Ethja tropikale
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Ethja tropikale është një infeksion viral, që shfaqet më tepër në zonat tropikale dhe subtropikale. Virusi i saj transmetohet nëpërmjet pickimit nga mushkonja e ethes së verdhë, nga familja Aedes aegypti, dhe nga mushkonja tigër Aedes albopticus. Të dy tipet e mushkonjave janë insekte ditore. Agjenti shkaktar i ethes tropikale bën pjesë tek flaviviruset, veçanërisht përgjegjëse për ethen e verdhë, meningo-encefalitin stinor të pranverës dhe verës, si dhe ethen çikungunja.
Simptoma klasike e ethes tropikale është një temperaturë e lartë e menjëhershme (si gjatë një gripi), që më pas zhduket pa shkaktuar ndërlikime. Ecuria e kësaj sëmundjeje mund të jetë e rrezikshme, kur ajo shoqërohet me hemorragji të brendshme. Kjo formë ndërlikimi shkakton akoma më tepër vdekje, në veçanti tek fëmijët.
Parandalimi i vetëm i mundshëm i ethes tropikale konsiston në zbatimin e masave të përgjithshme të mbrojtjes kundër pickimit nga mushkonjat. Asnjë vaksinë nuk egziston për këtë sëmundje në ditët e sotme.
Ethja tropikale është një sëmundje infektive me deklarim të detyrueshëm.

Për ethen tropikale, periudha e inkubacionit (nga momenti i infektimit deri në momentin e shfaqjes së simptomave të para) zgjat rreth 14 ditë.
Më pas shfaqen menjëherë këto simptoma:
- Temperaturë tepër e lartë (deri në 41°C)
- Dridhje
- Dobësi e përgjithshme trupore
- Dhimbje koke, dhimbje të muskujve , dhimbje të gjymtyrëve.
- Dhimbje të syve , dhimbje të shpinës (shpesh)
- Shfaqja e puçrrave në fytyrë
Më pas, duke nisur nga dita e dytë, mund të shtohen simptoma të tjera, si:
Pas katër ditësh shfaqet një fazë pa temperaturë, që zgjat 1-2 ditë. Në këtë moment, pacienti ndihet relativisht mirë. Më pas, temperatura ringrihet me shpejtësi. Puçrrat në lëkurë rishfaqen dhe përhapen në të gjithë trupin. Normalisht, simptomat lehtësohen dhe zhduken plotësisht pas dy javësh.
Forma e rëndë: ethja tropikale hemorragjike
Kjo formë e rëndë e sëmundjes mund të shkaktojë vdekjen e pacientit dhe prek kryesisht fëmijët dhe adoleshentët, që e zhvillojnë atë të shoqëruar nga një tjetër tip i virusit. Kjo situatë është pasojë e një çrregullimi të mpiksjes së gjakut, që shkakton ethja tropikale.
Simptomat e ethes tropikale hemorragjike
- Simptomat tipike të ethes tropikale (temperatura e lartë)
- Prekja e gjendjes së përgjithshme (dobësia e theksuar trupore)
- Të vjella me gjak
- Jashtëqitje me gjak
- Hemorragji të vogla (1-2 mm), të dukshme në sipërfaqen e lëkurës (petekie).
Ethja tropikale me sindromën e shokut
Në rastin e rënies së theksuar të tensionit arterial, mund të shfaqet kolapsi i qarkullimit të gjakut, që mund të rrezikojë jetën e pacientit.

Diagnoza e ethes tropikale përcaktohet nga mjeku specialist infeksionist, duke u bazuar në:
- Historinë e sëmundjes dhe simptomat e pacientit.
- Informimin e mjekut lidhur me udhëtime të mëparshme të pacientit në vende tropikale ose subtropikale.
- Egzaminimin fizik, ku konstatohet zmadhimi i mëlçisë gjatë palpacionit (egzaminimit nëpërmjet prekjes).
- Duke filluar nga dita e katërt, mund të evidentohen në gjak antitrupat e drejtuara kundër virusit të ethes tropikale.
- Analiza të tjera laboratorike, si faktorët e mpiksjes së gjakut, etj.

Shkaqet e ethes tropikale nuk mund të trajtohen. Trajtimi i saj konsiston vetëm në lehtësimin e simptomave. Në rastet më të lehta, ndjekja mund të bëhet në kushtet e shtëpisë. Në rastet me ecuri të rëndë, që janë të formës hemorragjike dhe ato me sindromën e shokut, kanë nevojë për trajtim intensiv në kushte spitalore.
Në përgjithësi, forma klasike e ethes tropikale zhduket pa ndërlikime. Në mungesë të trajtimit, rreth 20% e personave të prekur prej saj vdesin. Nga rastet e trajtuara në mënyrë intensive, vetëm 2% e tyre vdesin, ku bëhet fjalë përgjithësisht për fëmijë me moshë nën 1 vjeç.

Në ditët e sotme nuk disponohet asnjë vaksinë për mbrojtjen kundër ethes tropikale. Mbrojtja e vetme kundër saj konsiston në marrjen e masave të përgjithshme kundër pickimit nga mushkonjat, që janë:
- Përdorimi i veshjeve me ngjyra të hapura dhe me mëngë të gjata, i pantallonave, këpucëve të mbyllura dhe çorapeve të gjata, veçanërisht gjatë dhe pas muzgut. Në zonat e prekura nga ethja tropikale, këto veshje rekomandohen të përdoren edhe gjatë ditës.
- Aplikimi i produkteve kundër mushkonjave mbi zonat e zbuluara të lëkurës.
- Pajisja e dritareve me rrjetë mbrojtëse kundër mushkonjave.