Sindromi i zorrës së irritueshme (Koloni i irritueshëm, SZI, Zorra nervoze, Zorra spastike)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Në personat që shfaqin këtë sindromë, nuk evidentohet asnjë sëmundje organike. Simptomat e saj provokohen nga çrregullime të lëvizshmërisë së zorrës dhe të prodhimit të mukusit (sekrecionit të zorrës) në të. Femrat preken dy herë më tepër se meshkujt nga kjo sëmundje.

Pacienti me sindromin e zorrës së irritueshme (SZI) paraqet këto simptoma:
- Diarre, kapsllëk ose alternim i të dyjave.
- Dhimbje në zonën e barkut, në rektum (pjesën fundore të zorrës së trashë) ose në shpinë, shpesh pas ngrënies ose në situata stresuese.
- Shtim i dhimbjeve kur zorra është e zgjeruar.
- Nevojë e shpeshtë dhe urgjente për të jashtëqitur.
- Fryrje e barkut dhe forcim i tij.
- Dhimbje koke, në shpinë ose në fundin e barkut.
- Dobësi e përgjithshme trupore.
- Çrregullime të përqëndrimit
- Depresion
- Pagjumesi.
Njihen tre forma të SZI, në varësi të simptomave:
- Forma me kapsllëk, që karakterizohet nga feçe të forta dhe një vështirësi për të jashtëqitur, si pasojë e të cilës ushqimi kalon në zorrë për një kohë më të gjatë.
- Forma me diarre, që karakterizohet nga feçe të holla dhe një nevojë e shpeshtë dhe urgjente për të defekuar. Për pasojë, ushqimi kalon në zorrë për një kohë më të shkurtër.
- Forma e përzier, që karakterizohet nga jashtëqitje të përsëritura në mëngjes.

Për të vendosur diagnozën e sindromit të zorrës së irritueshme (SZI), janë të nevojshme:
- Egzaminimi i kujdeshëm i pacientit nga mjeku specialist gastro-hepatolog, informimi i tij lidhur me simptomat e pacientit dhe historinë e fillimit të tyre.
- Analizat laboratorike, për të përjashtuar një sëmundje organike, si mostolerimi i laktozës, sëmundja celiake, ulçera e stomakut, parazitozat, sëmundjet inflamatore kronike të zorrëve (Sëmundja Kron).
Në rastet e nevojshme, egzaminimi endoskopik i zorrës (kolonoskopia) ose radiografia e zorrëve me lëndë kontrasti.

Meqenëse faktorët shkaktarë të sindromit të zorrës së irritueshme (SZI) janë kompleksë, edhe trajtimi i tij përfshin njëherësh disa komponentë. Kështu:
Momenti më i rëndësishëm i trajtimit të SZI-së është pikërisht ai i diskutimit të pacientit me mjekun specialist rreth sëmundjes së tij.
Lidhur me regjimin ushqimor të pacientit, në SZI rrallë mund të evidentohet mostolerimi i vërtetë i ndonjë produkti ushqimor.
- Tek pacientët që ankojnë për fryrje të barkut, kufizimi i ushqimeve që mund ta shkaktojnë atë (bathët, fasulet, qepët, ushqimet pikante, etj.) ndihmon në lehtësimin e simptomës.
- Tek pacientët me SZI me dominim të kapsllëkut, janë të dobishme fibrat ushqimore, që gjenden me shumicë tek frutat dhe perimet e freskëta..
- Tek pacientët me dhimbje dhe nevojë urgjente për të jashtëqitur pas ngrënies, janë efikasë medikamentet spazmolitike (që lirojnë zorrët).
- Tek pacientët me SZI me dominim të diarresë, janë efikasë medikamentet kundër diarresë.
- Tek pacientët me çrregullime psiqike shoqëruese (depression, ankth), përdoren medikamentet antidepresante.
Efikase kanë rezultuar edhe psikoterapia, teknikat e relaksimit dhe hipnoza. Përdorimi i laktobacilit plantarum dhe i çajrave kineze është gjithashtu efikas. Sipas studimeve, edhe akupunktura rezulton të jetë e efektshme për SZI-në.
Sindroma e zorrës së irritueshme (SZI) nuk është e rrezikshme dhe nuk shkakton kancer. Gjithsesi, ajo mund të ndikojë negativisht në cilësinë e jetës së pacientit, pasi simptomat mund të vazhdojnë gjatë gjithë jetës.
Për periudha të caktuara, sëmundja mund të rëndohet ose lehtësohet, madje edhe të zhduket plotësisht