logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Palpitimet mund të jenë psikologjike ose fizike, akute ose të përsëritura
Palpitimet mund të jenë psikologjike ose fizike, akute ose të përsëritura
Takikardia përfaqëson përshpejtimin e ritmit të zemrës, pra shpeshtimin e rrahjeve të saj në një minutë (përshpejtim jonormal i ritmit të zemrës, me mbi 100 rrahje/minutë.), që ndodh për arsye të ndryshme.
Palpitacionet përfaqësojnë ndjesinë e goditjeve të forta dhe jonormale në zonën e zemrës, që përgjithësisht shoqërohen me ndjenjë ankthi dhe vështirësi në frymëmarrje. Shpesh, ato janë kalimtare dhe të padëmshme, por në raste të rralla mund të jenë tregues i pranisë së një sëmundjeje të caktuar.

Në qetësi, zemra rreh 60-80 herë në minutë. Në rastin e takikardisë, zemra rreh mbi 100 herë në minutë, që është një ritëm më i shpejtë se ai normal. Për këtë arsye, rrahja e zemrës ndihet si një ndjesi e pakëndshme në kraharor, që përshkruhet si palpitcione të forta. Gjithashtu, rrahjet e shpejta të zemrës mund të ndihen edhe në nivelin e qafës dhe të grykës.

Nëse zemra rreh aq shpejt, saqë nuk arrin të hedhë sasinë e nevojshme të gjakut për funksionimin e mirë të trurit dhe të trupit, pacienti mund të ndiejë vështirësi në frymëmarrje, dobësi të përgjithshme trupore, marrje mendsh, madje mund të zhvillojë edhe gjendjen e sinkopit.

Tipet e takikardise:

  • Takikardia pas një gjendjeje eksitimi, frike ose aktiviteti fizik. Ajo është përgjithësisht e parrezikshme. Zemra është e shëndetshme, pulsi i shpejtë por i rregullt.
  • Takikarditë që formohen në atriumin e zemrës dhe manifestohen papritur në qetësi, të cilat mund të zhduken gjithashtu po aq shpejt sa edhe shfaqen. Në këtë rast, ritmi mund të jetë i rregullt ose i çrregullt. Takikardia mund të zgjasë disa sekonda, disa minuta, madje edhe disa orë. Dallohen tipi beninj dhe tipi malinj i saj: forma beninje manifestohet tek pacientët e rinj, të shëndetshëm, pa probleme të njohura të zemrës. Në përgjithësi, këta pacientë nuk bien asnjëherë në gjendjen e sinkopit. Forma malinje është fibrilacioni atrial, që shfaqet kryesisht tek të moshuarit dhe është i rrezikshëm. Pulsi është tipikisht i shpejtë dhe i çrregullt.
  • Takikardia që fillon në nivelin e ventrikulit të zemrës dhe praktikisht shfaqet vetëm kur zemra është paraprakisht e dëmtuar. Ky tip i takikardisë është tepër i rrallë, por edhe tepër i rrezikshëm, sepse mund të shpërthejë një fibrilacion ventrikular, që në fakt është shkaku më i shpeshtë i ndalimit të papritur të zemrës, duke përfaqësur në këtë mënyrë një situatë urgjence absolute.
Çregullimet shoqëruese të takikardisë janë: axhitimi, dridhjet trupore, dobësia trupore, frika, djersët, marrje mendsh, vështirësi në frymëmarrje, dhimbje të zemrës, dhimbje kraharori, palpitacione, të përziera, çrregullime të vetëdijes.

Në pjesën më të madhe të rasteve, takikarditë shkaktohen nga stresi, eksitimi nervor ose konsumi i sasive të mëdha të kafesë. Megjithatë, në origjinën e tyre mund të jenë edhe sëmundje më të rënda, veçanërisht ato kardiake. Gjithashtu, takikardia mund të provokohet edhe nga përdorimi i disa medikamenteve, si efekt i padëshiruar i tyre.

Shkaqet e takikardisë janë:

  • Hipertensioni arterial
  • Fibrilacioni atrial
  • Aritmitë e zemrës
  • Angina pektoris
  • Sëmundja e arterieve koronare
  • Infarkti i miokardit
  • Sëmundjet valvulare të zemrës
  • Miokarditi (inflamacioni i indit muskular të zemrës)
  • Hipertireoza
  • Hipoglicemia
  • Anemia
  • Çrregullimet e ankthit , krizat e panikut
  • Neuroza e zemrës
  • Embolia pulmonare

Shkaqe të tjera të takikardisë janë:

  • Konsumi i tepruar i kafesë
  • Mbingarkesa psikologjike dhe fizike
  • Luhatjet e hormoneve gjatë menopauzës
  • Efektet dytësore të medikamenteve
  • Ethja
  • Mungesa e lëngjeve, humbjet e mëdha të gjakut

Takikarditë beninje mund të ndalohen përgjithësisht falë disa teknikave, si:

  • Pirja e shpejtë e ujit të ftohtë, mundësisht me gaz, dhe më pas gromësini
  • Frymëmarrja e thellë, mbajtja e frymës dhe tkurrja e muskujve të barkut (si në rastin e shtrëngimit për të jashtëqitur në tualet)
  • Mbajtja e frymës

Takikarditë kanë gjithmonë nevojë për konsultë nga një mjek kardiolog, veçanërisht nëse vazhdojnë për një kohë të gjatë, dhe nëse shoqërohen me çrregullime të tjera. Nëse një takikardi shoqërohet me marrje mendsh të forta, dhimbje në zonën e zemrës ose gjendje sinkopale, duhet të njoftohet mjeku menjëherë.

Me cilin mjek duhet të konsultoheni?

  • Mjeku kardiolog
  • Mjeku internist
  • Mjeku i urgjencës

Për të patur një tablo sa më të qartë për problemet aktuale dhe shkaqet e mundshme të tyre, mjeku fillimisht njihet me historinë mjekësore personale të pacientit (anamneza) dhe kryen egzaminimin klinik me mjete të thjeshta (vëzhgimi, analiza, palpacioni, auskultacioni, testet funksionale, etj). Më pas, mjeku mund të rekomandojë edhe egzaminime të tjera më specifike, sipas rastit.

Historia mjekësore personale (anamneza) bazohet tek:

  • Pyetjet e lidhura me takikardinë: kur është shfaqur fillimisht, kur ka qenë hera e fundit, me çfarë shpeshtësie shfaqet, (çdo ditë, çdo javë, e lidhur me menstruacionet), me fillim të papritur ose gradual, e lidhur me disa situata të veçanta (gjatë acarimit nervor, aktivitetit fizik, gjatë natës, në qetësi, etj.), kohëzgjatja, ndalimi i menjëhershëm ose gradual, nëse është ndërprerë falë disa teknikave (si pirja e ujit të ftohtë), prania e takikardisë ose sëmundjeve të tjera të zemrës në pjesëtarë të tjerë të familjes.
  • Njohja me simptomat shoqëruese (shih më sipër)
  • Njohja me sëmundjet bashkëshoqëruese, problemet mjekësore personale të mëparshme, përfshirë dhe operacionet.
  • Informimi i mjekut mbi sëmundje ose shkaqe vdekjesh të rëndësishme në familjen e pacientit
  • Informimi mbi përdorimin e mundshëm të ndonjë medikamenti
  • Informimi lidhur me ndonjë alergji të mundshme
  • Informimi mbi kushtet e jetesës, aspektet profesionale dhe sociale të pacientit
  • Informimi mbi cilësinë e jetës së pacientit: ushqyerja, gjumi, produktet që konsumon (kafeja, alkooli, nikotina, drogat), stresi, etj.

Egzaminimi fizik

Në rastin e takikardisë, në plan të parë për mjekun është egzaminimi i sistemit kardio-vaskular. Për këtë qëllim, ai kontrrollon pulsin dhe presionin e gjakut, auskulton zemrën dhe enët egjakut. Gjithashtu, ai mund të auskultojë mushkëritë ose të palpojë gjendrën tiroide.

Egzaminime të tjera specifike diagnostike

  • Elektrokardiografia (EKG) në qetësi, që është paraqitja grafike e aktivitetit elektrik të zemrës.
  • EKG në efort (prova ushtrimore): egzaminimi konsiston në regjistrimin e EKG gjatë kryerjes së një ushtrimi fizik (si biçikleta ushtrimore)
  • Holteri i zemrës: është një EKG gjatë 24-48 orëve, që mundësohet nga një pajisje portable, që lejon regjistrimin e aktivitetit elektrik të zemrës.
  • Analizat e gjakut: kryhet formula e gjakut, elektrolitet (kaliumi, magneziumi), hormonet e gjendrës tiroide, niveli i sheqerit në gjak
  • Ekografia e zemrës
  • Kateterizimi i zemrës
  • Egzaminime imazherike të tilla, si: radiografia, skaneri, rezonanca magnetike, koronarografia.

Më tepër informacion lidhur me egzaminimet mjekësore diagnostike mund të gjeni në faqen kryesore të sëmundjeve përkatëse.

Trajtimi mjekësor i takikardive varet nga shkaku i simptomës, veçanërisht nëse janë beninje ose malinje.

Ja disa trajtime mjekësore të mundshme:

  • Përdorimi i medikamenteve kundër aritmive të zemrës (antiaritmikët)
  • Takikarditë beninje mund të trajtohen në mënyrë përfundimtare: nëpërmjet kataeterizimit, një pjesë e vogël e indit të zemrës që shkakton takikardinë sklerotizohet, duke u shkatërruar në këtë mënyrë.
  • Në rastet e takikardive më të rrezikshme, për të analizuar ritmin e zemrës dhe për ta rregulluar këtë të fundit, implantohet nën muskulin e kraharorit të pacientit një fibrilator automatik.
  • Nëse në origjinën e takikardive është një sëmundje e zemrës ose sëmundje të tjera (psh.një hipertireozë), duhet të trajtohet kjo e fundit (më shumë informacion do të gjeni në përshkrimin e çdo simptome të sëmundjes)
  • Në rastin e fibrilacionit atrial, duhet të administrohet një antikoagulant nga goja, për të pakësuar rrezikun e lartë për tromboza dhe aksidente vaskulare cerebrale (AVC).
  • Takikarditë që shfaqen gjatë krizave të panikut ose çrregullimeve të ankthit, mund të qetësohen me ndihmën e medikamenteve anksiolitike ose qetësuese.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.

Përdoruesit kanë vizituar po ashtu...