Vertigo (Çrregullimet e ekuilibrit, Krizat e vertigos, Marramendja, Marrje mendsh)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)
Vertigo i korrespondon një ndjesie të rrotullimit të gjithçkaje përreth ose të humbjes së ekuilibrit, me ndjenjën e humbjes së vetëdijes. Shpesh, ajo shoqërohet edhe nga simptoma të tjera vegjetative, si të përzierat, të vjellat ose djersitja.
- Vertigo rrotulluese: ndjesia që mjedisi rrotullohet ose personi vetërrotullohet
- Vertigo lëkundëse: ndjesia që mjedisi lëkundet
- Çrregullimet e ekuilibrit: ndjesia e rrëzimit drejt përpara ose anash
- Marramendja: ndjesia e marramendjes, që nuk mund të përshkruhet saktësisht. Kjo gjendje shoqërohet nga pasiguria në këmbët, ndjesia e dobësisë ose pasigurisë së përgjithshme, pasiguria në pozicionin në këmbë ose gjatë ecjes, rënia e fuqisë, shikimi i turbullt ose errësimi i shikimit.
- Vertigo paroksistike beninje e lidhur me pozicionin: karakterizohet nga episode të shkurtra vertigosh, që shfaqen kur pozicioni i kokës ndryshon, si gjatë kalimit nga pozicioni në këmbë në pozicionin shtrirë dhe anasjelltas, gjatë lëvizjes ose tundjes së kokës.
Një vertigo mund të manifestohet në formën e krizës akute dhe mund të transformohet në kriza që zgjasin nga disa sekonda në disa orë, disa ditë, madje edhe disa javë.
Simptomat shoqëruese të mundshme të një vertigoje janë: të përzierat, të vjellat, zhurma në vesh, ulja e aftësisë për të dëgjuar, dhimbja e kokës, çrregullimet e shikimit (shikim i turbullt ose i dyfishtë), palpitacione, dhimbje zemre, marrje fryme, çrregullime të përqëndrimit, zbehtësi, çrregullime të gjendjes së vetëdijes, mpirje, çrregullime të ndjeshmërisë në gjymtyrët, mpirje në fytyrë, kriza epilepsie, etj.
Sëmundjet e mëposhtme mund të shkaktojnë vertigo:
- Ulja e presionit arterial, hipotonia
- Rritja e presionit arterial, hipertonia
- Çrregullimet e ritmit të zemrës
- Goditja cerebrale (infarkti cerebral)
- Kolapsi, humbja e vetëdijes, sinkopi
- Humbja e dëgjimit
- Sindroma e vertebrave të qafës
- Inflamacioni i veshit të brendshëm
- Vështirësia për të dëgjuar
- Inflamacioni i nervit të ekuilibrit (Neuriti vestibular)
- Sëmundja Menier
- Skleroza multiple
- Migrena
- Goditja në tru
- Hipoglicemia tek diabetikët
- Anemia
- Anemia nga mungesa e acidit folik
- Krizat e frikës ose panikut
- Demenca
- Depresioni
- Tumori, hemorragjia ose infarkti i trurit
- Efekti i padëshiruar i medikamenteve
- Dehidratimi (nga mospirja e mjaftueshme e lëngjeve)
Personat që vuajnë nga vertigo janë jo vetëm të rrezikuar vetë për rrëzime dhe plagosje, por mund të vënë në rrezik edhe një person tjetër (psh. gjatë drejtimit të automjetit). Për këtë arsye, e rëndësishme është të reagohet në mënyrë korrekte gjatë krizave të vertigos. Ja disa këshilla që mund të ndihmojnë në këtë drejtim:
Këshilla kundër krizave akute të vertigos:
- Ulja ose mbajtja diku (psh.pas murit)
- Fiksimi i shikimit në një pikë, në mënyrë që drejtimi i shikimit të ketë një pikë referimi.
- Frymëshkëmbimi i qetë dhe i thellë, pasi frymëthithjet dhe frymënxjerrjet e shpejta e pakësojnë vertigon.
Këshilla të përgjithshme për personat që vuajnë nga vertigo:
- Ekuilibri mund të forcohet përmes ushtrimeve të rregullta (psh. vallzimi ose lojrat me top) dhe përsëritjes së ushtrimeve të posaçme (psh. qëndrimi mbi një këmbë, hedhjet në litar)
- Në rastin e vertigos së pozicionit rekomandohet ngritja ngadalë, kthimi ngadalë i kokës
- Sigurohuni që të keni pikë të mjaftueshme mbështetëse në banjo, si dhe të përdorni solucione jo të rrëshqitshme.
- Evitimi i objekteve të rrezikshme në apartament dhe heqja e pengesave të mundshme
- Personat që kanë presion të ulët të gjakut duhet të ndryshojnë ngadalë pozicionet e trupit, nga shtrirë në këmbë dhe anasjelltas.
- Përdorimi i një mbajtëseje gjatë ecjes, si dhe këpucë të përshtatshme
- Egzaminimi korrekt i aftësisë për të drejtuar automjetin
Me cilin mjek duhet të konsultoheni?
Për të patur një tablo sa më të qartë për problemet aktuale dhe shkaqet e mundshme të tyre, mjeku fillimisht njihet me historinë mjekësore personale të pacientit (anamneza) dhe kryen egzaminimin klinik me mjete të thjeshta (vëzhgimi, analiza, palpacioni, auskultacioni, testet funksionale, etj). Më pas, mjeku mund të rekomandojë edhe egzaminime të tjera më specifike, sipas rastit.
Historia mjekësore personale (anamneza) bazohet tek:
- Pyetjet e lidhura me vertigon: kur është shfaqur fillimisht, çfarë tipi (rrotulluese, lëkundëse apo marramendëse), kohëzgjatja e saj (me kriza apo e vazhdueshme), faktorët shpërthyes apo lehtësues të saj (në qetësi, duke ecur, duke kthyer kokën, në situata të caktuara), rrëzime, etj., fillim në mënyrë të menjëhershme apo progresive, është hera e parë apo e përsëritur, e lidhur me një infeksion viral, me marrëdhëniet seksuale, si është higjiena intime, etj.
- Njohja me simptomat shoqëruese (shih më sipër)
- Njohja me sëmundjet bashkëshoqëruese, problemet mjekësore personale të mëparshme, përfshirë aksidentet dhe operacionet.
- Informimi mbi sëmundjet ose shkaqet e vdekjeve në familjen e pacientit
- Informimi mbi përdorimin e mundshëm të ndonjë medikamenti
- Informimi lidhur me ndonjë alergji të mundshme
- Informimi mbi kushtet e jetesës, aspektet profesionale dhe sociale të pacientit
- Informimi mbi cilësinë e jetës së pacientit: ushqyerja, gjumi, produktet që konsumon (kafeja, alkooli, nikotina, drogat), stresi, etj.
Egzaminimi klinik
Gjatë këtij egzaminimi, mjeku mat presionin arterial, pulsin, vlerëson aftësinë e reagimit të pupilave, lëvizjet e syve dhe lëvizshmërinë e shtyllës kurrizore. Mjeku teston gjithashtu ekuilibrin, dëgjimin, dhe koordinimin, sepse dëgjimi dhe ekuilibri komandohen nga të njëjtat plekse nervore. Mund të konstatohen lëvizje të papritura dhe jonormale të syve (nistagmus), sipas tipit të vertigos.
Egzaminime të tjera specifike diagnostike
- Elektrokardiograma (EKG)
- Testi i dëgjimit (audiometria) dhe testi i ekuilibrit
- Matja e nistagmus-it (elektronistagmografia ENG)
- Skaneri ose rezonanca magnetike
- Egzaminimi psikiatrik ose psikologjik
Terapia e vertigos varet gjithmonë nga shkaku. Më poshtë paraqiten mundësitë e trajtimit të saj:
Trajtimi i sëmundjes kryesore
Nëse vertigo është e lidhur me një sëmundje të përgjithshme (psh. migrena ose hipertensioni arterial), për trajtimin e saj duhet të trajtohet fillimisht sëmundja bazë.
Trajtimi medikamentoz
Medikamentet specifike kundër vertigos mund të lehtësojnë krizat e saj. Shkaku nuk është gjithmonë i trajtueshëm. Medikamente të tjera mund të ndihmojnë, sipas shkakut (psh. kortizoni në sëmundjet inflamatore ose antiepileptikët në rastin e epilepsisë).
Fizioterapia: ushtrime për ekuilibrin dhe manipulimin
Ushtrimet specifike që forcojnë ekuilibrin dhe mund të përmirësojnë çrregullimet e sistemit të ekuilibrit. Sipas tipit të vertigos – vertigo paroksistike beninje e pozicionit - thjesht vazhdimi i lëvizjes mund të ndërpresë krizat dhe është e lehtë për t’u realizuar vetë.
Psikoterapia
Vertigo psikosomatike mund të trajtohet me ndihmën e një psikoterapie (terapia e sjelljes në rastin e çrregullimeve të ankthit). Në disa raste mund të ndihmojë terapia medikamentoze (antidepresantët në rastin e depresionit).
Operacioni
Në rastin e tumoreve malinje, rekomandohet terapia specifike kundër kancerit, që përfshin ndërhyrjen kirurgjikale, radioterapinë dhe/ose kimioterapinë.