logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Gjakderdhjet nga hunda zakonisht vijnë nga acarimi i mukozës së hundës ose nga një dëmtim
Gjakderdhjet nga hunda zakonisht vijnë nga acarimi i mukozës së hundës ose nga një dëmtim

Epistaksis është një rrjedhje e gjakut nga njëra vrimë ose nga të dyja vrimat e hundës. Nëse burimi i gjakderdhjes është në pjesën e prapme të hundës, gjaku mund të rrjedhë poshtë faringut (fytit), gjë që mund të shkaktojë të përziera dhe të vjella. Rrjedhja spontane e gjakut, pa ndonjë shkak të dukshëm, zakonisht është e padhimbshme.

Pjesa e përparme e hundës është shumë e ndjeshme ndaj gjakderdhjes nga hunda. Kjo zonë është veçanërisht mirë e vaskularizuar (e pasur me enë gjaku) dhe formon një pleksus të enëve në sipërfaqen e ndarëses së hundës. Këto enë janë jashtëzakonisht të holla, dhe për pasojë shumë delikate. Për këtë arsye, shumica e gjakderdhjeve nga hunda ndodhin atje.

Çrregullime të njëkohshme me gjakderdhjen nga hunda janë: të përzierat/të vjellat, dhimbja e kokës, dhimbja nga traumat.

Ka disa shkaqe për gjakderdhjen nga hunda. Më të zakonshmet janë kruarja e hundës me gishtin tregues dhe shfryrja e hundës. Gjithashtu, faktorë shkaktarë mund të konsiderohen edhe mukoza e thatë e hundës për shkak të ajrit të thatë, pirja e pamjaftueshme e lëngjeve/ujit, ose pirja e duhanit. Tek fëmijët, është e zakonshme që epistaksis të ndodhi pa asnjë arsye të dukshme.

Shkaqe të tjera të gjakderdhjes nga hunda janë:

  • Sëmundjet infektive me ethe (psh. gripi)
  • Traumat (psh. një goditje në kokë ose direkt në hundë)
  • Hipertensioni arterial
  • Medikamentet antikoagulante (që hollojnë gjakun)
  • Dëmtimi i mëlçisë
  • Sëmundjet e veshkave
  • Sëmundjet e trashëguara të enëve të gjakut (psh. sëmundja Rendu-Osler: sëmundje keqformuese e enëve të gjakut, e lidhur me zgjerimin e enëve të gjakut).
  • Çrregullime të mpiksjes së gjakut (psh. Hemofilia)
  • Sëmundjet që lidhen me mangësitë e vitaminave
  • Prania e trupave të huaj në hundë
  • Tumoret e mukozës së hundës, të nazofaringut ose sinuseve
  • Substancat kimike irrituese
  • Sëmundjet e sistemit përgjegjës për formimin e gjakut, si psh. leuçemia ose trombocitopenia (mungesa e leukociteve ose trombociteve).

Masat që këshillohen nëse keni një gjakderdhje të papritur nga hunda:

  • Përkuluni përpara, për të parandaluar kalimin e gjakut në faring (fyt)
  • Mbani hundën të mbyllur me gishta për disa minuta
  • Vendosni një kompresë të ftohtë ose akull në hundë, si dhe në qafë: kjo shkakton ngushtim të enëve të gjakut, që rezulton në ndalim të gjakderdhjes.
  • Shmangni shfryrjen e hundës disa orë pas një gjakderdhjeje; koret e formuara trajtojini me një pomadë enkas për këtë qëllim.

Kujdes: mos e përkulni kokën prapa, sepse gjaku mund të arrijë në trake. Përveç kësaj, pështyjeni gjakun dhe mos e gëlltitni (për të shmangur të vjellat).

Me këto masa, rrjedhja e gjakut duhet të ndalojë brenda 15-20 minutash. Nëse nuk ndodh kështu, ju lutemi konsultohuni me një mjek (reagoni më shpejt kur gjakderdhja nga hunda ndodh tek fëmijët).

Gjatë shenjave klinike të kolapsit kardio-vaskular pas një humbjeje të konsiderueshme të gjakut, menjëherë njoftoni shërbimin e urgjencës dhe jepni ndihmën e parë:

  • Nëse pacienti është i pavetëdijshëm: vendoseni pacientin në pozicionin anësor të sigurisë. 
  • Nëse pacienti është i pavetëdijshëm dhe nuk merr frymë: filloni menjëherë masazhin në zemër dhe frymëmarrjen gojë më gojë.
  • Pas traumave të kokës ose rrëzimit: shenjat klinike të traumave të rënda të kokës janë dhimbjet e forta të kokës, çrregullimet e vetëdijes, rrjedhja e lëngjeve transparente ose të kuqe nga hunda.
    Në të tilla raste:
    • Ngrini gjoksin e pacientit, kontrrolloni gjendjen e vetëdijes; Nëse pacienti ka humbur vetëdijen: vendoseni pacientin në pozicionin anësor të sigurisë.

Nëse gjakderdhja nga hunda nuk ka ndaluar 20 minuta pas fillimit të saj - veçanërisht tek fëmijët - konsultohuni me mjekun tuaj ose me një mjek të urgjencës.

Nëse pacienti vuan nga episode të shpeshta të gjakderdhjes nga hunda (disa herë në ditë ose disa ditë me radhë), kërkohet konsultim mjekësor.

Kujdes: nëse nga hunda ose nga goja del lëng transparent pas traumave të kokës, menjëherë duhet të telefononi mjekun, pasi mund të jetë lëngu cerebrospinal (lëngu trunoshpinor).

Tek cili mjek duhet të drejtoheni për konsultë?

Përpara çdo rasti me gjakderdhje nga hunda, fillimisht mjeku kërkon shkakun e mundshëm të saj dhe kryen trajtimin korrekt, që ka për qëllim ndalimin e hemorragjisë (hemostazën). 

Për të përcaktuar shkakun e mundshëm të gjakderdhjes nga hunda:

  • Matet presioni i gjakut, dhe stabilizohet me trajtim specifik në rastet që rezulton i lartë.
  • Pyetet pacienti dhe të afërmit e tij për sëmundje të mëparshme, dhe marrje të medikamenteve që mund të kenë shkaktuar gjakderdhje nga hunda (veçanërisht holluesit e gjakut) 
  • Kryhen analizat e gjakut: në gjakderdhje të rëndësishme dhe/ose të shpeshta bëhet analiza e gjakut për një anemi të mundshme, si dhe vlerësohet gjendja e mpiksjes së gjakut gjatë marrjes së holluesve të gjakut. 
  • Kryhet vëzhgimi i pjesës së brendshme të hundës me një spekulum ose endoskop, për të përcaktuar burimin e gjakderdhjes. 
  • Kryhen ekzaminimet imazherike gjatë traumave të kokës ose tumoreve të mundshme: radiografia e kokës, skaneri (CT) i kokës, rezonanca magnetike (MRI) e kokës. 

Në rastet me gjakderdhje nga hunda, para së gjithash duhet të përcaktohet shkaku i hemorragjisë, në mënyrë që të ndalet kjo e fundit. 

Trajtimi mjekësor i gjakderdhjes nga hunda konsiston në:

  • Kauterizimin e enëve të gjakut të pleksusit vaskular të hundës.
  • Tamponimin e hundës: hemorragjitë e rënda, ato që janë të dyanshme (nga të dyja vrimat e hundës), si dhe ato që vijnë nga zonat e pasme të hundës, mund të koagulohen (mpiksen) me teknika të ndryshme. Kujdes: gjithmonë duhet të tamponohen të dyja vrimat e hundës, në mënyrë që të ushtrohet një kundër-presion  i mjaftueshëm për të ndaluar gjakderdhjen. Tamponimi duhet të vazhdojë për 48 orë. 
  • Ndërhyrja kirurgjikale: hemorragjitë që e kanë origjinën në enët më të rëndësishme të gjakut, mund të ndalohen nëpërmjet ligaturës (lidhjes) së arteries së prekur.
  • Trajtimi i sëmundjeve shkaktare të gjakderdhjes nga hunda (psh. stabilizimi i presionit të gjakut me trajtim specifik). 

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.