Tumoret e aparatit tretës (Tumoret e aparatit gastro-intestinal, Tumoret stromale digjestive, Tumoret stromale të aparatit të tretjes)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Tumoret stromale të aparatit të tretjes janë sëmundje kanceroze (malinje) të traktit digjestiv. Ata janë më të rrallë se format e tjera të kancerit, të tilla si kanceri i stomakut dhe i zorrës së trashë.
Këto tumore formohen direkt në muret e organit të tretjes dhe për këtë arsye konsiderohen tumore të indeve të buta (ose sarkoma). Ato mund të shfaqen kudo në traktin e tretjes, nga ezofagu deri në fund të zorrës së trashë. Megjithatë, janë më të shpeshta në zorrë. Në përgjithësi, pacientët e prekur nga këto tumore janë nga 55-65 vjeç, ku dominojnë meshkujt.
Përgjegjës për shfaqjen e një tumori të aparatit tretës është mungesa e një geni. Në njerëz të shëndetshëm, rritja e qelizave të traktit gastrointestinal rregullohet nga një enzimë e quajtur tirozinkinazë. Kur geni mungon kjo enzimë aktivizohet vazhdimisht, gjë që shkakton shumëzimin e pakontrolluar të qelizave, që çon në shfaqjen e tumorit.
Në raste të rralla, një tumor i tillë mund të shfaqet edhe pa këtë mutacion gjenetik. Megjithëse modifikimi gjenetik është i pranishëm në shumicën e pacientëve, këto tumore nuk transmetohen gjenetikisht. Në përgjithësi, ky modifikim gjenetik (mutacion) ndodh gjatë jetës.
Për fat të keq në shumë raste një tumor i tillë i traktit tretës shkakton simptoma vetëm në fazën e avancuar të sëmundjes. Këto simptoma nuk janë specifike, pasi mund të shfaqen edhe gjatë sëmundjeve të tjera. Të tilla simptoma janë të përzierat, dhimbjet, humbja e oreksit, kapsllëku, ose gjakderdhja e brendshme. Kjo është arsyeja pse këto tumore shpesh zbulohen rastësisht, për shembull gjatë një fibrogastro/kolonoskopie ose para një operacioni kirurgjikal.


Nëse tumori i aparatit tretës zbulohet në një fazë të hershme, zakonisht mund të hiqet me rrugë kirurgjikale. Megjithatë, në shumë raste tumori i sapo zbuluar ka arritur tashmë një masë të madhe dhe është përhapur në organe të tjera, pra ka lëshuar metastaza. Në të tilla raste operacioni është i pamundur. Përveç kësaj, kjo formë e avancuar e kancerit është shumë rezistente ndaj kimioterapisë dhe radioterapisë, dhe shpesh ka rezultuar ndër tumoret më të vështira për t'u trajtuar.
Sot po përdoret me sukses të madh një gjeneratë e re medikamentesh (frenuesit e tirozinkinazës). Këto barna veprojnë mbi enzimën përgjegjëse për rritjen e qelizave kanceroze, duke ndaluar ose pakësuar kështu rritjen e këtyre qelizave dhe të masës tumorale.