Abdomeni akut (Dhimbja e fortë e barkut)
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Abdomeni akut karakterizohet nga dhimbje të menjëhershme, të forta dhe të vazhdueshme në nivelin e të gjithë barkut ose vetëm në fund të barkut.
Në origjinën e një abdomeni akut (dhimbjes së menjëhershme dhe të fortë të barkut) mund të jenë sëmundje të ndryshme, si:
- Inflamacionet e organeve të ndryshme të barkut, si ato të pankreasit (pankreatiti), fshikëzës së tëmthit (kolecistiti), zorrës së hollë (enteriti), zorrës së trashë (koliti), stomakut (gastriti), mitrës dhe vezoreve (adneksiti).
- Shpimi i ulçerave të stomakut dhe të zorrës si dhe të organeve të inflamuara (fshikëza e tëmthit).
- Bllokimi i organeve kavitare (zgavrore), siç janë zorrët dhe fshikëza e tëmthit, kryesisht nga gurët e tëmthit.
- Bllokimi ose çarja e enëve të gjakut
- Dëmtimet e organeve të barkut, që shoqërohen me hemorragji në zgavrën e barkut.
- Shtatzania abdominale (në zgavrën e barkut)
- Helmimet e ndryshme
Gjithashtu, abdomeni akut mund të shkaktohet edhe nga sëmundje të tjera, që nuk janë të lidhura me organet e zgavrës së barkut. Si të tilla mund të përmendim: infarktin e miokardit, embolinë në mushkëri, dëmtimet e shtyllës kurrizore, gurët e veshkave dhe mbajtja e urinës në rastin e uljes së funksionit të veshkave.

Në rastin e abdomenit akut (dhimbjes së menjëhershme dhe të fortë të barkut) është i domosdoshëm fillimi i menjëhershëm i trajtimit mjekësor. Kjo për faktin se simptomat e tij përfshijnë të gjithë organizmin, duke rënduar menjëherë gjendjen e përgjithshme të pacientit. Këto simptoma janë:
- Dhimbjet e barkut të forta dhe të vazhdueshme, që fillojnë në mënyrë të menjëhershme.
- Barku i fortë, për shkak të tensionimit ose tkurrjes së muskujve të tij.
- Çrregullim i funksionit të zorrëve (mbajtje e feçeve)
- Gjendje e përgjithshme e keqe e pacientit
- Në rastin e hemorragjive të brendshme, mund të shfaqen gjendjet e shokut, të cilat shkaktojnë çrregullime në qarkullimin e gjakut, deri në humbjen e ndërgjegjes.
- Shpesh, të përziera dhe të vjella.
- Temperaturë (jo gjithmonë).
Kujdes: në rastet kur dyshohet për një abdomen akut, nuk duhet të përdoren pa rekomandimin e mjekut medikamente që qetësojnë dhimbjet (antialgjikët).
- Njohja e mjekut në mënyrë të detajuar me simptomat e pacientit.
- Ekzaminimi i barkut nëpërmjet prekjes (palpacionit), ku barku rezulton tepër i fortë.
- Dhimbjet, që mund të jenë të përhapura në të gjithë barkun, ose të përqëndruara në një zonë të veçantë të tij.
- Dëgjimi me stetoskop (auskultacioni) i zhurmave dhe lëvizjeve të zorrëve.
- Analiza e materialeve ushqimore të vjella (kur ka)
- Ekografia e barkut
- Radiografitë e barkut dhe të kraharorit.
- Skaneri i barkut dhe ekzaminimi endoskopik i zorrëve (që eksploron zorrët në brendësi të tyre dhe mundëson marrjen e materialit për biopsi), në rastet kur janë të nevojshme.

- Inflamacion të pankreasit (pankreatiti)
- Inflamacion të zorrëve të holla (enteriti)
- Inflamacion të fshikëzës së tëmthit (kolecistiti)
Në rastin e dobësimit të qarkullimit të gjakut, kur pacienti rrezikon të kalojë në gjendje shoku nga rënia e tensionit arterial dhe pulsi është i shpejtë, duhet të kryhet sa më shpejt ndërhyrja kirurgjikale.
- Inflamacionet dhe nekrozat (vdekjet) e indeve nga mosfurnizimi me gjak i tyre.
- Bllokimi i zorrëve dhe shpimi i tyre, dhe më pas shpërndarja e mikrobeve në zgavrën e barkut, që shkakton septiceminë (kalimin e infeksionit në gjak).
- Përdredhja e një pjese të zorrës së hollë ose bllokimet e enëve të gjakut, që çojnë në vdekje (nekrozë) të indeve, si pasojë e mosfurnizimit me gjak.
- Dëmtimet ose çarjet e enëve të gjakut, me gjendjen e shokut (uljen e vëllimit të gjakut) që mund të shkaktojë vdekjen e pacientit.