Apendisiti (Inflamacioni i apendiksit)
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Cekumi është një organ i barkut, pjesë përbërëse e zorrës së trashë (pjesa fillestare e saj). Apendiksi është një zgjerim natyral (i lindur), një zgjatim i Cekumit, mjaft i ndjeshëm ndaj faktorëve patogjenë (sëmundje-shkaktues).
Apendisiti karakterizohet nga një inflamacion i Apendiksit. Zhvillimi i sëmundjes mund të reflektohet si një irritim i lehtë, që mund të kalojë në stadin e një apendisiti akut (stad i rëndë). Është e mundshme edhe forma kronike e apendisitit.
Shkaku kryesor i apendisitit është prania e një pengese në zbrazjen e tij. Në disa raste, kjo pengesë shkaktohet nga trupat e huaj, si psh. bërthamat e qershive. Në pjesën më të madhe të rasteve, pengesa shkaktohet nga feçet (jashtëqitjet) tepër të forta, parazitët, ose edhe nga një ndryshim i pozicionit të vetë apendiksit. Çrregullimet e qarkullimit, si pasojë e problemeve të zbrazjes, shtojnë rrezikun për infeksione. Tek fëmijët, apendisiti shpesh shoqërohet nga sëmundje të tjera.

- Dhimbjet e papritura në nivelin e fosës iliake të djathtë (pjesa e poshtme e barkut, në të djathtë të kërthizës).
- Theksimi i dhimbjeve në momentin e kollitjes dhe të teshtitjes gjatë ecjes.
- Zhvendosja e dhimbjeve drejt anës së djathtë, në fund të barkut.
- Mungesë e oreksit, të përziera, të vjella.
- Temperaturë (deri në 39°)
- Kapsllëk, fryrje e barkut
Simptomat e apendisitit, të përshkruara më sipër, janë karakteristike vetëm në 50% të rasteve. Tek fëmijët, diagnostikimi është veçanërisht i vështirë.
Diagnoza e apendisitit akut është mjaft e vështirë gjatë shtatzanisë. Kjo për faktin se, për shkak të zhvendosjes së apendiksit tek femrat shtatzëna, dhimbjet mund të shfaqen në anën e djathtë, në pjesën e sipërme ose qendrore të barkut, jo në pjesën e poshtme të tij. Edhe tek pacientët e moshuar, simptomat nuk janë tipike, duke vështirësuar në këtë mënyrë vendosjen e një diagnoze të saktë dhe të shpejtë.

- Informimi i mjekut rreth historisë së sëmundjes dhe simptomave që paraqet i sëmuri.
- Ekzaminimi fizik i të sëmurit, nëpërmjet palpimit të barkut dhe të rektumit (pjesës fundore të zorrës së trashë).
- Analiza e gjakut, ku nivelet e larta të qelizave të bardha të gjakut (leukociteve) tregojnë për praninë e inflamacionit.
- Ekografia e barkut
- Skaneri i barkut (sipas mundësive)
- Analiza e urinës
- Tek gratë, testi i shtatzënisë dhe ekzaminimi gjinekologjik, për të përjashtuar praninë e një shtatzënie jashtë mitrës (në tuba), të kisteve ose të një inflamacioni.

Një apendisit akut duhet të operohet menjëherë. Ndërhyrja kirurgjikale që realizon heqjen e tij quhet apendiks-ektomi. Në rastin e apendisitit kronik, operacioni duhet kryer jashtë krizave të dhimbjes.
Në rastin e inflamacionit tepër akut të apendiksit, është i mundshëm perforacioni (shpimi) i tij.
Në këtë situatë, feçet (materialet që gjenden në zorrën e trashë) depërtojnë në peritoneum (cipën e brendshme të barkut), duke shkaktuar inflamacion të tij (peritonit). Peritoniti përbën një urgjencë mjekësore që ka nevojë për trajtim të menjëhershëm.
Kur inflamacioni i apendiksit shtrihet në indet përreth, mund të formohet një
abces (masë e qelbëzuar) në bark, që gjithashtu ka nevojë për ndërhyrje
kirurgjikale.