Sëmundja Menier
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Sëmundja Menier prek veshin e brendshëm dhe mban emrin e mjekut francez Prosper Menier, që ka përshkruar i pari tre simptomat kryesore të saj:
- marrje mendsh, të përziera, të vjella
- zhurmë apo ndjenjë presioni në vesh
- vështirësi në dëgjim
Shkaqet e vërteta të kësaj sëmundjeje nuk janë ende të njohura plotësisht. Si të tilla konsiderohen stresi dhe/ose infeksionet me natyrë virale.

Sëmundja Menier mund të manifestohet me:
- Simptoma që shfaqen në mënyrë të menjëhershme, si: marrje mendsh, të përziera, të vjella dhe djersitje, që zgjasin nga disa minuta deri në disa orë.
- Zhurmë në veshin e prekur
- Vështirësi në dëgjim vetëm në njërën anë, e shoqëruar shpesh me një ndjesi të presionit në veshin e asaj ane.
- Ndërmjet dy episodeve të sëmundjes Menier ekuilibri është normal, ndërkohë që çrregullimet e lidhura me dëgjimin mund të vazhdojnë të jenë të pranishme.

Për diagnostikimin e saktë të sëmundjes Menier, duhet të kryhet:
- Njohja e mjekut specialist otojatër (oto-rino-laringolog, ORL) me simptomat e pacientit dhe historinë e fillimit të tyre.
- Egzaminimi i veshit me mikroskop.
- Kryerja e testeve të dëgjimit dhe të ekuilibrit.
- Matja e shpejtësisë së transmetimit nervor dhe të perceptimit të dëgjimit.
- Skaneri ose rezonanca magnetike e kokës.

Pacientëve të diagnostikuar me sëmundjen Menier u rekomandohet:
- Regjim i detyrueshëm në shtrat
- Evitimi i stresit
- Përdorimi i medikamenteve që pakësojnë të përzierat dhe të vjellat
- Mjeku mund të rekomandojë, sipas rastit, përdorimin e një medikamenti që nxit qarkullimin e gjakut.
- Marrja e një qetësuesi, për të pakësuar shkallën e stresit.
- Mjeku mund të mjekojë në mënyrë kirurgjikale presionin e lartë në organin e ekuilibrit. Kjo mund të shkaktojë shkatërrim të veshit të brendshëm dhe të sistemit të dëgjimit, duke përfshirë edhe nervin e këtij të fundit.
- Të sëmurët me sëmundjen Menier kanë shumë shpesh nevojë për ndihmë psikologjike. Në fakt, frika e një episodi të ri të sëmundjes mund të jetë po aq problematike dhe traumatizuese për cilësinë e jetës së pacientit, sa edhe vetë këto episode.
Zhvillimi i paparashikueshëm i kësaj sëmundjeje e bën ecurinë e saj tepër të vështirë. Kujdes: pacientët e diagnostikuar me sindromën Menier nuk duhet të praktikojnë përkohësisht profesionet që kanë të bëjnë me ekuilibrin (puna mbi skela të ndërtimit, me zhytje, etj.) ose që kanë të bëjnë me transportin e pasagjerëve (pilot, shofer autobusi, taksie, etj.).
Aftësia e pacientit me Menier për të punuar varet nga shkalla e zhvillimit të sëmundjes dhe shpeshtësisa e shfaqjes së problemeve me ekuilibrin.
Pacienti mund të ketë në mënyrë të vazhdueshme zhurmë në vesh, çrregullime të dëgjimit, si dhe ndjeshmëri të lartë ndaj zhurmës. Për këtë kontigjent pacientësh rekomandohet përdorimi i aparatit të dëgjimit.