Kanceri i mëlçisë
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Kanceri i mëlçisë është një tumor malinj, që zhvillohet në qelizat e mëlçisë, që quhen hepatocite. Ai përfaqëson një kancer të rrallë, që zhvillohet kryesisht mbi dëmtime paraegzistuese të këtyre qelizave, të tilla si inflamacioni i tyre (hepatiti) ose cirroza e mëlçisë.
Kanceri i mëlçisë shfaqet dy herë më shpesh tek meshkujt sesa tek femrat. Në momentin e diagnostikimit me këtë sëmundje, pacientët janë shpesh në moshën 50-60 vjeç. Në këtë tip kanceri përfshihen edhe tumoret që zhvillohen në rrugët e tëmthit.
Në nivelin e mëlçisë, janë shumë më të shpeshta metastazat e kancereve të organeve të tjera, krahasuar me kancerin parësor të këtij organi. Këto metastaza janë kryesisht me origjinë nga kanceri i gjirit, kanceri i stomakut, kanceri i zorrës së trashë, kanceri i prostatës, kanceri i mushkërisë dhe kanceri i uterusit.
Shkaqet e sakta të shfaqjes së kancerit të mëlçisë ende nuk dihen. Gjithsesi, një rol të rëndësishëm në këtë drejtim duket se luajnë inflamacionet kronike, që janë përgjegjëse për dëmtimet e qelizave të mëlçisë.
Shkaqet më të shpeshta të kancerit të mëlçisë (në rreth 80% të rasteve) janë:
- Cirroza e mëlçisë, shpesh me origjinë alkoolike.
- Hepatitet kronike (virusi i hepatitit B ose¨ virusi I hepatitit C)
Shkaqe të tjera:
- Helmimi nga aflatoksina, që gjendet në disa ushqime.
- Helmimi nga disa substanca, si arseniku, kloruri i vinilit në PVC (polivinilklorid)
- Grumbullimi i sasive të mëdha të hekurit në organizëm (sëmundja e hemokromatozës).
- Disa sëmundje të lindura metabolike, si mungesa e enzimës alfa1-antitripsinë.

Meqenëse kanceri i mëlçisë nuk shkakton simptoma (shqetësime) për një periudhë të gjatë kohore, ai diagnostikohet shpesh në stade tepër të avancuara. Simptomat e tij përfshijnë:
- Dhimbjen në palpacion (egzaminimin me prekje) në nivelin e pjesës së sipërme të djathtë të barkut.
- Të përzierat
- Mungesën e oreksit
- Rënien në peshë
- Temperaturën me shkak të papërcaktuar
- Djersitjen gjatë natës
- Zverdhjen e lëkurës

Diagnoza e kancerit të mëlçisë vendoset nga mjeku specialist gastro-hepatolog, duke u bazuar në:
- Historinë e fillimit të sëmundjes
- Simptomat e pacientit
- Informimin e mjekut lidhur me mundësinë e konsumit të alkoolit, shpeshtësinë, kohëzgjatjen, sasinë ditore, etj.
- Egzaminimin fizik
- Analizat e gjakut (treguesit tumoralë: alfa-fetoproteina, evidentimi i antitrupave kundër virusit të hepatitit)
- Egzaminimin ekografik të mëlçisë
- Skanerin e barkut
- Rezonancën magnetike të barkut
- Biopsinë e mëlçisë (kur është e mundur).

Trajtimi i kancerit të mëlçisë varet nga stadi i tij në momentin e diagnostikimit, madhësia, lokalizimi, shkalla e përhapjes së tij dhe gjendja e përgjithshme e pacientit. Ai përfshin, sipas rastit, zbatimin e disa masave të lidhura me ushqyerjen, ndërhyrjen kirurgjikale dhe përdorimin e medikamenteve.
Masat e përgjithshme
- Ndërprerja e alkoolit
- Konsumi i ushqimeve të varfra në yndyrna
Medikamentet
- Tumoret e vogla (me diametër 4-5 cm) mund të shkatërrohen nëpërmjet injektimit të alkoolit tepër të përqëndruar në qelizat tumorale të mëlçisë.
- Kimioterapia, ku proçedura më efikase është kimio-embolizimi, që nënkupton shkrirjen në mënyrë kimike, nëpërmjet injektimit të medikamenteve direkt në qelizat tumorale.
- Shkatërrimi i tumorit me lazer ose me radio-frekuencë, me disa seanca të nevojshme.
- Trajtimet paliative, që aplikohen në rastet kur tumori nuk mund të operohet për shkak të madhësisë së tij. Ky trajtim nuk siguron shërimin e sëmundjes, por përmirëson cilësinë e jetës së pacientit, duke i lehtësuar dhimbjet.
Operacionet
Tumoret e vogla mund të hiqen me sukses nëpërmjet ndërhyrjes kirurgjikale. Mundësia e kryerjes së kësaj ndërhyrjeje varet nga pozicioni dhe madhësia e tumorit.
Tek pacientët e diagnostikuar me cirrozë të mëlçisë, mund të jetë efikas transplanti i mëlçisë. Për fat të keq, kjo proçedurë është e mundur në vetëm 10-30% të rasteve.
Në rastin e kancerit të mëlçisë të paoperueshëm, mbijetesa në 5 vjet është mesatarisht 50%. Diagnoza e kancerit të mëlçisë është shpesh tepër e vonuar. Për këtë arsye, ecuria e tij është e errët.
Çdo pacient i diagnostikuar me kancer të mëlçisë duhet t’i nënshtrohet egzaminimit klinik, ekografisë dhe analizave të gjakut (për treguesit tumoralë) çdo 6 muaj.

Parandalimi i kancerit të mëlçisë konsiston në:
- Kufizimin e sasive të alkoolit të konsumuar
- Vaksinimin kundër hepatitit B
- Egzaminimin ekografik të mëlçisë çdo 3-6 muaj tek çdo pacient i diagnostikuar me cirrozë të saj.