Ethja Lassa
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Ethja Lassa është një sëmundje virale, që bën pjesë në grupin e etheve hemorragjike, sepse shoqërohet me fenomene hemorragjike (gjakderdhje). Sëmundja shfaqet në formën e epidemisë, kryesisht në Afrikën perëndimore. Virusi shkaktar i saj mban emrin e qytetit të Lasës në Nigeri, ku ai u përshkrua për herë të parë në vitin 1969.
Bartësi natyral i virusit Lassa është një mi i vogël i quajtur mastomys natalensis, e cili nuk e shfaq sëmundjen, por e eleminon virusin nëpërmjet urinës dhe jashtëqitjeve. Personat që jetojnë në kushte të këqia higjienike, infektohen nga ky virus nëpërmjet ushqimeve të infektuara prej tij.
Transmetimi nga njeriu tek njeriu është i mundur nëpërmjet gjakut, pështymës, urinës ose të vjellave. Nëse nuk trajtohet, ethja Lassa çon shumë shpejt në epidemi, në të cilën rreth 40% e personave mund të vdesin. Nëse trajtimi në spital fillohet në kohën e duhur, shkalla e vdekshmërisë prej saj zvogëlohet në rreth 5%.
Ethja Lassa është një sëmundje me deklarim të detyrueshëm.
Virusi Lassa transmetohet nga jashtëqitjet e një miu të vogël, të quajtur mastomys natalensis. Ai transmetohet tek njeriu përmes ushqimeve të infektuara prej tij.
Virusi transmetohet më rrallë nga spërklat e pështymës, infeksioni i një plage ose drejtpërdrejt nëpërmjet sekrecioneve të njeriut (urina, gjaku, dhe sekrecionet gjenitale gjatë marrëdhënieve seksuale të pambrojtura).

Periudha e inkubacionit (nga momenti i infektimit deri në momentin e shfaqjes së simptomave të para të sëmundjes) zgjat nga 6-21 ditë.
Sëmundja fillon me simptoma të ngjashme me ato të gripit, që janë:- Dobësi e përgjithshme trupore (rraskapitje)
- Dhimbje të muskujve
- Dhimbje të gjymtyrëve
- Të përziera, të vjella
- Dhimbje koke
- Temperaturë e lartë, deri në 40°C.
Më pas (pas rreth 3-7 ditësh), shtohen simptomat e mëposhtme:
- Shfaqja e elementeve në ngjyrë të bardhë, të ngjashme me ulçerat, në zonën e laringut.
- Zmadhim i nyjeve limfatike në zonën e fytit, që janë të dhimbshme gjatë shtypjes.
- Shfaqje e disa elementeve me pamje lara-lara, të shoqëruara me kokrra të vogla të ngritura në lëkurë, fillimisht në zonën e fytyrës, qafës, krahëve, dhe më pas në të gjithë trupin.
- Dhimbje barku e fortë dhe e menjëhershme (që ngjan me kolikën), diarre.
- Konjuktivit (inflamacion i pjesës së bardhë të syrit)
- Enjtje e nyjeve limfatike në zona të tjera të trupit
Pas 7-14 ditësh, shfaqet kriza kërcënuese për jetën e pacientit, e karakterizuar nga:
- Vështirësia në ushqyerje dhe në frymëshkëmbim (frymëmarrje dhe frymënxjerrje), për shkak të enjtjes së nyjeve limfatike të fytit.
- Zmadhimi i mëlçisë
- Zmadhimi i shpretkës
- Prirja për hemorragji, për shkak të çrregullimeve të mpiksjes së gjakut (hemorragji të jashtme në lëkurë dhe hemorragji të brendshme).
- Të vjella
- Ringritja e temperaturës trupore, pas fazave të përkohshme të ndërprerjes së saj.

Fillimisht, simptomat e ethes Lassa mund ta bëjnë mjekun të dyshojë për sëmundje të tjera infektive, veçanërisht për gripin, malarien, tifon ose paratifon.
Identifikimi i virusit Lassa të pranishëm në gjak, në urinë, në materialin e marrë nga fyti ose nëpërmjet biopsisë, konfirmon diagnozën. Gjithashtu, virusi mund të evidentohet edhe me ndihmën e një testi specifik, që është PCR (testi i polimerazës).
Duke nisur nga dita e tretë e sëmundjes, në gjak mund të evidentohen edhe antitrupat kundër virusit Lassa.

Nuk egziston asnjë medikament specifik kundër ethes Lassa. Mund të jetë efikas një medikament antiviral (që shkatërron qelizat virale), vetëm nëse përdoret gjatë ditëve të para të sëmundjes.
Masat e përgjithshme
Masat e përgjithshme përfshijnë:- Përdorimin e medikamenteve që ulin temperaturën trupore (antipiretikë)
- Stabilizimin e qarkullimit, nëpërmjet kompensimit të lëngjeve të humbura.
Prirja për hemorragji është një ndërlikim i frikshëm i ethes Lassa, sepse mund të çojë në vdekje të pacientit. Hemorragji (gjakrrjedhje) të rënda shfaqen në rreth një të katërtën e rasteve. Pneumonia (infeksioni në mushkëri) dhe encefaliti (infeksioni në tru) janë ndërlikime të shpeshta, që mund të shkaktojnë pasoja afatgjata, si humbja e dëgjimit.
Ecuria e ethes Lassa është tepër e vështirë të parashikohet. Megjithë qëndrimin në spital, rreth 15% e pacientëve vdesin. Përgjithësisht vdekja është rezultat i uljes së funksionit të disa organeve ose nga dobësimi i punës së zemrës. Tek gratë shtatzana, shkalla e vdekshmërisë është veçanërisht e lartë (50%), ku mbi 80% e humbasën fëmijën e tyre.
