logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Testi i ekuilibrit shërben për të vlerësuar funksionin e organit të ekuilibrit në veshin e brendshëm.
Testi i ekuilibrit shërben për të vlerësuar funksionin e organit të ekuilibrit në veshin e brendshëm.

Çfarë është testi i ekuilibrit?

Testi i ekuilibrit përdoret për të vlerësuar funksionin e organit të ekuilibrit, që gjendet në veshin e brendshëm së bashku me organin e dëgjimit. Metodat e ndryshme të testimit lejojnë nga njëra anë të analizohet koordinimi trupor dhe, nga ana tjetër, të stimulohet (nxitet) organi i ekuilibrit. Në rastin e funksionimit normal të organit të ekuilibrit, nxitja shkakton lëvizje tipike reflektore të syrit, që quhet nistagmus. Mungesa e këtyre lëvizjeve të syve ose ndryshimi midis dy syve tregojnë një çrregullim të organeve të ekuilibrit, ashtu siç edhe mund të shfaqet nistagmus në mungesë të nxitjes.

Testi i ekuilibrit është një ekzaminim i fushës së Otorinolaringologjisë dhe asaj të Neurologjisë.

A kërkon ndonjë përgatitje të veçantë ky test?

Testi i ekuilibrit mund të kryhet pa ndonjë përgatitje të veçantë.

Çfarë duhet të sqarohet para një testi të ekuilibrit?

Asgjë e veçantë nuk duhet sqaruar përpara një testi ekuilibri. Në rast se pacienti ka marrje mendsh, mjeku duhet të informohet për llojin dhe shkallën e kësaj simptome.

Si kryhet testi i ekuilibrit?

Testi funksional i organit të ekuilibrit kryhet duke përdorur metoda të ndryshme:

1. Verifikimi i koordinimit të trupit me dy teste të thjeshta dhe të shpejta:

  • Testi postural i Romberg: qëndroni normalisht me këmbët e bashkuara, fillimisht me sytë e hapur dhe pastaj me sytë e mbyllur, çdo 1-3 minuta. Nëse shfaqet lëkundje ose një tendencë për të rënë, keni një çrregullim të ekuilibrit.
  • Testi i Fukuda-Unterberger: ecni me sytë e mbyllur për 1-3 minuta. Në rast çrregullimi të ekuilibrit, do të ktheheni ngadalë në anën që ka dëmtimin.

2. Stimulimi i organit të ekuilibrit për verifikimin e nistagmus (lëvizjet reflektore, të pavullnetshme të syve):

Ekzaminimi kryhet në një dhomë të errët. Pacienti mban syze të ndritshme me lente zmadhuese (syzet e Frenzel) në mënyrë që mjeku të mund të vëzhgojë lëvizjet tij të syve. Me këto syze të veçanta, dhe për shkak të lenteve zmadhuese, nuk mund të fiksohet asnjë objekt në dhomë, gjë që do të parandalonte lëvizjet reflektore të syve. Një mundësi tjetër është edhe regjistrimi dhe vlerësimi i nistagmus duke përdorur syze me videokamera infra të kuqe (videonistagmografia).

Stimujt e mëposhtëm mund të shkaktojnë lëvizje reflektore të syve:

  • Stimuli i rrotullimit: pacienti vendoset të rrotullohet në një karrige rrotulluese. Gjatë rrotullimit, normalisht lëvizjet e pavullnetshme të syve shfaqen në drejtimin e rrotullimit. Në rastin e ngadalësimit të papritur të karrigës, lëvizjet e syve duhet të kryhen në drejtim të kundërt me rrotullimin, për rreth 20 sekonda.
  • Stimuli i temperaturës: mjeku spërkat kanalin e jashtëm të dëgjimit me ujë të ftohtë ose me ujë të nxehtë. Normalisht, kjo duhet të provokojë një lëvizje reflektore të syve në anën e ujit të nxehtë.

Kur kryhet testi i ekuilibrit?

Testi i ekuilibrit bën të mundur zbulimin e çrregullimeve të organit të ekuilibrit. Më shpesh, ai kryhet për të gjetur shkakun e vertigos (marramendjes), pasi një çrregullim i ekuilibrit shkakton vertigo.

Arsyet e shpeshta për kryerjen e testit të ekuilibrit janë:

  • Vertigo, krizat e vertigos
  • Rrëzimet e pashpjegueshme
  • Çrregullimet e dëgjimit, pasi organi i dëgjimit dhe organi i ekuilibrit gjenden së bashku në veshin e brendshëm
  • Neurinoma akustike, tumori i veshit të brendshëm
  • Inflamacioni i veshit të brendshëm me humbje të dëgjimit

A paraqet testi i ekuilibrit rreziqe ose efekte të padëshiruara?

Ky ekzaminim është krejtësisht i padhimbshëm dhe i parrezikshëm. Gjithsesi, stimulimi me dashje i organit të ekuilibrit mund të shkaktojë marrje mendsh (tendencë për t’u rrëzuar) dhe të përziera.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.