Diabeti i sheqerit i tipit 2 (Diabeti melitus tip 2, Diabeti tip 2, DM tip 2)
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Diabeti i sheqerit i tipit 2, i quajtur ndryshe edhe diabeti i të rriturve, njihet si forma
joinsulinovartëse e diabetit. Në fakt, terminologjia e mësipërme i referohet
klasifikimit relativisht të vjetër, por realisht të fundit të OBSH -s (Organizatës
Botërore të Shëndetsisë) mbi diabetin e sheqerit. Kjo për faktin se, gjatë
viteve të fundit tipi 2 i diabetit po haset gjithnjë e më shumë tek të rinjtë.
Lidhja e ngushtë e tij me obezitetin ka bërë që shpesh të përdoret termi
" diabezitet ". Ky fenomen është mjaft i
shpeshtë tek adoleshentët me mbipeshë trupore të rëndësishme.
Diabeti tip 2 përfaqëson rreth 90% të sëmundjes së diabetit të sheqerit në përgjithësi.
Në kushtet e një konsumi të madh të ushqimit, shfaqja e tij është pasojë e
mosnjohjes nga ana e qelizave të organizmit të hormonit insulinë, që është përgjegjës për përdorimin
e sheqerit nga këto qeliza. Përballë një situate të tillë, fillimisht pankreasi
mbiprodhon insulinë për të kompensuar gjendjen, por më pas ai lodhet dhe pakëson prodhimin e saj, madje mund edhe ta ndërpresë atë. Pikërisht në këtë moment sheqeri nuk mund të përdoret nga qelizat, për pasojë ai grumbullohet në gjak duke shkaktuar hipergliceminë (niveli i lartë i sheqerit në gjak).
Në
rastin e mungesës së insulinës në organizëm, organizmi nuk është më i aftë t’i përdorë plotësisht glucidet (sheqernat). Për pasojë, glicemia rritet në mënyrë
të vazhdueshme, duke shkaktuar fillimisht intolerancën e glukozës (prediabeti-faza që paraprin diabetin e vërtetë).
Kur sasia e sheqerit në gjak është mjaft e lartë (mbi 180 mg/dl), sasitë e tepërta të sheqerit reflektohen edhe në urinë, pra sheqeri konstatohet dhe mund të matet në urinë, ku normalisht nuk duhet të ishte i pranishëm. Ky eleminim i sheqerit nëpërmjet urinës shoqërohet edhe nga humbja e sasive të mëdha të lëngjeve bashkë me të, që çon në dehidratim dhe në shfaqjen e etjes kompensatore.
Si shkaqe te diabetit tip 2 konsiderohen:
- Personat e prekur nga sindromi metabolik (që përfshin një grup simptomash, si: depozitimi i dhjamit në zonën e barkut, rritja e nivelit të yndyrnave në gjak, rritja e presionit të gjakut, ngritja e nivelit të sheqerit mbi maksimumin e normës) pas një periudhe të caktuar kohore mund të shfaqin diabetin e tipit 2.
- Mbipesha:rreth 80-90 % e diabetikëve tip 2 janë me mbipeshë trupore.
- Gjithashtu, rol thelbësor luajnë edhe mosha dhe trashëgimia familjare. Kështu, me kalimin e moshës, prodhimi natyral i insulinës pakësohet, por nëse kjo kompensohet me rritjen e shkallës së aktivitetit fizik dhe një ushqyerje të shëndetshme, evitohet shfaqja e diabetit tip 2. Jo të gjithë personat e moshuar preken domosdoshmërisht nga diabeti i sheqerit i tipit 2!
- Trashëgimia është jashtëzakonisht e rëndësishme në shfaqjen e diabetit tip 2. Kështu, nëse njëri nga prindërit është i diagnostikuar me diabet tip 2, mundësia që ai të shfaqet tek fëmija është e madhe. Kjo mundësi rritet akoma më tepër nëse tek fëmija janë të pranishëm edhe faktorë të tjerë të rrezikut për sëmundjen e diabetit (siç janë mbipesha trupore, mungesa e aktivitetit fizik,etj). Në këto kushte, mundësia që fëmija të shfaqë një diabet tip 2 rritet me 50%.
Faktorët e rrezikut:
- Mbipesha trupore
- Presioni i lartë i gjakut (hipertensioni arterial)
- Niveli i lartë i yndyrnave në gjak
- Përdorimi për periudha të gjata kohore i disa medikamenteve, siç janë ato me bazë kortizoni
- Trashëgimia familjare për diabet tip 2
- Mosha

- Etje e theksuar
- Lodhje trupore e vazhdueshme
- Urinim i shpeshtë
- Infeksione të shpeshta të lëkurës dhe mukozave
- Irritime të lëkurës (të kruajtura)
- Simptomat e kalcifikimit të arterieve (arterioskleroza), që është ndërlikim i diabetit

Diagnostikimi i dabetit tip 2 realizohet nga:
- Njohja e mjekut me simptomat e pacientit, me historinë e fillimit të tyre, si dhe me faktorin e trashëgimisë familjare për sëmundjen e diabetit.
- Majtjet e përsëritura të nivelit të sheqerit në gjak (glicemisë) në gjendjen esëll (vlerat ndërmjet 6,1 mmol/L - 7,0 mmol/L tregojnë për fazën e tolerancës së dëmtuar të glukozës ( prediabeti), ndërsa niveli esëll =7,0 mmol/L tregon për praninë e diabetit)
- Matja e nivelit të hemoglobinës së glukozuar (HbA1c), e cila reflekton mesataren e vlerave të sheqerit në gjak për tre muajt e fundit.
- Egzaminimi i retinës (fundus oculi) dhe matja e tensionit të syrit
- Vlerësimi I funksionit të veshkave
- Matja e nivelit të yndyrnave në gjak
- Matja e presionit arterial
- Analiza e urinës (çdo vit)
- Egzaminimi fizik i pacientit (vlerësimi i pranisë së edemave, që janë enjtje të këmbëve nga mbajtja e ujit në to)
- Elektrokardiograma (EKG)

- Këshilla dietologjike, lidhur me ndryshimin e mënyrës së ushqyerjes dhe rënien në peshë.
- Aktiviteti fizik
- Edukimi diabetik i pacientit dhe vëtëkontrolli i glicemisë
- Trajtimi me medikamente antidiabetike dhe/ose me insulinë
Rekomandimet për ndryshimin e mënyrës së ushqyerjes dhe arritjen e peshës ideale (normale)
- Si pikë referimi për mënyrën e ushqyerjes dhe kalorazhin ditor që duhet konsumuar shërben IMT (indeksi i masës trupore). Vlerat e saj duhet të mbahen nën 25 kg/m², me perimetër të belit nën 80 cm tek femrat dhe nën 94 cm tek meshkujt.
Raportet e kalorazhit të siguruar nëpërmjet ushqimit:
- Rreth 50% glucide (karbohidrate, sheqerna)
- 30-35% yndyrna (prej të cilave 10-15% në formën e acideve yndyrore të pangopura, si vaji i ullirit)
- 15-20% proteina
Përmbajtja energjitike e produkteve kryesore ushqimore dhe alkoolit:
Terapia me insulinëInsulina është mënyra e vetme e mjekimit në personat me diabet tip 1, ku pankreasi nuk prodhon sasinë e duhur të insulinës. Në rastin e diabetit tip 2, insulina përdoret në rastet që kanë rezistencë ndaj veprimit të saj, dhe rekomandohet në të gjitha rastet kur trajtimi me medikamente nuk ka dhënë rezultat, pra nuk e ka stabilizuar nivelin e sheqerit në gjak (glicemisë).
Njihen skema të ndryshme të trajtimit me insulinë:
- Insulina bazale: insulina injektohet një herë në ditë, gjatë natës. Veprimi i saj zgjat 24 orë dhe rekomandohet të përdoret krahas medikamenteve antidiabetike, që merren gjatë ditës.
- Trajtimi me bolus (njëherësh): injektohet insulinë me kohë të gjatë veprimi, për të mbuluar nevojat bazale ditore për të; duhet të matet glicemia para çdo vakti, dhe në varësi të vlerave të saj llogaritet dhe injektohet njëherësh doza e përshtatshme e insulinës.
- Terapia tradicionale me insulinë: insulina injektohet dy herë në ditë dhe është e përzier (me veprim të shpejtë dhe të ngadaltë, me raporte të ndryshme, si psh. 30/70, 25/75, etj). Doza e insulinës është praktikisht e njëjtë çdo ditë. Ky trajtim ka përparësinë se pacienti kryen vetëm dy injeksione, por nga ana tjetër, ai kërkon respektim të përpiktë të orarit të ngrënies dhe të sasisë së ushqimit që do të konsumohet.
- Terapia funksionale me insulinë: çdo ditë, doza e insulinës (bazale/bolus) përshtatet në varësi të sasisë së ushqimit që konsumohet, të orarit të ngrënies së vaktit dhe të aktivitetit fizik të ushtruar.
Kujdes: gjatë terapisë me insulinë, duhet të matet niveli i glicemisë 3-5 herë në ditë, të konsumohen glucidet në mënyrë të rregullt, të merret informacion i detajuar dietologjik. Kjo mënyrë trajtimi kërkon një vetëdisiplinim të fortë dhe një shkallë të lartë të edukimit diabetik.
Situatat urgjente: në rast se shfaqet fenomeni i hipoglicemisë -uljes se sheqerit (me dridhje të trupit, djersitje, pafuqi, ndjenjë urie,etj.), duhet të konsumohet sheqer në mënyrë të menjëhershme (në formën e kokrrave, të pluhurit, të sherbetit, të lëngjeve të frutave, pijeve të gazuara,etj.).
Masat e përgjithshme
Menjëherë pas shfaqjes së diabetit tip 2, gjëja e parë që duhet bërë është rënia në peshë nëpërmjet ndryshimit të regjimit ushqimor, shoqëruar me një program të përshtatshëm të aktivitetit fizik. Pas 6 muajsh kryhet rikontrolli tek mjeku specialist endokrinolog, me matjen e glicemisë, dhe nëse ajo nuk rezulton e kënaqshme, proçedurave të mësipërme u shtohet edhe mjekimi me medikamente.
Sëmundja e diabetit bën pjesë tek sëmundjet kronike, dhe si e tillë ndikon negativisht në gjendjen shpirtërore të pacientit. Është mjaft e rëndësishme që pacienti ta pranojë sëmundjen, sepse vetëm në këtë mënyrë ai do të jetë aktiv në fazën e këshillimit (edukimit diabetik). Kjo fazë konsiston në trainimin e pacientëve ose familjarëve të tyre (kur pacientët janë fëmijë, të moshuar ose me sëmundje që kufizojnë aftësitë e tyre të komunikimit me stafin mjekësor) lidhur me menaxhimin e sëmundjes, mënyrën e ushqyerjes dhe fenomenin e hipoglicemisë (uljes së sheqerit).
Në
varësi të ecurisë së sëmundjes, pacienti duhet të mësojë të kryejë vetë
matjen e sheqerit me aparatin e tij personal, nëpërmjet shpimit në
gisht, si dhe injeksionet e insulinës. Nëse këto injeksione janë të
nevojshme, vlerat e matura të sheqerit duhet të pasqyrohen në një ditar,
për të vlerësuar ecurinë e tyre sipas dozave të insulinës. Në rastet me
diabet të kontrolluar mirë, janë të mjaftueshme kontrollet tek mjeku endokrinolog çdo 6 muaj ose edhe çdo vit.
Medikamentet
Medikamentet e rekomanduara ne diabetin tip 2 jane:
- Sensibilizuesit ndaj insulinës (biguanidet dhe tiazolidinedionet) që i bëjnë qelizat më të ndjeshme ndaj veprimit të insulinës
- Sulfanilurea dhe glinidet, që nxisin pankreasin të prodhojë më tepër insulinë.
- Frenuesit e thithjes së sheqernave në aparatin e tretjes (frenuesit e alfa-glukozidazës), që ngadalësojnë thithjen e tyre në nivelin e zorrëve, duke pakësuar sasinë e sheqernave që kalojnë nga zorra në gjak. Ky proçes eviton rritjen e menjëhershme të glicemisë pas ngrënies së vaktit.
Në përgjithësi, mjeku specialist endokrinolog i përshkruan këto medikamente të bashkëshoqëruara me njëra-tjetrën. Ato e shfaqin efektin e dëshiruar vetëm nëse përdoren në mënyrë të rregullt, duke mundësuar kështu funksionimin normal të pankreasit.
Çfarë mund të bëjmë vetë?
Personave me diabet tip 2 u rekomandohet:
- Aktivitet fizik i rregullt dhe ushqyerje e shëndetshme, krahas përdorimit të medikamenteve antidiabetike dhe/ose insulinës.
- Matja e rregullt e presionit të gjakut (tensionit arterial)
- Kontrolle të rregullta një herë në vit tek mjeku okulist, për evidentimin e dëmtimit të syve (retinës) nga diabeti
- Ndërprerja e duhanit
Ndërlikimet e mundshme të diabetit tip 2 janë:
- Hipoglicemia, që nënkupton uljen e nivelit të sheqerit në gjak, që mund të shfaqet pas: një mbidozimi të insulinës, një ushqimi të pamjaftueshëm, konsumit të alkoolit, aktivitetit të madh fizik, marrjes së medikamenteve antidiabetike te grupit te sulfanilurese. Në raste të rënda, pacienti mund të kalojë në gjendjen e komës hipoglicemike (rrallë).
- Dëmtimet e indit dhjamor në vendin e injeksionit të insulinës.
- Formimi i antitrupave kundër insulinës.
Sëmundje shoqëruese të mundshme:
- Dëmtimet e retinës së syrit (retinopatia diabetike)
- Dëmtimet e veshkave (nefropatia diabetike)
- Sëmundjet kardio-vaskulare (arterioskleroza, infarkti i miokardit, apopleksia)
- Ndryshimet e shfaqura në lëkurë dhe vonesa në mbylljen e plagëve
- Impotenca seksuale
Diabeti tip 2 është një sëmundje e qytetërimit dhe mirëqënies. Ushqyerja e shëndetshme dhe aktiviteti fizik i rregullt mundësojnë parandalimin e kësaj sëmundjeje dhe pasojave negative të saj mbi shëndetin.