Polidipsia (Etja e tepruar)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Secili nga ne e njeh etjen, që është më e theksuar kur dehidratohemi, pra kur humbasim lëngje. Një etje jonormale dhe e përhershme, pa kryer aktivitet fizik dhe pa ndryshuar regjimin e pirjes së lëngjeve, mund të jetë shenjë e një sëmundjeje.
Termi "polidipsi" shpreh etjen e theksuar, që është simptomë e disa sëmundjeve, si diabeti i sheqerit, hipertireoza, hiperparatireoza, Sëmundja Cushing, etj. Gjithashtu, ajo shfaqet edhe si pasojë e djersitjes së shprehur gjatë stinës së verës, të vjellave, diarresë, hemorragjive, djegieve, etj., pasi shkaktojnë dehidratim të organizmit.
Shenjat klinike të një dehidratimi janë: etja, lëkura dhe mukozat e thata, ndjesia e fytit të thatë, çrregullimet e të folurit, plogështia, përgjumja.
Çrregullimet shoqëruese të etjes janë: nevoja e madhe për të urinuar, shenjat klinike të dehidratimit.Shkaqet e etjes si reaksion fiziologjik janë :
- Djersitja e theksuar gjatë aktivitetit fizik
- Konsumi i ushqimeve pikante
- Ekspozimi ndaj temperaturave të larta
- Marrja e pamjaftueshme e lëngjeve
Sëmundjet që shoqërohen nga një etje e tepruar janë :
- Diabeti i sheqerit i tipit 1 dhe 2
- Situatat që shoqërohen nga një rënie e madhe e volumit të gjakut qarkullues: diarrea, të vjellat, temperatura, djegiet ose humbjet e gjakut/hemorragjitë
- Diabeti i shtatzanisë
- Diabeti insipid: nxjerrja e sasive të mëdha të urinës tepër të holluar, për shkak të paaftësisë së veshkave për ta përqëndruar atë
- Hiperparatireoza (aktiviteti i rritur i gjendrave paratiroide)
- Sindroma Cushing
- Sëmundjet e veshkave
- Anemia
- Çrregullimet e elektroliteve : hiperkalcemia (rritja e sasisë së kalciumit në gjak) ose hipokalcemia (ulja e nivelit të kalciumit në gjak)
- Sëmundjet psiqike: çrregullimet e ushqyerjes (anoreksia, bulimia ), çrregullimet e sjelljes dhe personalitetit
- Efektet e padëshiruara të medikamenteve
- Pas konsumit të sasive të mëdha të alkoolit
Për të rehidratuar trupin gjatë rënies së volumit plazmatik dhe nivelit të elektroliteve, mund të përdoren çaji me sheqer, pijet sportive, uji mineral, lëngu i mishit dhe lëngjet e frutave.
Në rastet e rënda, duhet të përdoren solucione rehidratuese të posaçme, që kanë në bazë përzierjen e sheqerit dhe kripës, të disponueshme në farmaci. Megjithatë, këtë solucion mund ta përgatitni edhe në kushtet e shtëpisë:
- 1 lugë me kripë
- 8 lugë kafeje me sheqer
- 1/2 litri lëng portokalli
- 1/2 litri ujë i zier ose ujë mineral
Me cilin mjek duhet të konsultoheni ?
- Mjeku i familjes
- Mjeku internist
- Mjeku endokrinolog
- Mjeku nefrolog
Historia mjekësore personale (anamneza) bazohet tek:
- Pyetjet e lidhura me etjen: kur është shfaqur fillimisht, nëse është shtuar me kalimin e kohës, sasia e lëngjeve të konsumuara gjatë ditës, probleme të tjera të lidhura me urinimin, si urinimi i shpeshtë, mosmbajtja e urinës, etj.
- Njohja me simptomat shoqëruese
- Njohja me sëmundjet bashkëshoqëruese, problemet mjekësore personale të mëparshme, përfshirë aksidentet dhe operacionet.
- Informimi mbi sëmundjet ose shkaqet e vdekjeve në familjen e pacientit.
- Ecuria e peshës trupore
- Informimi mbi kushtet e jetesës, aspektet profesionale dhe sociale të pacientit
- Informimi mbi cilësinë e jetës së pacientit: ushqyerja, gjumi, produktet që konsumon (kafeja, alkooli, nikotina, drogat), stresi, etj.
- Informimi mbi përdorimin e ndonjë medikamenti, veçanërisht të antibiotikëve.
Egzaminimi fizik
Gjatë egzaminimit fizik, mjeku vlerëson veçanërisht shenjat e dehidratimit: mukozat e thata, tensionin e ulët arterial, palat e lëkurës, etj.
Egzaminimet e tjera specifike diagnostike:
- Analizat e gjakut: glicemia, elektrolitet, parametrat specifikë për disa organe (mëlçia, veshkat, gjendra tiroide, etj.)
- Analiza e urinës (përqëndrimi dhe sasia e urinës)
- Kryerja e provës së etjes (testi i kufizimit të lëngjeve), për të përjashtuar një diabet insipid
- Egzaminime imazherike, si rezonanca magnetike (MRI)
Më tepër informacion rreth egzaminimeve mjekësore mund të gjeni në informacionin e plotë të sëmundjeve përkatëse.
- Në rastin e diabetit të sheqerit, etja e tepruar zhduket pas normalizimit të nivelit të sheqerit në gjak (glicemisë), nëpërmjet trajtimit korrekt të diabetit.
- Në rastin e diabetit insipid, zëvendësimi i vazopresinës nga jashtë (me sprai në hundë) e largon ndjesinë e etjes.
- Nëse etja është efekt i padëshiruar i përdorimit të një medikamenti, mjeku mund të ulë dozën e këtij të fundit ose ta ndërrojë me një medikament tjetër.
- Kur etja është me origjinë psikologjike, mund të nevojitet psikoterapia.