logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDr. med. Gerhard EmrichDr. med. Daniel DesalmandDoris Zumbühl)
SIDA: shkaktohet nga HIV-virusi i mungesës së imunitetit tek njeriu.
SIDA: shkaktohet nga HIV-virusi i mungesës së imunitetit tek njeriu.

Që prej viteve `80, për shkak të lëvizjes më të madhe të njerëzve nga njëri shtet në tjetrin dhe rritjes së turizmit, sëmundja e Sidës ka pësuar një përhapje të madhe në botë. Sipas raportimit të OBSH -s (Organizata Botërore e Shëndetësisë), aktualisht të infektuarit nga ky virus janë më shumë se 30 milionë njerëz, 70% e të cilëve janë konstatuar vetëm në Afrikë.

Në fillim, kjo sëmundje është konstatuar më shpesh tek individët e droguar (narkomanët) dhe tek meshkujt homoseksualë ose biseksualë. Gjatë viteve të fundit vërehet shtim i madh dhe i shpejtë edhe i rasteve të infektuara nëpërmjet transmetimit heteroseksual.

Aktualisht është mjaft shqetësuese mungesa e informacionit rreth kësaj sëmundjeje. Studimet konstatojnë një sjellje më të riskuar tek të rinjtë, që shoqërohet detyrimisht me shtimin e sëmundjeve të transmetueshme nëpërmjet seksit në përgjithësi, dhe të Sidës në veçanti.

Sida është një sëmundje kronike, që mund të shkaktojë vdekjen e personit të prekur prej saj. Ajo shkaktohet nga virusi HIV, që shkakton ulje të imunitetit tek njeriu. Termi “SIDA” (sindromi i defiçitit imunitar të fituar) karakterizon një stad të mëvonshëm të infeksionit nga virusi HIV. Virusi HIV pushton sistemin imunitar dhe sistemin nervor qendror.

Në mungesë të trajtimit, mund të fillojnë të shfaqen simptomat. Ato shfaqen pikërisht kur sistemi imunitar nuk arrin më të luajë rolin e tij mbrojtës në organizëm.

Pas momentit të infektimit, virusi kalon në qarkullimin e gjakut. Ai mund të transmetohet nëpërmjet gjakut, sekrecioneve vaginale ose spermës. Eshtë i diskutueshëm edhe transmetimi nëpërmjet pështymës. Virusi HIV shkatërron disa qeliza të bardha të gjakut, që janë limfocitet T, proçes ky që dobëson sistemin imunitar të organizmit. Për këtë arsye organizmi bëhet më i prekshëm ndaj infeksioneve banale, të cilat mund të rrezikojnë edhe jetën e individit të prekur.

Këto sëmundje infeksioze dhe inflamatore nuk e kanë origjinën direkt tek virusi HIV, por zhvillohen në terrenin e sistemit imunitar të dobësuar tek individët e prekur nga ky virus. Në mjekësi, për Sida flitet pikërisht atëherë kur organizmi nuk mund t`i luftojë infeksionet tepër banale, për shkak të dobësimit ekstrem të sistemit imunitar.

Popullata e rrezikuar

Si popullatë e rrezikuar konsiderohen personat që përdorin drogat, personat që kryejnë marrëdhënie seksuale të pambrojtura me partnerë të shumtë, nënat e infektuara me HIV, personeli spitalor dhe ai mjekësor, si dhe personat që i janë nënshtruar transfuzionit të gjakut përpara vitit 1985.

Virusi HIV nuk transmetohet nëpërmjet shtrëngimit të thjeshtë të duarve, puthjeve në faqe, as nga kontakti i thjeshtë me persona të infektuar.

Në rastin e infektimit nga HIV

Fillimisht, pjesa më e madhe e rasteve nuk paraqesin asnjë simptomë. Gjatë javëve të para mund të konstatohet një gjendje gripale me ethe, zmadhim të gjëndrave limfatike dhe zmadhim të shpretkës.

Në rastin e Sidës

Bakteret dhe viruset banale mund të shkaktojnë gjendje të rënda inflamatore, për shkak të dobësimit të sistemit imunitar. Ndërmjet simptomave që reflektojnë një sistem imunitar të dobësuar, duhen përmendur simptomat e një gripi të rëndë dhe të përhershëm, inflamacionet kronike të lëkurës dhe të rrugëve respiratore, një gjendje e përhershme me ethe, dhe kriza të djersitjes gjatë natës. Gjithashtu, mund të konstatohen edhe simptoma të lidhura me prekjen e sistemit të tretjes, të tilla si të përzierat dhe diarrea me origjinë të papërcaktuar.

Simptoma të tjera:

 Me avancimin e sëmundjes, mund të riaktivizohen infeksionet e vjetra si herpesi. Bakteret banale mund të shkaktojnë inflamacione tepër të rënda. Kjo situatë shoqërohet edhe me rënie të ndjeshme të moralit, që mund të reflektohet me ndryshime të personalitetit, çrregullime të përqëndrimit dhe dobësim të kujtesës.

 

 

Për rastet e dyshimta, testi i diagnostikimit të infektimit me HIV mund të realizohet pranë institucioneve mjekësore, tek mjeku specialist infeksionist, ose në shoqatat që ndihmojnë të sëmurët me Sida.

Testet e dignostikimit të infektimit me HIV janë të detyrueshme dhe duhet të realizohen menjëherë tek dhuruesit e spermës, dhuruesit e organeve ose dhuruesit e gjakut, ose në rastet e farëzimit artificial. Në të gjitha rastet e tjera, pacienti është i detyruar të nënshkruajë një marrëveshje.

Medikamente antivirale.
Medikamente antivirale.

Bëhet fjalë, nga njëra anë, për trajtimin e infeksionit nga HIV dhe nga ana tjetër, për menaxhimin e infeksioneve dytësore si pasojë e dobësimit të sistemit imunitar. Aktualisht nuk ekziston ende ndonjë medikament që të shërojë Sidën, por përdorimi i shumë medikamenteve ka mundësuar jo vetëm zgjatjen e jetës së personave të prekur, por edhe përmirësimin e cilësisë së saj.

Medikamentet

Trajtimi kundër virusit: objektivi kryesor i këtij trajtimi është pakësimi i numrit të virusit, duke e shkatërruar atë, ose duke parandaluar shumëzimin e tij. Në ditët e sotme, rezultatet më të mira janë arritur nga përdorimi i terapisë HAART, që përdoret prej disa vitesh. Ajo, jo vetëm që parandalon shfaqjen e Sidës, por ndikon në mënyrë pozitive edhe mbi simptomat e Sidës kur ato janë shfaqur.

Katër medikamentet kryesore të trajtimit HAART janë:

  • IN dhe INN: këta frenues nukleozidikë dhe jonukleozidikë frenojnë shumëzimin e virusit, duke bllokuar disa enzima virale. Efektet kryesore të padëshiruara konsistojnë në frenimin e formimit të qelizave të kuqe dhe të bardha në palcën kockore, që reflektohet me pakësimin e tyre në gjakun periferik. Gjithashtu mund të shfaqen edhe reaksione alergjike në lëkurë.
  • IP: këta frenues të proteazës parandalojnë shumëzimin e virusit HIV në një stad të avancuar të shumëzimit viral, duke bllokuar një enzimë të nevojshme për proçesin e shumëzimit. Kjo çon në shfaqjen e viruseve të papjekura dhe jo infektuese. Efektet kryesore të padëshiruara janë: çrregullim të sistemit të tretjes (të përziera, të vjella, diarre), çrregullime të metabolizmit me rritje të triglicerideve dhe të sheqerit në gjak, çrregullime në shpërndarjen e yndyrnave (me depozitim të tyre në nivelin e qafës dhe të shpatullave).
  • Frenuesit e bashkimit (T20): parandalojnë depërtimin dhe shumëzimin e virusit në qelizat e shëndetshme. Këto medikamente përdoren nëpërmjet injeksioneve.
  • Antagonistët e CCR5: parandalojnë depërtimin e virusit në qelizat e sistemit imunitar. Këto medikamente të reja janë ende duke u studiuar në lidhje me efikasitetin dhe efektet e padëshiruara.
  • Suksesi i terapisë mund të vlerësohet nëpërmjet matjes së ngarkesës virale në gjak.

Vaksinat kundër virusit HIV janë ende në stad eksperimental. Suksesi i tyre terapeutik mbetet për t`u vlerësuar në të ardhmen.

Çfarë mund të bëjmë vetë?

Medikamentet dhe këshillat e ndryshme të rekomanduara nga mjeku specialist duhet të zbatohen me përpikmëri. Është shumë e rëndësishme zgjedhja e një medikamenti me të cilin ndiheni të sigurt, pasi trajtimi duhet të vazhdojë për një periudhë shumë të gjatë kohore.
 
Në rast se dyshoni për infektim me HIV (çarje e prezervativit, përdorimi i një shiringe të përdorur), mund të filloni menjëherë një trajtim parandalues pas ekspozimit, që duhet të fillojë brenda dy orëve pas incidentit që mund t`ju ketë infektuar.

Hapat e rekomanduar:

Infeksioni nga HIV i patrajtuar avancon gjithmonë drejt Sidës. Në ditët e sotme nuk është ende i mundur shërimi i Sidës. Për pasojë, pothuajse gjithmonë ajo shkakton vdekjen e pacientit të prekur prej saj.

Rëndimi i gjendjes së pacientit me Sida provokohet pothuajse gjithmonë nga infeksionet dytësore. Këto infeksione nuk shkaktohen nga virusi HIV, por nga agjentët mikrobialë mjaft të përhapur, përgjithësisht pak patogjenë. Për shkak të dobësimit të sistemit imunitar, organizmi është i paaftë të mbrohet kundër këtyre agjentëve.

Pikërisht në këtë stad të infeksionit të HIV-it flitet për Sidën. Grupi i agjentëve patogjenë që mund të shkaktojnë infeksione dytësore në këtë stad janë të shumëllojshëm. Ato mund të jenë viruse, baktere, kërpudha, si dhe disa agjentë patogjenë që ishin pak të njohur përpara epidemisë së Sidës (psh. pneumocistis carini).

Infeksionet dytësore

Infeksionet nga parazitët:

  • Pneumonia nga pneumocistis carini (PPC): shenja kryesore është inflamacioni i indit të mushkërive.
  • Toksoplazmoza
  • Kriptosporidioza: paraziti shumëzohet në nivelin e rrugëve të tretjes dhe të rrugëve ku kalon lëngu i tëmthit. Shenjat tipike janë: diarrea kronike e rëndë.


Infeksionet bakteriale:

  • Infeksionet nga mykobakteret prekin fillimisht sistemin e frymëmarrjes, duke u përhapur më pas në organet e tjera, ndër të cilat edhe në palcën e kockave. Shenjat kryesore janë: reaksionet alergjike në lëkurë, ethja, rënia në peshë dhe çrregullimet e sistemit të tretjes.
  • Tuberkulozi
  • Infeksionet virale
  • Citomegalovirusi: virus i tipit herpetiform, me prirjen për të dëmtuar retinën e syrit dhe sistemin nervor qendror.
  • Herpesi simplex: virus i herpesit, që prek lëkurën dhe sistemin gjenital.
  • Virusi i hepatitit: e përkeqëson infeksionin nga HIV dhe shkakton çrregullime të funksionit të mëlçisë.
  • Virusi JC: provokon një infeksion të rëndë të sistemit nervor qendror, me çrregullime të të folurit, paraliza, humbje të shikimit dhe të ndjeshmërisë.

Infeksionet nga kërpudhat:

  • Kërpudha Candida: prek kryesisht sipërfaqen e brendshme të gojës dhe të sistemit gjenital.
  • Kriptokoku: mund të jetë përgjegjës i një infeksioni shumë të rëndë të cipës së trurit (meningit). Ndër simptomat e shkaktuara prej tij mund të përmendim dhimbjen e kokës, temperaturën e lartë, ngurtësimin e qafës dhe ndjeshmërinë e lartë ndaj dritës.

Kanceri:

  • Sarkoma e Kaposit: tumor i murit të enëve të gjakut, që duhet të trajtohet me rrezatim dhe medikamente (kimioterapi)
  • Limfomat joHoçkiniane.
  • Infeksionet normale, që tek individët normalë kalojnë pa asnjë problem, tek individët e infektuar nga HIV mund të shkaktojnë edhe vdekje.

Mënyrat e vetme për t`u mbrojtur kundër infeksionit konsistojnë në përdorimin e prezervativëve gjatë kontaktit seksual dhe evitimi i përdorimit të shiringave të përdorura. Rreziku i infektimit nga transfuzioni i gjakut është pakësuar ndjeshëm vitet e fundit, për shkak të testeve të përdorura sistematikisht në dhuruesit e gjakut.

Në rast se dyshohet për infektim me HIV

Duhet bërë menjëherë konsultë me mjekun specialist, i cili realizon testin diagnostikues. Mjeku mund të rekomandojë një trajtim parandalues, në varësi të rrezikut për infektim. Ky trajtim fillohet në orët e para pas ekspozimit. Kujdes: një test negativ nuk e përjashton infektimin me HIV, pasi prodhimi i antitrupave nga sistemi imunitar mund të kërkojë disa javë. Mund të korrespondojë kryerja e testit pikërisht me këtë periudhë, kur virusi ka hyrë në organizëm, por infektimi nuk konfirmohet në test, sepse antitrupat nuk janë formuar ende. Kjo quhet "periudha dritare". Meqenëse ajo zgjat deri në 6 muaj, edhe përsëritja e testit rekomandohet pas 6 muajsh.

Në rast se testi rezulton pozitiv

Metodat e trajtimit të Sidës kanë përparuar gjatë viteve të fundit. Për pasojë, edhe jetëgjatësia e personave të prekur prej saj ka pësuar rritje të rëndësishme. Është e këshillueshme konsulta me mjekun specialist infeksionist, i cili do t`ju shpjegojë nëse duhet të filloni menjëherë trajtimin, apo duhet të prisni. Gjithashtu rekomandohet anëtarësimi pranë shoqatave që ndihmojnë të sëmurët me Sida, pasi në to mund të sigurohet informacioni i nevojshëm rreth kësaj sëmundjeje dhe vetë-menaxhimit të saj.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Dr. med. Gerhard Emrich

Gerhard Emrich ka studiuar Mjekësi në Vjenë. Ai është një gazetar mjekësor me shumë vite përvojë në shkrime mjekësore.

Dr. med. Daniel Desalmand

Daniel Desalmand ka studiuar Mjekësi në Bern. Pas diplomimit, ai ka patur një përvojë të gjatë klinike në Kirurgji dhe Mjekësi të Brendshme përpara se t'i kushtohej gazetarisë shkencore.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Përdoruesit kanë vizituar po ashtu...