Gastro-enteriti (Inflamacioni i stomakut dhe zorrëve)
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Gastro-enteriti akut (i menjëhershëm) shkaktohet përgjithësisht nga viruset ose bakteriet, ku më të shpeshtat janë Salmonelat, Esheria Koli, enterokokët, shigela ose kampilobakteriet. Tek fëmijët e vegjël sëmundja shpërthehet nga rotaviruset. Adenoviruset ose enteroviruset mund të jenë gjithashtu në origjinën e një gastro-enteriti. Parazitët e tillë si ameba ose lamblia janë më të rrallë.
Simptomat kryesore të sëmundjes janë të vjellat dhe diarrea. Në rastet me ecuri jo të mirë, diarrea mund të jetë me gjak. Rreziku kryesor i kësaj sëmundjeje është dehidrimi (humbja e sasive të mëdha të lëngjeve dhe kripërave të organizmit).

Pacienti me gastro-enterit paraqet këto simptoma:
- Të vjella
- Diarre të ujshme, ndonjëherë me gjak ose me sekrecione (mukus), të paktën tre herë në ditë.
- Dhimbje në zonën e barkut
- Mungesë e oreksit
- Marrje mendsh
- Dhimbje koke
- Simptoma gripale, si temperaturë, ethe, etj.
Shenjat e dehidrimit (humbjes së sasive të mëdha të lëngjeve dhe kripërave nga organizmi) janë:
- Urinimi në sasi të pakët
- Mukozat e thata
- Rënia në peshë
- Humbja e elasticitetit të lëkurës (formimi i një të thelluare kur lëkura mbahet e ngritur ndërmjet dy gishtave)
Në rastin e gastro-enteritit tek foshnjat, mund të konstatohen edhe simptomat e mëposhtme:
- Fontanela e shtypur (vend i butë në pjesën e sipërme të kokës së fëmijës)
- Refleks i dobët i kapjes së gjirit
- Lëkurë e thatë
- Mungesë e lotëve kur fëmija qan
- Ulje e shprehur e prodhimit të urinës
Humbja e sasive të mëdha të lëngjeve mund të ketë pasoja të dëmshme për organizmin, veçanërisht tek foshnjat dhe personat e moshuar. Në rastet kur ajo është e theksuar dhe nuk trajtohet menjëherë, mund të çojë në vdekjen e pacientit.

Në rast se gastro-enteriti shfaqet tek fëmijët nën 1 vjeç, ai duhet të trajtohet nga një mjek specialist pediatër gastro-enterolog. Edhe pacientët e rritur, që kanë patur të vjella për disa orë dhe temperaturë, duhet të konsultohen dhe ndiqen nga mjeku specialit gastro-enterolog.
Metodat e diagnostikimit të gastro-enteritit janë:
- Njohja e mjekut me simptomat e pacientit, historinë e fillimit të tyre, shpeshtësinë e të vjellave dhe të jashtëqitjeve, praninë e simptomave të ngjashme në pjesëtarë të tjerë të familjes, etj.
- Egzaminimi i feçeve (jashtëqitjeve) për identifikimin në to të agjentit shkaktar të sëmundjes (koprokultura)
- Analizat e gjakut dhe analiza e urinës, për të vlerësuar shkallën e dehidrimit (varfërimit të trupit në lëngje dhe kripëra).

Pjesa më e madhe e gastro-enteriteve shërohen pa trajtim me medikamente. Përgjithësisht, trajtohen vetëm simptomat, ku vëmendja më e madhe i kushtohet zëvendësimit të lëngjeve të humbura, që kanë shkaktuar dehidrimin (varfërimin me lëngje dhe kripëra) e pacientit.
Medikamentet kundër diarresë janë të nevojshme vetëm për disa ditë dhe nuk duhet të përdoren pa rekomandimin e mjekut. Nëse vazhdohen më gjatë, ato shkaktojnë trashjen e feçeve dhe bëjnë që mikrobi të qëndrojë më gjatë në nivelin e zorrës.
Antibiotikët nuk janë të efektshëm për të gjitha llojet e mikrobeve.
Masat e përgjithshme
Objektivi kryesor i personelit mjekësor në rastin e gastro-enteritit është zëvendësimi i menjëhershëm i lëngjeve dhe kripërave të humbura. Për të evituar dehidrimin, rekomandohet të pihen 2-3 litra lëngje në ditë, ku lëngjet më të këshillueshme janë uji, çaji, lëngu i freskët i frutave tepër i holluar, supat dhe orizi i zier (llapa). Pijet e gazuara duhet të evitohen, me përjashtim të koka-kolës, e cila mund të konsumohet në sasi të vogël, herë pas here.
Foshnjat, personat e moshuar ose pacientët që nuk janë në gjendje të marrin lëngje nga goja, duhet të trajtohen në kushte spitali, me lëngje dhe medikamente me rrugë venoze.
Çfarë mund të bëjmë vetë?
Një përgatesë kundër diarresë, që zëvendëson kripërat e humbura:
Ajo përmban elektrolite (kripëra) dhe mundëson kompensimin e shpejtë dhe të thjeshtë të lëngjeve dhe kripërave të humbura. Kjo përgatesë përftohet nga përzierja e:
- 0,5 litra ujë të zier
- Gjysëm luge kafeje me kripë
- 4 lugë kafeje me sheqer
- Pak lëng portokalli për shije
Kur diarrea ndërpritet, pacienti duhet t’i nënshtrohet një regjimi ushqimor të lehtë, që shtohet në mënyrë graduale, derisa gjendja shëndetsore e pacientit t’i kthehet normalitetit. Ky regjim konsiston në:
- Konsumin e ushqimeve të lehta për t’u tretur, si biskotat dhe supat, bananet dhe kajsitë, që janë burime të mira të kaliumit.
- Patatet e skuqura apo biskotat kompensojnë humbjen e kripërave.
- Evitimin e ushqimeve të pasura me yndyrna, sheqernave dhe lëngjeve të frutave të paholluara.
- Tek foshnjat, rekomandohet hollimi i qumështit me çaj, fillimisht në raportin 1:1, më pas në raportin 2:1.
Amebat mund të sulmojnë mëlçinë ose organe të tjera të trupit. Tek pacientët e rinj, dëmtimet e mukozës (pjesës së brendshme) së zorrës mund të shkaktojnë mostolerim të laktozës ose proteinave të tjera që gjenden tek qumështi.

Për parandalimin e një gastro-enteriti:
- Këshilla kryesore për produktet ushqimore gjatë një udhëtimi në vende të nxehta është: gatuaji ose hiqu lëkurën, përndryshe mos i konsumo! Vëmendje e madhe në këtë drejtim duhet treguar ndaj sallatave, pijeve, akullit dhe akulloreve, si dhe sanduiçëve që përmbajnë sallatë ose perime të papërpunuara.
- Përpara se të pihet, uji duhet të ziehet, ose të pihet ujë mineral. Ky rregull vlen edhe për larjen e dhëmbëve.
- Të kryhet vaksinimi kundër kolerës dhe ethes tifoide
- Të mos konsumohen vezë të papërpunuara, ose të përpunuara pjesërisht (veçanërisht në stinën e verës), as pula të pagatuara plotësisht, as fruta ose sallata të palara.
- Disa sëmundje të zorrëve, si psh. ato të shkaktuara nga salmonelat, janë tepër ngjitëse. Për parandalimin e tyre duhet të respektohen masa tepër të forta higjienike.
- Të lahen duart pas çdo vajtje në tualet.