Listerioza (Infeksioni nga bakteriet Listeria)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Bakteriet Listeria mund të shkaktojnë infeksione të rënda.
Ato ekzistojnë në natyrë, në formën e shufrave, dhe mund të shkaktojnë një sëmundje infektive tek njerëzit, që quhet Listeriozë. Njerëzit preken nga nën-kategoria Listeria monocytogenes.
Në shumicën e rasteve, bakteret e listerias transmetohen nga ushqimet e papërpunuara me origjinë shtazore.
Për personat e rritur, që janë të shëndetshëm, listeria paraqet rrezik minimal. Për të moshuarit ose personat me imunitet të dobësuar, si dhe për fëmijën gjatë shtatzënisë (shpesh nëna nuk e vë re infeksionin), listerioza mund të çojë në probleme serioze, duke rrezikuar jetën e tyre.
Listerioza është sëmundje infektive me deklarim të detyrueshëm.Bakteret Listeria transmetohen drejtpërdrejt tek njerëzit nëpërmjet ushqimeve të mëposhtme:
- Qumështi i papasterizuar, p.sh. djathi
- Djathi i mykur
- Djathi i bardhë, gjiza
- Mishi i papërpunuar (mishi i grirë, mishi i tharë)
- Produktet e mishit të tymosur, pateja (salca me mëlçitë e viçit, derrit, pulës ose gjelit)
- Mishi i pagatuar mirë (shpendët kryesisht)
- Peshku i papërpunuar dhe i tymosur
- Produktet e paketuara, të gatshme për t’u konsumuar (sallata me patate)
- Sallatat, lakra dhe frutat e paketuara
Bakteret janë shumë rezistente dhe mbijetojnë edhe në frigorifer, në temperatura rreth 4°C!
Infeksioni indirekt ndodh nëpërmjet kafshëve të sëmura (dele, dhi, derra, zogj, lepuj, etj.), ose nga toka bujqësore e kontaminuar. Listerioza transmetohet seksualisht. Gratë shtatzëna i transmetojnë bakteriet tek fëmija i tyre përmes placentës ose gjatë lindjes.
Personat më të rrezikuar për t’u infektuar nga bakteriet Listeria janë:
- Individët me imunitet të dobësuar (të infektuar me HIV, pacientët me diabet të sheqerit apo pacientët që i janë nënshtruar transplantit)
- Fëmijët gjatë shtatzënisë (infeksioni transmetohet nga nëna tek fëmija gjatë shtatzënisë).

Periudha e inkubacionit (koha ndërmjet momentit të infektimit dhe shfaqjes së simptomave) mund të zgjasë nga tre ditë deri në dy muaj.
Simptomat në personat e rritur, që janë të shëndetshëm
Në shumicën e njerëzve me sistem imunitar normal, listerioza është ose asimptomatike& nbsp;(pa simptoma) ose shkakton simptoma të lehta, si ato të gripit, që mund të shoqërohen me shqetësime të lidhura me zorrët& nbsp;dhe elemente në lëkurë (pustula), në zonën e duarve, kur bakteri ka rënë në kontakt të drejtpërdrejtë me trupin.
Simptomat dhe ndërlikimet në personat me imunitet të dobësuar
- Septicemia, në të cilën bakteret hyjnë në organet e trupit përmes qarkullimit të gjakut.
- Encefaliti dhe meningjiti: me temperaturë të lartë, dhimbje koke, të përziera, të vjella
- Formimi i abcesit në organe
Simptomat gjatë shtatzënisë
- Nëna mund të ketë simptoma të ngjashme me gripin dhe ndoshta probleme të tretjes (gastro-intestinale). Transmetimi tek fëmija në shtatzëninë e hershme mund të çojë në abort dhe lindje të parakohshme.
Simptomat tek fëmija pas lindjes
- Gjendje e keqe e përgjithshme, apati, refuzim për të kapur gjirin
- Elemente në lëkurë, zakonisht të përhapura në të gjithë trupin
- Konvulsione (dridhje të përgjithshme të trupit)
- Splenomegalia (zmadhimi i shpretkës), hepatomegalia (zmadhimi i mëlçisë)
- Septicemia
Ndërlikime që mund të rrezikojnë jetën e pacientit:
- Meningiti purulent

Mjeku e përcakton diagnozën e Listeriozës duke u bazuar tek:
- Historia personale e pacientit, përfshirë edhe simptomat e tij
- Identifikimi i bakterieve të Listerias në sekrecione të trupit: të gjakut, feçes, lëngut amniotik, sipas rastit edhe të lëngut truno-shpinor
- Identifikimi i antitrupave në gjak
- Në varësi të rastit, identifikimi i listerias në ushqime.

Listerioza trajtohet me antibiotikë.
Septicemia është një urgjencë mjekësore që kërkon shtrimin e pacientit në spital dhe trajtimin emergjent të tij.
Për të parandaluar një infeksion të mundshëm nga Listeria:
- Shmangni kontaktin e afërt me kafshët
- Shmangni konsumimin e të gjitha llojeve të mishit dhe produkteve të qumështit në gjendje të papërpunuar
- Shmangni konsumimin e perimeve të fekonduara me pleh organik
- Përgatisni veçmas mishin dhe perimet
Masat e higjenës
- Pastroni me shumë kujdes duart, si dhe enët për gatim
- Siguroni higjienë maksimale në frigorifer dhe vendosni temperaturën në të paktën 4°C.