logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Hiperparatireoza: mbiprodhimi i hormonit të gjendrave paratiroide.
Hiperparatireoza: mbiprodhimi i hormonit të gjendrave paratiroide.

Gjendrat paratiroide janë 4, në formën e thjerrëzave, të vendosura në pjesën e përparme dhe të poshtme të qafës, në katër polet e gjendrës tiroide. Ato janë përgjegjëse për prodhimin e hormonit të paratiroides (PTH), i cili rregullon nivelin e kalciumit në organizëm, duke mos lejuar uljen e tij. 

Hiperparatireoza përfaqëson funksionin e shtuar të gjendrave paratiroide, me prodhim të egzagjeruar të PTH-s, për pasojë edhe me rritje të nivelit të kalciumit në gjak. 

Njihen dy forma të hiperparatireozës: forma parësore dhe ajo dytësore.

Hiperparatireoza parësore përfaqëson shtimin e funksionit të gjendrave paratiroide, si rezultat i një sëmundjeje të tyre. Në këtë rast bëhet fjalë përgjithësisht për një adenomë, që është tumor beninj (i parrezikshëm) i tyre. Kanceri i paratiroides është tepër i  rrallë. Në rastin e hiperparatireozës parësore, niveli i kalciumit në organizëm rritet shumë.

Hiperparatireoza dytësore është pasojë e një sëmundjeje tjetër, që ka shkaktuar uljen e nivelit të kalciumit në organizëm. Pra, në këtë rast, gjendrat paratiroide prodhojnë më tepër PTH për të kompensuar mungesën e kalciumit në gjak, duke e rritur nivelin e tij. Përgjithësisht, mungesa në kalcium shkaktohet nga sëmundjet e veshkave dhe të zorrëve. Shumë shpesh, mungesa e kalciumit shoqërohet edhe nga mungesa e vitaminës D, që është një element mjaft i rëndësishëm për metabolizmin e kalciumit në organizëm. Në rastin e hiperparatireozës dytësore, niveli  i kalciumit në gjak është normal, madje edhe i ulët.

Hiperparatireoza: lodhje kronike dhe tendencë për depresion.
Hiperparatireoza: lodhje kronike dhe tendencë për depresion.

Gjatë hiperparatireozës, simptomat shkaktohen nga niveli i lartë i kalciumit në gjak (hiperkalcemia).    Në fillim të sëmundjes, kur niveli i kalciumit nuk është shumë i lartë, pacienti shpesh nuk paraqet shqetësime të veçanta.

Çrregullimet e shkaktuara nga niveli i lartë i kalciumit përfshijnë:

  • Lodhje kronike, pafuqi, çorientim në kohë dhe në hapësirë, humbje të kujtesës, tendencë për depresion.
  • Shtim i sasisë së urinimit dhe, për pasojë, shtim i etjes.
  • Mungesë e oreksit, të vjella, kapsllik, rënie në peshë.
  • Formimi i gurëve në veshka dhe i depove të kalciumit në to, dhimbje spastike (si ngërçe) në zonën e veshkave.
  • Shpejtim i rrahjeve të zemrës, palpitacione në zemër (rrahje të forta dhe të shpejta), hipertension arterial.
  • Dhimbje në shpinë dhe dhimbje në kyçe.
  • Në stade të përparuara të sëmundjes: varfërim i kockës nga  kalciumi (osteoporozë), sepse ai mobilizohet nga PTH-ja për të kaluar në gjak, që shoqërohet me fraktura (thyerje) spontane të kockave.
  • Kur niveli i kalciumit në gjak është shumë i lartë, mund të shfaqen krizat akute, që çojnë në ulje të funksionit të veshkave (insuficiencë renale), në gjendjen e komës, madje edhe në vdekje. 
 Hiperparatireoza: përcaktimi i nivelit të hormonit në gjak.
Hiperparatireoza: përcaktimi i nivelit të hormonit në gjak.

Hiperparatireoza zbulohet përgjithësisht në mënyrë të rastësishme, pas marrjes së një analize gjaku, kur niveli i kalciumit në të rezulton tepër i lartë. Megjithatë, konstatimi vetëm një herë i një niveli të lartë kalciumi nuk tregon domosdoshmërisht për hiperparatireozë. Përpara se të vendoset kjo diagnozë, duhet të kryhen të paktën tri matje të nivelit të kalciumit në gjak, ku rezultati të jetë i lartë.

Egzaminime të tjera të domosdoshme kur dyshohet për hiperparatireozë:

  • Matja e nivelit të PTH-s (hormonit të paratiroides) në gjak.
  • Ekografia e gjendrave paratiroide, për të përjashtuar ose konfirmuar praninë e një tumori të tyre.
  • Egzaminimi i veshkave, nëpërmjet ekografisë së tyre.
  • Vlerësimi i stomakut dhe i zorrëve, me egzaminimet e nevojshme sipas rastit (fibrogastroskopia - eksplorimi me sondë  në brendësi, ose  radiografia e tyre).
  • Matja e densitetit të kockave.
Hiperparatireoza: heqja kirurgjikale e adenomës.
Hiperparatireoza: heqja kirurgjikale e adenomës.

Hiperparatireoza parësore

Meqenëse shkaku i sëmundjes është tumori i vetë gjendrës (ose gjendrave) paratiroide, trajtimi konsiston pikërisht në heqjen e tij me rrugë kirurgjikale. Kjo pasohet me stabilizimin e nivelit të PTH-s.

Hiperparatireoza dytësore

Meqenëse në këtë formë, si shkak shërben një sëmundje tjetër, edhe trajtimi konsiston pikërisht në menaxhimin e kësaj të fundit. Nëse kjo nuk është e mundur, rekomandohet heqja me rrugë kirurgjikale e të katër gjendrave paratiroide. Gjatë kësaj proçedure, duhet patjetër që një pjesë e njërës prej gjendrave të implantohet (fiksohet) në një zonë tjetër të trupit (si psh. në krah), në mënyrë që të evitohet hipoparatireoza (e kundërta e hiperparatireozës), pra ulja e nivelit të PTH-s, dhe për pasojë edhe e kalciumit në gjak.

Medikamentet

Pilulat e kalciumit dhe të vitaminës D, si dhe Kalcitrioli, mund të favorizojnë thithjen e kalciumit në nivelin e zorrës. Kalcitonina, bifosfonatet dhe glukokortikoidet frenojnë shkatërrimin kockor (osteoporozën).

Një ndërlikim i mundshëm dhe mjaft i rrezikshëm i hiperparatireozës është "kriza hiperkalcemike", gjatë së cilës sasia e kalciumit në gjak është aq e lartë sa mund të shkaktojë insuficiencë renale, gjendje kome, deri edhe vdekjen e pacientit. Kjo situatë përbën një urgjencë mjekësore.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.