Ulçera e stomakut dhe e duodenit (Ulçera e duodenit, Ulçera e stomakut)
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Ulçera përfaqëson një gërryerje të mukozës (shtresës së brendshme) të stomakut dhe/ose duodenit (pjesës fillestare të zorrës së hollë). Në rastet e lehta, dëmtohet vetëm shtresa sipërfaqësore e mukozës, ndërkohë që në format e rënda, dëmtohet një pjesë e rëndësishme e murit të stomakut ose zorrës së hollë (sipas rastit).
Ulçera e stomakut është manifestimi i prishjes së balancës ndërmjet faktorëve dëmtues dhe faktorëve mbrojtës së mukozës së stomakut. Pasojë e kësaj situate është shtimi i aciditetit të stomakut, që çon në formimin e ulçerës.
Sipas studimeve të kohëve të fundit mbi këtë sëmundje, ka rezultuar që bakteri Helikobakter i pilorit luan një rol tepër të rëndësishëm në zhvillimin e ulçerave të stomakut.
Faktorët e tjerë të rrezikut janë:
- Duhanpirja dhe abuzimi me alkoolin
- Konsumi i kafesë
- Përdorimi i shpeshtë i disa medikamente antiinflamatore dhe qetësuese të dhimbjeve (antireumatizmale dhe analgjezike specifike)
- Stresi psiqik ose fizik
- Periudha pas ndërhyrjeve kirurgjikale, djegieve ose aksidenteve pasuese të tyre (ulçera e stresit).

Simptomat më karakteristike të ulçerës së stomakut dhe/ose duodenit janë ndjesia e djegies ose e dhimbjes shtypëse nën kafazin e kraharorit.
Në rastin e ulçerës së stomakut, këto dhimbje shfaqen përgjithësisht pas ngrënies ose pavarësisht nga ngrënia e ushqimit.
Në ulçerat e duodenit, dhimbjet shfaqen kur stomaku është bosh dhe zhduken pas ngrënies së ushqimit.
Simptoma të tjera janë:
- Të përzierat
- Mungesa e oreksit
- Ndjesia e ngopjes (rëndesës në stomak)
- Mostolerimi i ushqimeve
- Rënia në peshë
Në disa raste, ecuria është përkohësisht e qetë (pa simptoma). Në rastin e gjakrrjedhjeve (acarimit të ulçerës), shfaqen feçe të zeza ose të vjella të përziera me gjak. Kjo përbën një urgjencë mjekësore. Në rast se ulçera shpohet, shfaqen dhimbje të forta të barkut, që përbëjnë gjithashtu një urgjencë mjekësore.

Diagnozën e ulçerës së stomakut/duodenit e përcakton mjeku specialist gastro-hepatolog, duke u bazuar në:
- Historinë e sëmundjes dhe simptomat e pacientit.
- Kryerjen e gastroskopisë, e cila mundëson eksplorimin e stomakut dhe duodenit në brendësi të tyre, duke marrë edhe material indor për kryerjen e biopsisë.
- Marrjen e materialit indor gjatë gastroskopisë, për kryerjen e biopsisë, në mënyrë që të përjashtohet mundësia e pranisë së një kanceri të stomakut.
- Evidentimin e Helikobakterit të pilorit në ajrin e nxjerrë, gjak ose materialin indor.

Mënyra e trajtimit të ulçerës së stomakut dhe duodenit zgjidhet në varësi të pranisë ose jo të Helikobakterit të pilorit.
Trajtimi në rastin e pranisë së Helikobakterit të pilorit
Në rastet kur helikobakteri i pilorit është evidentuar në stomak dhe pacienti paraqet simptoma, ose është konstatuar një ulçer e stomakut/duodenit, trajtimi konsiston në një kombinim antibiotikësh, të shoqëruar me një medikament që pakëson aciditetin e stomakut (antiacid).
Trajtimi në rastin e mungesës së Helikobakterit të pilorit
Në rastin e dhimbjeve të forta të menjëhershme, përdoren medikamentet që frenojnë prodhimin e acidit të stomakut (antiacidet) dhe/ose medikamentet që mbrojnë mukozën e stomakut.
Masat e përgjithshme
Për pacientët me ulçer të stomakut ose duodenit, është tepër i rëndësishëm respektimi i masave të mëposhtme:
- Ushqyerja duhet të jetë e ekuilibruar dhe e rregullt.
- Të evitohet stresi, duke ushtruar teknika relaksuese (trajnimi autogen, joga)
- Të evitohen ose pakësohen faktorët e rrezikut, si nikotina, alkooli dhe medikamentet e përmendura më sipër (shih shkaqet).
- Të kufizohet konsumi i kafesë dhe ushqimeve tepër pikante.
Operacionet
Në rastin e shpimit (çarjes) së ulcerës, që shkakton hemorragji në stomak, ose përsëritjeve të saj, është e nevojshme ndërhyrja kirurgjikale.
Ulçera e stomakut ose duodenit mund të ndërlikohet me:
- Hemorragji të stomakut, shpimi i murit të tij.
- Ulçera që prekin organe të tjera
- Ngushtim të pilorit (pjesës fundore të stomakut)

Zhvillimi i ulçerës së stomakut dhe duodenit mund të parandalohet nëpërmjet:
- Kufizimit të konsumit të kafesë, alkoolit dhe sasisë së cigareve në ditë.
- Përdorimit të rregullt të medikamenteve qetësuese të dhimbjeve (analgjezikëve) dhe antiinflamatorëve, që përdoren kryesisht në sëmundjet reumatizmale.
- Evitimit të stresit.