbje koke të rregullta, intensive, që gjithmonë përsëriten në të njëjtën kohë: p.sh. koha rreth mesditës dhe/ose natës, pak pasi pacienti ka rënë në gjumë.
- Krizat e dhimbjes janë të përsëritura, tepër të forta (në grupe) dhe zgjasin për minuta, orë, disa javë dhe nganjëherë edhe muaj.

Për diagnozën e saktë të llojit të dhimbjes së kokës, kërkohet një histori shumë e kujdesshme, duke marrë parasysh historinë personale dhe familjare të pacientit.
Anamneza duhet të përfshijë informacione mbi:
- Fillimin, vendndodhjen dhe kohëzgjatjen e dhimbjeve të kokës
- Shpeshtësinë e krizave dhe intensitetin e dhimbjes (shkalla nga 1 në 10)
- Natyrën e dhimbjes
- Simptoma të lidhura me dhimbjen (marramendje, çrregullime të pamjes, humbje të ndjesive, etj)
- Faktorët që e shpërthejnë dhimbjen
- Faktorët që e theksojnë ose e reduktojnë dhimbjen
- Rrethanat e fillimit të dhimbjes së kokës (të lidhura me profesionin, studimet, familjen, ankthin)
- Aftësinë personale për të menaxhuar stresin
- Aktivitetin profesional, kohën e lirë, marrëdhëniet shoqërore
- Historinë familjare
- Historinë e dhimbjes së kokës
- Trajtimet e përdorura dhe efektiviteti i tyre
- Marrjen e medikamenteve (përdorim i tepërt!)
- Pritjen dhe motivimin
Mundësi të tjera diagnostikuese
- Ekzaminime fizike dhe neurologjike
- Analiza laboratorike, CT skaner dhe MRI (rezonanca magnetike), për të përjashtuar sëmundjet e mundshme, tumoret etj.

Migrena
Medikamentet e grupit të triptaneve (naritriptan, sumatriptan, rizatriptan) shkaktojnë ngushtim të enëve të gjakut dhe pengojnë çlirimin e substancave inflamatore. Është thelbësore që të mbani një ditar të migrenës, që do të jetë shumë i dobishëm për mjekun, për fillimin dhe vlerësimin e efikasitetit të trajtimit.
Trajtime të tjera plotësuese
- Aktiviteti fizik i rregullt, menaxhimi i stresit
- Akupunktura, masazhet
- Teknikat e relaksimit
- Identifikimi dhe eliminimi i shkakut (ditari i migrenës)
- Qëndrimi në shtrat, errësira, gjumi, kompresat e ftohta ose të nxehta
Dhimbja e kokës nga tensioni
Ky tip mund të trajtohet me qetësues të butë, ushtrime relaksuese dhe/ose masazh. Është thelbësore të eliminohen faktorët e rrezikut.
Masat alternative
- Akupunkturë, akupresurë
- Aplikimi i nxehtësisë ose të ftohtit
- Banja skoceze (banja të këmbëve ose të tërë trupit për të nxitur qarkullimin e gjakut: në fillim me temperaturë të ujit nën 38°C, pastaj me ujë të ftohtë)
- Relaksimi i muskujve, trajnimi autogen, joga
- Medikamente kundër dhimbjes (acid acetilsalicilik ose paracetamol); kujdes: përdoreni vetëm për një kohë të shkurtër dhe në mënyrë të kontrolluar!
Dhimbja e fortë e kokës
Në këtë formë të dhimbjes së kokës rekomandohet përdorimi i sumatriptanëve, me injektim ose sprucim nga hunda. Qetësuesit tradicionalë të dhimbjes zakonisht janë joefektivë.
Përveç kësaj, masat e përdorura për migrenën, duke përfshirë edhe mbajtjen e një ditari të dhimbjeve të kokës, zbatohen edhe për këtë formë të dhimbjes së kokës.