logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Punksioni lumbar: ekzaminimi i lëngut truno-shpinor
Punksioni lumbar: ekzaminimi i lëngut truno-shpinor

Çfarë është punksioni lumbar?

Punksioni lumbar konsiston në marrjen e lëngut truno-shpinor në kanalin e shtyllës kurrizore. Kjo realizohet nëpërmjet një shpimi (punksioni) me një age të hollë në zonën e belit (pjesën lumbare të shtyllës kurrizore), nga ku edhe emërtohet punksion lumbar. Ky ekzaminim bën të mundur evidentimin e ndryshimeve të përbërjes së lëngut truno-shpinor, që tregojnë për sëmundje të sistemit nervor. Punksioni lumbar është veçanërisht i rëndësishëm për diagnostikimin e meningitit.

Punksioni lumbar është një ekzaminim neurologjik.

A kërkon ndonjë përgatitje të veçantë ky ekzaminim?

Punksioni lumbar kërkon një proçes normal të mpiksjes së gjakut. Pacientët që janë duke marrë medikamente antikoagulante (për hollimin e gjakut) duhet mundësisht t’i ndërpresin ato disa ditë para ekzaminimit ose t’i zëvendësojnë me injeksione të heparinës në bark. Mjeku jep udhëzimet përkatëse, sipas rastit.

Çfarë duhet të sqarohet përpara këtij ekzaminimi?

Përpara kryerjes së punksionit lumbar, duhet të përjashtohet një hipertension intrakranial (presion i lartë brenda kafkës). Për këtë qëllim rekomandohet kryerja paraprake e skanerit ose rezonancës magnetike të kafkës. Në pamundësi të kryerjes së tyre, mund të rekomandohet ekzaminimi i fundusit të syrit, që gjithsesi jep rezultate të kufizuara.

Si realizohet punksioni lumbar?

Punksioni lumbar realizohet në kushte ambulatore në kabinetin e mjekut, ose në spital, dhe zgjat rreth 20 minuta. Ai kryhet përgjithësisht në pozicionin ulur me bustin krejtësisht të përkulur përpara, në mënyrë që të mblidhet në maksimum pjesa e belit (lumbare). Kjo e bën më të lehtë shpimin. Përveç kësaj, paraprakisht pacientit i injektohet një qetësues dhe një lëshues i muskujve, me qëllim që muskujt e shpinës të lëshohen sa më shumë që të jetë e mundur. Vendi i shpimit, që gjendet ndërmjet vertebrës 4 dhe 5 të belit, dezinfektohet me kujdes dhe më pas aty injektohet edhe anesteziku lokal (për mpirje). Me ndihmën e një ageje të hollë realizohet shpimi i kanalit të shtyllës kurrizore pikërisht ndërmjet këtyre dy vertebrave. Më pas, lëngu truno-shpinor rrjedh përmes ages së punksionit dhe mblidhet në një tub, me të cilin dërgohet në laborator. Gjilpëra tërhiqet dhe vendi i shpimit mbulohet me një ankerplast ose një garzë sterile. Pas punksionit lumbar janë të shpeshta dhimbjet e kokës. Për t’i evituar ato, pacienti duhet të pijë shumë lëngje dhe të pushojë në shtrat.

Kur përdoret punksioni lumbar?

Punksioni lumbar është një ekzaminim thelbësor për diagnostikimin ose përjashtimin e disa sëmundjeve të sistemit nervor. Ai është veçanërisht i rëndësishëm për diagnostimin e shpejtë të një meningiti.

Arsyet e shpeshta për kryerjen e një punksioni lumbar janë:

A paraqet rreziqe ose efekte të padëshiruara punksioni lumbar?

Ky ekzaminim është përgjithësisht pak i dhimbshëm dhe bart pak rreziqe. Gjatë kryerjes së tij, mund të shfaqet ndjesia e kalimit të rrymës elektrike tek këmbët, pasi agia e shpimit hyn në kontakt me nervat e kanalit të shtyllës urrizore. Pas punksionit lumbar janë të mundshme dhimbjet e kokës, që shoqërohen me të përziera dhe të vjella. Tepër të rralla janë infeksionet ose fenomenet e paralizave, të shkaktuara nga dëmtimet e nervave. Punksioni lumbar është i rrezikshëm në praninë e një hipertensioni intrakranial, sepse mund të shkaktojë zhvendosje të masës së trurit (herniacion cerebral), si pasojë e rrjedhjes së lëngut truno-shpinor. Kjo mund të jetë kërcënuese për jetën e pacientit.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.