Manometria ezofageale (Matja e presionit të ezofagut)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është manometria ezofageale?
Manometria ezofageale, ose matja e presionit të ezofagut, është një proçedurë e thjeshtë që shërben për të vlerësuar funksionin e gëlltitjes dhe funksionin transportues të ezofagut, si dhe funksionin e sfinkterit të sipërm dhe të poshtëm të tij, të cilët shërbejnë si valvula gjatë gëlltitjes.
Manometria e ezofagut është një ekzaminim i fushës së Gastro-Enterologjisë, që është degë e Mjekësisë interne (të organeve të brendshme).
A nevojitet ndonjë përgatitje e veçantë para kryerjes së manometrisë ezofageale?
Manometria e ezofagut kërkon që pacienti të jetë esëll (të mos ketë konsumuar asnjë ushqim 6 orë përpara ekzaminimit, dhe asnjë pije 4 orë përpara). Medikamentet e mëngjesit mund të merren me një gllënjkë uji. Medikamentet kundër aciditetit të stomakut (anti-acidet, frenuesit e pompës protonike) duhet të ndërpriten 7 ditë përpara ekzaminimit. Mjeku jep udhëzimet përkatëse për çdo rast.
Çfarë duhet të sqarohet para ekzaminimit?
Asnjë sqarim i veçantë nuk është i nevojshëm para kryerjes së manometrisë së ezofagut.
Si kryhet manometria ezofageale?
Ekzaminimi kryhet në kushte ambulatore, në kabinetin e mjekut. Ai është i padhimbshëm dhe zgjat rreth 20 minuta. Pas anestezisë lokale të mukozës së hundës dhe të fytit me anën e një sprai, një tub shumë i hollë që shërben për matjen e presionit futet në stomak përmes hundës, me pacientin në pozicion gjysmë në këmbë. Fillimisht, maten ndryshimet e presionit në zonën ndërmjet ezofagut dhe stomakut, pikërisht aty ku gjendet sfinkteri i poshtëm i ezofagut. Ky i fundit është një muskul unazor që hapet vetëm gjatë gëlltitjes dhe qëndron i mbyllur gjithë pjesën tjetër të kohës. Kjo parandalon kthimin e përmbajtjes së stomakut në ezofag dhe faring. Më pas, kontrollohet funksioni i gëlltitjes dhe ai transportues i ezofagut, duke gëlltitur disa herë ujin, dhe matet nëse sfinkteri i poshtëm i ezofagut hapet normalisht gjatë gëlltitjes. Nëse kjo nuk ndodh, ekzaminimi vërteton që është i pranishëm një çrregullim i gëlltitjes. Në fund të ekzaminimit, tubi i matjes së presionit tërhiqet dhe nxirret jashtë.
Kur përdoret manometria ezofageale?
Manometria e ezofagut përdoret për të matur presionin në ezofag dhe për të kontrolluar funksionet e gëlltitjes dhe transportimit të ezofagut.
Arsyet e shpeshta për manometrinë e ezofagut janë:
- Çrregullimet e funksionit të ezofagut: akalazia, spazma e ezofagut
- Urthi, sëmundja e refluksit gastro-ezofageal
- Çrregullimet e gëlltitjes
- Dhimbjet e pashpjegueshme të kraharorit
- Para çdo operacioni që bëhet për të frenuar kthimin e aciditetit të stomakut në ezofag (kirurgjia anti-refluks).
A paraqet rreziqe apo efekte të padëshiruara manometria e ezofagut?
Ky ekzaminim është i padhimbshëm dhe paraqet pak rreziqe. Në raste të rralla pacienti mund të ketë të përziera (nga anestezia me sprai për fytin) ose dëmtime të zonave ku kalon tubi (hunda, faringu, ezofagu ose stomaku).