Infeksionet e rrugëve urinare (Inflamacionet e aparatit uro-gjenital)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Infeksionet e rrugëve urinare janë infeksione që prekin aparatin urinar. Infeksioni shfaqet fillimisht në uretër ose në fshikëzën urinare. Nëse agjenti shkaktar i infeksionit përhapet duke u ngjitur nga fshikëza e urinës ose ureteri për në veshka, bëhet fjalë për infeksion ngjitës.
Në pjesën më të madhe të rasteve (80%-90%), infeksioni rezulton nga bakteriet (E.Koli) me origjinë nga zorrët.
Infeksionet e rrugëve urinare janë më të shpeshta tek femrat e rritura dhe foshnjat e gjinisë mashkullore. Femrat dhe meshkujt mbi 50 vjeç vuajnë pothuajse në mënyrë të barabartë nga infeksionet e rrugëve urinare. Rreth një në tre gra shtatzana shfaqin të paktën një herë gjatë shtatzanisë ose pas lindjes një infeksion të rrugëve urinare.
Pjesa më e madhe e infeksioneve të rrugëve urinare shkaktohen nga bakteri E. Koli, që gjendet në zorrë. Në raste të rralla, përgjegjëse për infeksionin mund të jenë edhe bakterie të tjera, viruse ose kërpudha. Në këto raste, agjenti shkaktar i infeksionit e ka origjinën në vaginë ose zorrë, nga ku prek uretrën ose fshikëzën e urinës. Në raste të rënda, ato ngjiten nëpërmjet ureterit dhe prekin veshkën.
Këto agjentë ngjiten në murin qelizor dhe shkaktojnë inflamacion. Disa bakterie sekretojnë një enzimë, që e bën urinën alkaline, dmth më pak acide. Mjedisi alkalin është tepër i favorshëm për bakteriet, për pasojë ato shumohen shumë aty. Gjithashtu, urinat alkaline favorizojnë shumë edhe formimin e gurëve.
Mënyra të tjera të infektimit:
- Bakteriet arrijnë në aparatin urinar nëpërmjet qarkullimit të gjakut
- Gjatë vendosjes dhe mbajtjes për një kohë të gjatë të kateterëve urinarë, infeksionet janë të shpeshta.
- Infekstimet e drejtpërdrejta nga një vatër infeksioni në bark, psh. në peritoneum (peritonit), ose në zorrë (divertikulit). Tek femrat, sëmundjet gjinekologjike si inflamacioni i tubave të Fallopit, mund të shërbejnë si vatër parësore e infeksionit.
- Faktorët e rrezikut ose sëmundjet që favorizojnë një infeksion të rrugëve urinare:
Tek të dy gjinitë:
- Diabeti i sheqerit
- Crregullimet e eleminimit të urinës, si pasojë e bllokimeve, ngushtimeve, pengesave ose inflamacioneve të rrugëve urinare.
- Formimi i gurëve në aparatin urinar (urolitiaza)
- Egzaminimet e aparatit urinar me anën e instrumentave mjekësore (eksplorimet, futja e kateterëve)
- Dobësimi i aftësive mbrojtëse të organizmit (imunitetit)
- Sëmundjet metabolike (guta)
- Sasia e pamjaftueshme e lëngjeve të marra gjatë ditës, dhe për pasojë volumi i pakët i urinës që eleminohet
- Faktorët gjenetikë
- Marrëdhëniet seksuale (veçanërisht ato anale)
- Transplanti i veshkave
Vetëm tek meshkujt:
- Hipertrofia ose kanceri i prostatës
- Ngushtimi i prepuciumit (fimosis)
- Anomalitë e lindura, veçanërisht tek djemtë e vegjël
Vetëm tek femrat:
- Shtatzania
- Mënyrat e kontracepsionit mekanik ose kimik (pomadat spermicide, steriletë, diafragmat, etj.).
- Tek femrat uretra është e shkurtër, dhe i lejon bakteriet të arrijnë në aparatin urinar shumë më shpejt se tek meshkujt.
- Femrat që kanë disa disa antigenë të grupit të gjakut duket se janë më të ndjeshme ndaj infeksioneve urinare; tek femrat, shpesh mungojnë antitrupat e mukozës kundër bakterit E.Koli.

Simptomat në rastin e infeksionit të rrugëve të poshtme urinare (uretra, fshikëza e urinës) janë:
- Dhimbje dhe ndjesi e djegies gjatë urinimit
- Dhimbje dhe krampe në fund të barkut, në zonën pubike.
- Vështirësi në zbrazjen e fshikëzës (dizuria)
- Nevojë e shpeshtë për të urinuar (polakiuri), me nxjerrjen e sasive të vogla të urinës
- Urinime të shpeshta gjatë natës (nikturia)
- Zbrazje e dhimbshme dhe e pavullnetshme e fshikëzës urinare (stranguria)
- Sipas rastit, prania e gjakut në urine (hematuria)
Simptomat në rastin e infeksionit të rrugëve të sipërme urinare (ureterët dhe veshkat):
- Temperaturë e lartë, ethe, dobësi e përgjithshme trupore
- Të përziera
- Kapsllëk
- Dhimbje mesi dhe në veshka, përgjithësisht e njëanshme
- Dhimbje në shpinë
- Nevojë e shpeshtë për të urinuar (polakiuria), me nxjerrjen e sasive të vogla të urinës
- Vështirësi në zbrazjen e fshikëzës urinare (dizuria)
- Përshpejtim i ritmit të zemrës (takikardia)
Përveç këtyre simptomave, fëmijët shfaqin edhe: të vjella, mungesë e dëshirës për të pirë, plogështi, lëkurë të zbehtë, dhimbje barku dhe urinim të pavullnetshëm gjatë natës.
Tek personat e moshuar, shpesh simptomat nuk janë të shprehura, ato injorohen nga pacientët, nuk konsiderohen sëmundje, dhe për pasojë nuk kërkohet këshilla e mjekut. Infeksionet e rrugëve urinare janë tepër të shpeshta tek personat mbi 65 vjeç.

Diagnostikimi i infeksioneve të rrugëve urinare bazohet në:
- Historinë e sëmundjes
- Simptomat që paraqet pacienti
- Egzaminimin fizik të tij
- Analizat e urinës, për identifikimin e agjentit shkaktar të infeksionit, praninë e gjakut në urinë, etj.
- Analizat e gjakut, për vlerësimin e treguesve të inflamacionit
- Sipas rastit, kryerja e egzaminimit ekografik, në rastet kur dyshohet për gurë urinarë ose inflamacion të veshkës.
Për marrje korrekte të urinës për analizë, duhet të hidhet në tualet currili i parë i urinës, më pas të hidhet një sasi e caktuar urine në gotën sterile (porcioni i mesit) për analizën, dhe pjesa tjetër të hidhet në tualet.

Trajtimi i infeksioneve të rrugëve urinare varet nga rëndësia, tipi dhe shkaku i infeksionit. Në rastin e sëmundjeve kryesore (parësore), fillimisht duhet të trajtohen ato në mënyrë korrekte.
Në rast se nuk trajtohen ose trajtohen në mënyrë jokorrekte, pjesa më e madhe e infeksioneve të thjeshta të aparatit urinar shërohen pa ndërlikime.
Masat e përgjithshme
Masat e përgjithshme që rekomandohen në rastin e infeksionit të thjeshtë të rrugëve urinare janë:
- Konsumi i sasive të mëdha të lëngjeve gjatë ditës, dmth 3-4 litra në ditë (çaj pa sheqer ose ujë), që mundëson pastrimin në thellësi të rrugëve urinare. Kjo vlen për të gjitha tipet e infeksioneve të rrugëve urinare, veçanërisht për personat e moshuar, që e kanë të dobësuar ndjesinë e etjes.
Medikamentet
Në rastin e infeksioneve bakteriale, antibiotikët duhet të vazhdojnë me një kohëzgjatje të mjaftueshme, që të mund të evitojnë përsëritjen e infeksionit. E rëndësishme: edhe gratë shtatzana duhet t’i nënshtrohen trajtimit.
Sipas rastit, mund të përdoren medikamente antispazmolitike dhe antialgjike.
Medikamentet me përbërje bimore
Medikamentet bimore janë tepër të dobishme, veçanërisht kur ato shoqërohen me antibiotikët, në rastin e infeksioneve urinare të lehta ose mesatare, si dhe në infeksionet e përsëritura.
Operacionet
Ndërhyrja kirurgjikale konsiderohet si alternativa e fundit e trajtimit në rastet e gurëve të mëdhenj, ngushtimeve, bllokimeve, pengesave dhe keqformimeve të aparatit urinar.
Në infeksionet e sipërme (ureterët, veshkat), kur dyshohet për gurë dhe pacienti paraqet temperaturë të lartë të vazhdueshme, ai duhet të shtrohet menjëherë në spital dhe t’i nënshtrohet terapisë korrekte, pasi rrezikon për septicemi, e cila mund t’i shkaktojë vdekjen në disa rrethana ekstreme.

Infeksionet e rrugëve urinare mund të parandalohen duke respektuar këto rregulla të përgjithshme:
- Konsumi i 2-3 litra lëngjeve në ditë
- Përdorimi i veshjeve ose kompresave të ngrohta në fundin e barkut
- Të mos nguteni gjatë urinimit, derisa fshikëza të zbrazet plotësisht
- Higjienë e mirë, veçanërisht pas defekimit: pastrimi duhet të bëhet gjithmonë nga para-prapa, në mënyrë që të mos kalojnë bakteriet e zorrës në rrugët urinare. Shkaktar i këtij kalimi mund të jenë edhe mbathjet e holla (tanga).
- Kryerja e urinimit para dhe pas marrëdhënieve seksuale, pas marrëdhënieve anale, të pastrohet mejëherë penisi.
- Përdorimi i veshjeve dhe të brendshmeve me material të shëndetshëm, jo me material sintetik.
- Konsumi i çajit të lules së blirit për fshikëzën urinare dhe i lëngjeve me veti diuretike, pra që nxisin urinimin, mund të ndihmojnë në parandalimin e një infeksioni të ri të rrugëve urinare.