Kanceri i stomakut
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Kanceri i stomakut e ka origjinën në shndërimi i qelizave normale të mukozës (shtresës së brendshme) së tij në qeliza kanceroze (malinje). Ai mund të zhvillohet në sipërfaqen e epitelit të mukozës së stomakut, ose në thellësi të murit të tij, duke e shpuar atë.
Kjo sëmundje është më e shpeshtë tek meshkujt dhe tek personat me grupin e gjakut A. Diagnoza e hershme është thelbësore, pasi kryerja e ndërhyrjes kirurgjikale në këtë stad lejon shërimin e plotë të saj.
Faktorë të shumtë ndikojnë në mënyrë të rëndësishme në zhvillimin e kancerit të stomakut. Ata janë:
- Ushqyerja e keqe, që nënkupton përdorimin e tepruar të kripës, mungesën e frutave dhe perimeve në regjimin ushqimor të përditshëm.
- Konsumi i shpeshtë i mishit të pjekur në zgarë, të tymosur ose të kripur.
- Duhanpirja
- Konsumi i alkoolit
- Inflamacionet e përsëritura të mukozës së stomakut
- Infeksionet e përsëritura nga helikobakter pilori.
- Prania e tumoreve beninje (polipeve) të stomakut, që me kalimin e kohës mund të shndërrohen në kancer.

Në stadin fillestar të kancerit të stomakut, ashtu si edhe në shumë kancere të tjera, simptomat shpesh mungojnë ose janë pak të shprehura. Për pasojë, edhe diagnostikimi i tij në këtë fazë është tepër i rrallë.
Simptomat karakteristike të kancerit të stomakut janë:
- Ndjesia e shtypjes në stomak
- Simptomat e irritimit të stomakut, siç janë të përzierat ose ndjesia e ngopjes së shpejtë.
- Në një stad më të avancuar shfaqet mungesa e oreksit dhe rënia në peshë.
- Neveri ndaj mishit
- Të vjella të shpeshta
- Të vjellat mund të jenë me gjak dhe jashtëqitjet me ngjyrë të zezë.
- Dhimbje në stomak.

Diagnozën e kancerit të stomakut e vendos mjeku specialist gastro-hepatolog, duke u bazuar në:
- Simptomat e pacientit, historinë e fillimit të tyre, lidhjen e mundshme me konsumin e ushqimeve të caktuara, probleme me tretjen në të kaluarën, me alkoolin, etj.
- Kryerjen e gastroskopisë, që është një egzaminim endoskopik i stomakut, që mundëson eksplorimin e tij në brendësi dhe marrjen e materialit indor për biopsi.
- Egzaminimin e kampionit indor të marrë nëpërmjet gastroskopisë (biopsia)
- Radiografia dhe/ose skaneri.

Në të gjitha rastet e diagnostikuara me kancer të stomakut, duhet të hiqet i gjithë stomaku me rrugë kirurgjikale. Nëse diagnoza është vendosur në një stad mjaft të avancuar, ai trajtohet vetëm me kimioterapi (medikamente), që lehtëson simptomat. Në këtë rast, kanceri është përhapur në organet në distancë, pra ka lëshuar metastaza. Për pasojë, shërimi i tij nuk është më i mundur.